'Vera me Mollasin të mos presë'

'Vera me Mollasin të mos presë'

Evis Cerga

Ishte viti 1982. Atëherë unë isha vetëm dhjetë vjeç. Vetëm se një batutë e mbaj mend fort mirë. “Vera me Mollasin të mos presë. Personi nuk është paraqitur.”

Tani, vite më pas, kur dua të kujtoj apo më saktë të sjell ndër mend se si ka qenë lagjja ime shoh filmin “Njeriu i mirë“. Plot skena nga ai film janë xhiruar përreth pallatit dhe lagjes ku jam rritur. Por qëllimi i këtij shkrimi në fakt është tjetër. Dua të kujtoj aktoren. Eva Alikajn. E kam pasur edhe atë fqinje. Si shumë prej nesh që jetuam në Tiranë dhe në mos në një lagje, në një tjetër disi do të njiheshe.

Eva përfaqësonte për mua vajzën që bëhej dalëngadalë grua. Vajzën që e “gjuanin” plot meshkuj. Vajza që shpesh dështonte në dashuri, për të “triumfuar” mes historirave të jetës tipike të qyteteve tona në vitet përpara vitit të shënjuar 1991. E shihja nëpër filma dhe mendoja me vete lum si ajo! është e famshme.

E njohin të gjithë. Dëshira ime për tu bërë aktore ndoshta fshihej mes personazheve si Vera. E imagjinoja veten të dashuruar me një djalë që do ta emëronin diku në një qytet apo fshat dhe imagjinoja sesi do të ishte takimi me të. A do ta shkoja edhe unë në fshat? Apo atë do ta kthenin si Telon, drejtor në ndonjë ndërmarrje në qytet. Viti 1991 i ndërpreu fantazitë e kësaj natyre.

Por kur pas shumë vitesh zbulova filmin “Jeta në duart e tjetrit”, aty njoha Anën. Një film tjetër, ku Eva Alikaj luan bashkë me aktorin Bujar Asqeriu, i cili më parë kishte luajtur rolin e Telos. Dhe hapet filmi me një Eva, që zbret nga motori, mes rrugëve me zhavorr, përmes një fshati drejt një qyteti, lokalitet dhe zë fill një tjetër histori “në duart e tjetrit”.

Eva Alikaj gjithmonë e vendosur “në cep” nga fati, familja, shoqëria gjithmonë ia del mbanë. Me një fytyrë të bukur, me një lojë të ndjerë, gati-gati më dukej si pjesëtare e familjes.

Në filmin “Jeta në duart e tjetrit”, Ana (Eva Alikaj) është një mësuese lokaliteti, e fejuar me një personazh që është dika midis një punonjësi të bujqësisë dhe një hici që e përdor atë si arrivist për të ardhur në qytet. Anën sigurisht e pëlqejnë të gjithë, sidomos Spirua, i cili madje pretendon se fytyrën e saj e ka parë edhe në Paris.

Batuta që më pëlqen më shumë nga ky film është : “Edhe një çokollatë për krem karamelin”. Që të shpjegosh Evën duhet të njohësh filmat shqiptarë, kinematografinë që na njohu me “njeriun e mirë“, me njerëzit që ta kishin “jetën në dorë“, me jetën në qyteza dhe me natyrshmërinë e ngjarjeve që kërkojnë kohë për tu shpjeguar.

Elsaaa! Menjëherë më del përpara teatri “Pallati 176”, ku krahas lojës së mrekullueshme të Roland Trebickës (i cili mbeti në historinë e teatrit me nofkën Jovan Bregu) bën përshtypje loja pa sforco e Eva Alikajt. Elsa, një vajzë e re, studente që dashurohet me fqinjin e saj, punëtor dhe “pa të ardhme” sipas prindërve të saj.

Më kujtohet si sot si dhe sa herë u mbush salla e Teatrit Popullor (ashtu quhej atëherë) me të rinj që kërkonin të njehsoheshin me Elsën dhe Fredin. Më kujtohet kur shkuam si shkollë (te “Gjuhët e Huaja”) ta shihnim atë shfaqje. Pas shfaqjes të gjitha vajzat dëshironin të kapnin flokët si Elsa (që kur del “dritë bëhet pallati, që ju bëftë mamaja”) dhe ato që dashuronin djem si puna e Fredit morën “krahë“ se tashmë e kishin një model të ndryshëm.

Por përveç këtyre roleve, dëshiroj të vecoj lojën e saj në filmin “Treni niset në shtatë pa pesë“, “Stolat në park”, “Hije që mbeten pas” dhe po ashtu lojën në filmin “Amaneti” (film ky i kohëve të fundit).

I shkruaj këto radhë pa përmendur pjesën e jetës së saj, pas viteve 90-të për të cilën më mungon informacioni. Por shkruaj që ta kujtoj Evën, sepse Eva ishte për mua aktorja që dëshiroja të bëhesha, studentja që doja të isha, vajza e njohur e qytetit me shumë personazhe. Përpara viteve 90-të, ne jetonim me një botë që na përcillej, mirë apo keq, përmes filmit dhe aktorët e filmave ishin për ne personazhet më të famshëm.

Por në fakt, në jetë ashtu si në film ndodh që “Vera me Mollasin të mos presë. Personi nuk është paraqitur”. Eva Alikaj, po t’i lexosh këto rradhë, dije se ke mironjohjen pafund të së paku një qytetareje në Tiranë.

Ora 17:12
'Vera me Mollasin të mos presë'
1/4
  • /xy/Shqiptarja.com
    Komento

    KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

    Komente

    • Po sot si duhet te jete dashnori?: 26/04/2020 12:13

      Si Xeni i Saliut,qe te kete pare,benz dhe vile apo vila. Harrojeni Veren nga Mollasi...

      Përgjigju
    • tironci: 25/04/2020 18:51

      Sa bukur!

      Përgjigju
    • rezi: 25/04/2020 17:39

      Një shkrim që të fut në mendime...shkruar shumë bukur përmes batutave të filmave. Fundja pasqyronin jetën që bënim, nuk ishin të gjitha propogandë sic duan ta paraqesin, kishte vërtetësi në to, fundja pjesa më e madhe luhej aty ku jetonim, e ke përshkruar shumë bukur, në lagje, tek shkolla, me njerëz të tjeshtë që nuk ështe se merrnin honorar se bëheshin pjesë e një filmi apo dokumentari. Para ca vitesh këtu në emigracion, po shihja me fëmijët e mi filmin "Duaje emrin tënd". Diku në një sekuencë më pyesin: pse mami kishte të tilla trena në Shqipëri? Ishte treni me kabina që bënte rrugën Tiranë- Elbasan. Sigurisht që kishte, i them. Si mund ti spjegosh fëmijëve të lindur pas 90-ës se pse trena të tillë nuk ka më në Shqipëri? Kujt i prishi punë hekurudha? Kur po të lexoja shkrimin, mu kujtua një dialog me kompozitorin e njohur Aleksandër Lalon. Pse nuk shkruan muzikë Sandër? e pyetëm në një bisedë të thjeshtë në lagje, kur po pinim kafe tek rruga Mihal Grameno. Ishte viti 2000. Dihet që ai është kompozitori i shumë këngëve e filmave shqiptarë që kanë ngelur në kujtesën e shumë shqiptarëve. Nuk kam motiv-më tha, më mungon motivi. Prandaj që të bëhen filma e muzikë e bukur, jeta është ajo që frymëzon, dhimbja dhe gëzimi. Eva Alikaj frymëzon sa herë ta shohësh edhe për faktin se ajo mbeti njeri, artiste me këmbë në tokë, personazhet e të cilës nuk vdesin kurrë.

      Përgjigju
    • Sondazhi i ditës:
      27 Nëntor, 11:43

      Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



    ×

    Lajmi i fundit

    Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

    Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille