Punë që mbeten në zemër/Evis Cerga takon ish-kuzhinieren e klubit sportiv Partizani, "Vjollca, një “lule” që nuk u hap"

Me emrin Vjollca, përfytyrimi më sjell një vajzë bjonde, me sy bojëqielli, hipur mbi një bicikletë. Vitet 70-80. Vjollca nisi të punonte në “Shtëpinë Qendrore” në kohën kur Ministër i Mbrojtjes ishte Beqir Balluku dhe Drejtor i Shtëpisë Qendrore, Piro Lena.

“Atëherë isha gjashtëmbëdhjetë vjec. Kisha rezultate shumë të mira, por shkollën nuk e vazhdoja dot. Ishim të varfër dhe mua më duhej të gjeja një punë“.

E pyes: Kush ta gjeti punën?

- Lagjia. Atëherë ashtu ishte. Nisa punën, fillimisht si kamariere. Isha vajzë shumë e turpshme. Më kujtohet mësuese Terezina Greva, e shoqja e profesor Astritit, e cila kur më shihte që fshihesha nga turpi më tha: Mos ki turp! Puna është nder. E megjithatë unë nuk mundesha ta bëja punën e kamarieres. Shikoja gratë dhe vajzat që punonin në kuzhinë dhe gjithmonë u thosha: Lum si ju që nuk ju sheh njeri. Sa dua të punoj edhe unë brenda.

Nuk rresht së përmendur emrin e Piro Lenës, si emrin e një “dishepulli” që i ka rrënjosur detyrën për tu vënë në shërbim të popullit, në shërbim të të tjerëve. Por koha e saj në shtëpinë qendrore qe e shkurtër, pasi nisi të punonte në Klubin “Partizani”.

“Me paratë e para që mora nga rroga blemë jorganë. Ishin shumë të varfër.”

Si një refren që përsëritet në cdo strofe të një vjershe shumë të shkurtër kupton se Vjollca do të flasë pak, fare pak, sidomos për veten.

“Atëherë kishte “grumbullime” dhe mblidheshin në Klubin tonë sportistë të të gjitha mjeshtrive, futbolli, basketbolli, volejbolli, ciklizmi, aplinizimi. Ishin kohë të tjera, sidomos për vajzat, të cilat shpesh vinin të shoqëruara nga familjarët. Kujtoj në vecanti profesor Astritin (Greva), i cili ishte shumë i kujdesshëm me to. Ka pasur plot aktivitete, por detyra jonë ishte tu shërbenim me gatimet tona sa më mirë që edhe ata të arrinin rezultate sa më të larta”.

Vjollca duket se ka mall për atë kohë kur “grumbullimet” ishin ato që mbanin gjallë pulsin e sportit dhe të tifozëve apo amatorëve të sporteve të cilat në parulla e pankarta kërkohej “Të bëheshin masive”.

Vjollca shërbeu në kuzhinën e Klubit “Partizani” mbi 35 vjet, për të cilat ajo nuk shprehet me shumë fjalë, por janë ndoshta të vetmet momente kur sytë e saj marrin një tjetër dritë. Ndoshta dikush që e njeh Vjollcën mund ta plotësojë këtë histori të një gruaje të “fshehur” brenda Tiranës. Historia e Vjollcës, kuzhinieres që e njoha rastësisht në Mencën e Shtypshkronjës ku “gatuhet” libri im i ri do të mbetet për mua si historia e një luleje që nuk celet, sepse qëndron bukur, ashtu sic është, në hije.

a.m./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rama lë Vlorën pas 8 vitesh dhe zgjedh të jetë deputet i Durrësit, a ka bërë kryeministri zgjedhjen e duhur?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Euro 2020/ Belgjika nuk di të tolerojë! Danimarka kualifikohet në frymën e fundit, shkatërron Rusinë! Në 1/8 edhe Zvicra