Pulë me birrë dhe speca

Përbërësit:

  • 1 pulë e ndarë në copa
  • 1 spec i kuq
  • 1 spec i verdhë
  • 1 spec jeshil
  • 250 gr kërpudha të freskëta
  • 3 qepë të thata
  • 1/3 filxhan çaji vaj ulliri
  • 330 ml birrë (1 gotë e madhe)
  • 4–5 domate të freskëta ose salcë pure
  • 120 ml lëng domate
  • 1 lugë çaji sheqer
  • 4 gjethe dafine
  • Kripë, piper i zi i freskët

Përgatitja:

Në një tenxhere të gjerë ngrohim gjysmën e vajit në nxehtësi mesatare në të fortë. Hedhim copat e pulës dhe i skuqim derisa të marrin ngjyrë të artë nga çdo anë. I heqim mënjanë. Në të njëjtën tenxhere shtojmë vajin e mbetur, hedhim qepët (2 të grira dhe 1 në feta) dhe tre llojet e specave prerë në shirita. I lëmë të zbuten pak dhe të shkëlqejnë, më pas shtojmë kërpudhat dhe vazhdojmë kaurdisjen edhe 2–3 minuta. Rikthejmë pulën në tenxhere duke e futur mes perimeve. Shtojmë sheqerin, dafinën, kripën dhe piperin. E përziejmë lehtë dhe e shuajmë me birrë. Sapo të avullojë alkooli shtojmë domatet e grira dhe lëngun e domates. Kur të marrë valë, ulim nxehtësinë, e mbulojmë me kapak dhe e lëmë të gatuhet për 45–60 minuta, derisa pula të zbutet dhe salca të lidhet. Nëse thahet shpejt, shtojmë pak ujë të nxehtë. Nëse dëshirojmë salcë më të trashë e lëmë 5–10 minuta pa kapak në fund.