“Asnjëherë mos na paragjykoni. Ju lutem, sa më pak barriera dhe na trajtoni me dinjitet, si gjithë njerëzit e tjerë.”

Fati ia ka bërë të pamundur lëvizjen, por nuk ia ka ndaluar pasionet. Ai nuk ka reshtur kurrë së gjeturi mundësi për të mbushur ditën.

Mark Bardhoshi sot jeton në të shumtën e kohës mes katër mureve të banesës, nën kujdesin e bashkëshortes, por sërish ka gjetur një mënyrë që dita e tij të jetë me angazhime.

“Fillimisht çdo gjë, duke e kuptuar se aftësitë fizike të pengojnë studimet, mungesë përqendrimi, vëmendjeje e me radhë, mendova që ka një zgjidhje edhe për këto raste kur ke shumë pak mundësi për të qenë dikush në jetë”, thotë koleksionisti.

Një kostum kombëtar i nënës së tij duket se e zhyti në pasionin e koleksionimit të sendeve të vjetra.

“20 vite më parë kur nëna ime ndërroi jetë ka pasur dy kostume kombëtare. Me njërin e varrosëm sipas traditës, kurse tjetri përfundoi këtu. Nga ai moment e mbrapa kam filluar të merrem seriozisht me objekte antike”, thotë 58-vjeçari.

Në 20 vite ai ka mbledhur qindra të tilla dhe në korridorin e kthyer në muze mund të gjesh nga më të rrallat.

“Është një tjegull e vjetër e kishës së Taboshit, i përket shek.. III-IV pas Krishtit, është ky flamuri i vjetër, më i vjetri i Kabashit, në arkivat e Vatikanit, i përket periudhës 2500 vjet para Krishtit. Kostumi i vjetër i nënës, ka 5 breza që e kemi. Mulliri prej druri, brenda është metalik”, shpjegon ai.

58-vjeçari thotë se koleksionimin tashmë e ka pasion. Jeton i lumtur teksa kalon ditën mes sendeve që ai i konsideron si një copëz të historisë së popullit tonë.

“Edhe brezat që do të vijnë do të kujtojnë se me këto objekte pune, me këto vegla që kemi përdorur, është historia iliro-pellazge-arbërore”, thotë ai.

Në mini-muzeun e tij të koleksioneve mund të gjesh nga pijet e prodhuara prej dhjetëra vitesh, valutat e ndryshme, telefonat e përdorur në Shqipëri gjatë viteve të evoluimit teknologjik, orenditë, e deri tek zejet e përdorura ndër shekuj.

Nuk e ka dashur kurrë mëshirën, ka luftuar gjithnjë që të jetë shembull edhe për bashkëvuajtësit, duke u dëshmuar se edhe ata mund të jenë të dobishëm.

“Personat me aftësi të kufizuara nuk janë thjesht krijesa me aftësi të kufizuara. Janë njerëz që kanë dinjitet, mund të bëjnë edhe diçka të bukur si çdo njeri tjetër. Çdokush ka mundësinë të bëjë diçka pozitive me apo pa aftësi të kufizara”, përfundon koleksionisti.