'Punësim pa produktivitet'! Raporti i INSTAT: Prodhimi për punonjës pësoi rënie, ja sa ishte në vitin 2019

'Punësim pa produktivitet'! Raporti i INSTAT: Prodhimi për punonjës pësoi rënie, ja sa ishte në vitin 2019

Foto ilustruese

Numri i të punësuarve u rrit më tej në vitin 2019, por shtimi i tyre të paktën sipas statistikave zyrtare nuk u shoqërua me rritjen e prodhimit për punonjës. Ecuria tregon se, rritja e numrit të të punësuarve nuk e ka rritur produktivitetin në ekonomi dhe për rrjedhojë, edhe të ardhurat e tyre, sipas të dhënave INSTAT të azhurnuara në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve më 2019.

Prodhimi për të punësuar shënoi 2673 mijë lekë më 2019, nga 2698 mijë lekë më 2018 duke shënuar rënie me një rënie gati 1%. Në ndërmarrjet ekonomike aktive në vitin 2019 janë punësuar 530.853 persona, rreth 15 mijë të punësuar më shumë, ose 3% rritje në raport me vitin 2018.

Ekspertët dhe institucionet financiare ndërkombëtare analizojnë se produktiviteti i punës ka rënë në Shqipëri për dy arsye kryesore. E para, shumica e vendeve të reja të punës nuk janë hapur rishtas, por janë formalizuar, për rrjedhojë nuk kanë se si të ndikojnë në prodhim. E dyta, stoku i ri i punësimit më 2019 ka ndodhur në sektorë me vlerë të ulët pagese.

Më parë, Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare vuri në dukje se, vëllimet e produktivitetit të punës ndryshuan në Shqipëri dhe të gjithë rajonin me tendencë rënie. Përjashtim bëri vetëm Bosnja, e cila tregoi një rritje të jashtëzakonshme 5.2%. Të gjitha vendet e tjera të rajonit raportuan  ngadalësim, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi raportuan rënie të fortë të produktivitetit në vitin 2019.

Në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor punësimi u rrit më shumë se rritja ekonomike, për pasojë të punësuarit ndajnë më pak fitime nga puna gjatë vitit të kaluar. Ekspertët vlerësojnë se në afat të mesëm dhe të gjatë, produktiviteti i punës në Shqipëri dhe në Ballkan do të cenohet nga zhvillimet demografike dhe cilësia e ulët arsimore.

Popullsia në moshë pune (15-64 vjeç) vazhdoi të zvogëlohej në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, një prirje e nxitur nga plakja e popullsisë dhe rritja e vazhdueshme e emigrimit.

Që nga viti 2012, popullsia në moshë pune në vendet e Ballkanit Perëndimor ra me rreth 762,000, ose 6 për qind. Bosnja dhe Hercegovina është prekur më së shumti, duke raportuar rënie prej më shumë se 20%, e ndjekur nga Serbia (-10%), Shqipëria (-8.8%), Mali i Zi (-3.1%) dhe Maqedonia e Veriut (-1.4%). I vetmi vend që raportoi rritje të konsiderueshme ishte Kosova (me 5%).

Zhvillimet demografike po ushtrojnë presion mbi modelet ekonomike të rajonit. Ekspertët e Vjenës bëjnë thirrje se Shqipëria dhe Ballkani duhet të rrisin aftësitë mësimore si baza për t’u orientuar drejt ekonomisë së inovacionit.

Në ndërmarrjet ekonomike aktive gjatë vitit 2019, janë punësuar 530.853 persona. Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar kanë 41,4% të numrit gjithsej të të punësuarve, të cilët realizuan 46,8% të shitjeve neto dhe 55,8% të investimeve edhe pse përbëjnë vetëm 1,4% të ndërmarrjeve aktive./Monitor

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?