PUKE- Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa i shoqëruar nga anëtari Flamur Kapllani prezantuan në qytetin e Pukës, kryetarin e ri të deleguar në Gjykatën e Pukës Bib Ndreca. Gjatë prezantimit ishin të pranishëm, Kryetari i Bashkisë Pukë Beqir Arifaj, Nënprefekti Marash Kola dhe drejtuesi i Prokurorisë së këtij rrethi Albert Muça, ndërsa mungonte ish-kryetari Shtjefën Lleshi, i cili u lirua nga detyra disa ditë më parë nga KLD.

Në emër të KLD, zëvendëskryetari Elvis Çefa i kërkoi trupës gjyqësore dhe stafit administrativ të Gjykatës së Pukës të punojnë me përkushtim dhe përgjegjshmëri për t'i provuar komunitetit se drejtësia nuk është ajo e shfaqur në skandalin e transmetuar në televizion.

Në mesazhin e përcjellë, Çefa u kërkoi gjyqtarëve që me punën e tyre t'i tregojnë qytetarëve se në pjesën dërrmuese të rasteve Gjykata nuk funksionon siç iu paraqit opinionit publik nga video e transmetuar.

Ndërkaq, zëvendëskryetari i KLD-së theksoi rëndësinë që ka kthimi i besimit të qytetarëve në Gjykatën e Pukës, ndërsa përsëriti kërkesën e Këshillit për Prokurorinë për të hetuar dhe për të zbardhur sa më shpejt dhe në mënyrë objektive ngjarjen e ndodhur në atë gjykatë.

“Do të ishte skandal i vërtetë dhe e papranueshme nëse gjykata konceptohet si një vend ku shkohet për të paguar. Trupa gjyqësore dhe stafi administrativ i kësaj gjykate ka një barrë të rëndë mbi supe! Ju duhet të punoni fort dhe me shumë përkushtim dhe të bindni qytetarët këtu se drejtësia nuk është ajo që ata parë në skandalin e transmetuar në televizion. Kam bindjen se gjyqtarët nën drejtimin e kryetarit të ri, i cili gëzon besimin unanim të KLD, do të dinë që me punën e tyre t'i tregojnë komunitetit të Pukës dhe mbarë opinionit publik shqiptar se Gjykata nuk funksionon siç u paraqit nga video e transmetuar. Po kështu edhe Prokuroria duhet të hetojë dhe të zbardhë sa më shpejt dhe në mënyrë objektive ngjarjen e ndodhur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë në mënyrë që përgjegjësit të përballen me ligjin", u shpreh Çefa.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)