Pulovra e larë me gjak dhe violina e Qemal Stafës

Pulovra e larë me gjak dhe violina e Qemal Stafës

Qemal Stafa

Kjo është pulovra orgjinale e larë me gjak që Qemal Stafa mbante në trup në momentin kur u qëllua për vdekje të martën e 5 majit të vitit 1942 në orën 09.35 në Tiranë.

Pak më tutje dallohet violina që ai e kishte mësuar të luante që fëmijë. Më tej, pasaporta dhe disa libra, mes të cilëve shquhet “Historia e Materializmit”.

Unë e kam trajtuar gjerësisht këtë ngjarje si një nga vrasjet më të rënda në librin tim “100 vrasjet më të bujshme në historinë e Shtetit shqiptar”, botuar në vitin 2017.

E megjithatë ende vijoj të kem pikëpyetje për Qemal Stafën, si një figurë me dimension të çuditshëm, nga një intelektual dhe formim ekselent në një komunist të vendosur.

Kurrë nuk e kam kuptuar këtë idealist tipik të një kohe anormale që si shumë djem e vajza lanë studimet jashtë Shqipërisë dhe erdhën këtu të luftonin fashizmin nën frymën e patriotizmit. Nuk e kuptoj ende se çfarë idealizmi ekstrem e shtyu këtë djalë në moshë aq të re të bëhej pjesë e lëvizjes komuniste.

Ishte 22 vjeç, 1 muaj e 15 ditë dhe i rrethuar nga 200 karabinierë dhe pas 4 orë i rrethuar e shndërroi bazën e tij në një kështjellë të vërtetë dhe veten në një hero që Tiranë dhe Shqipëria nuk ishte parë deri në atë kohë.

Nuk e kuptoj ende se si një intelektual me syze nuk u dorëzua i gjallë por luftoi me pistoletë dhe granata si të ishte një guerrilas profesionist.

Nuk e kuptoj ende muzikantin që la violinën dhe harkun për të luajtur tingujt e luftës dhe me këto tinguj vdiq. Nuk e kuptoj ende nëse Qemal Stafa ishte vërtetë një komunist, apo një idealist ekstrem që vërtetë besonte se rinia shqiptare mund të luftonte ndaj ushtrisë italiane që kishte pushtuar Shqipërinë.

Nuk e kuptoj ende se si fjalët e tij të fundit ishin “Rroftë Shqipëria e lirë” dhe të paktën sipas traktit që shpërndau Partia Komuniste nga goja e tij kanë dalë edhe thirrje të tjera si “Rroftë komunizmi dhe shoku Stalin”!

Këtë trakt unë e disponoj në orgjinal dhe pasi e kam lexuar me dhjetra herë nuk arrij ta deshifroj nëse ato fjalë i ka thënë vërtëtë Qemali apo jo.

Nuk e kuptoj ende se si 6 dëshmitarët dhe ata që ishin me Qemalin në atë ndërtesë të mallkuar të marrë me qira vuajtën dhe vdiqën në rrethana misterioze.

Lista mund të vijojë më, por ama një gjë e kuptoj mirë. Ai djal i ri, për lirinë e Shqipërisë dhe idealizmin e asaj epoke ishte një meteor që u shua pikërisht kur ndriçoi më shumë.

Dhe po si meteor mbeti si një kujtim ndriçues për brezin e vet, por edhe për brezat pasadhës. Mjafton të shikosh këtë pulovër të larë me gjak për të kuptuar. Dhe sigurisht edhe violina aty. Të dyja flasin shumë.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare