Punësimet, bashkitë me rekorde
shkeljesh, shkëlqejnë ministritë

Punësimet, bashkitë me rekorde<br />shkeljesh, shkëlqejnë ministritë
Viti 2016 ka shënuar rekorde shkeljesh punësimesh të kundraligjshme në administratën publike nga pushteti vendor, teksa ministritë kanë marrë nota maksimale në frymën e respektimit të ligjit për rekrutimet në shërbimin civil. 

Të dhënat saktësohen nga Komisioneri për Shërbimin Civil, Pranvera Strakosha, e cila ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë raportin vjetor të monitorimit të vitit 2016, të  cilin Shqiptarja.com disponon.

Rekrutimet
Sipas këtij raporti,  “Sipas të dhënave të grumbulluara gjatë mbikëqyrjes, rezulton se nga 2160 pozicione pune pjesë e shërbimit civil, të verifikuara, 299 prej tyre, që përbëjnë 14% të numrit të përgjithshëm, janë plotësuar në kundërshtim me ligjin, pa procedura konkurrimi dhe pjesa më e madhe (283 raste) janë konstatuar në institucionet e administratës vendore. 

Numri më i madh i rasteve të emërimeve në kundërshtim me ligjin, paraqitet në institucionet e administratës vendore, 283 raste, ose 95% të rasteve të konstatuara. Edhe pse ligji aktual për nëpunësin civil e konsideron si absolutisht të pavlefshëm aktin e emërimit, pa kryer më parë procedurat e konkurrimit, situata e konstatuar paraqitet problematike. 

Në krahasim me një vit më parë, kur institucionet e mbikëqyrura nga administrata shtetërore nuk kishin asnjë rast të tillë, këtë vit konstatohet një rritje me 16 raste, të cilat i përkasin të gjitha institucioneve të varësisë. Kjo situatë duhet të mbahet në vëmendjen e Departamentit të Administratës Publike, që të kontrollojë nga afër zhvillimet në këto institucione, duke mos lejuar emërime pa pëlqimin e tij, në kundërshtim me ligjin, nga titullarët e këtyre subjekteve. 

Në të njëjtin trend paraqitet ky moment i zbatimit të ligjit, edhe sipas raportimit të institucioneve, pas kërkesës së Komisionerit, për të informuar në lidhje me administrimin e shërbimit civil, e konkretisht, në këtë rast, për marrëdhëniet e punës të lidhura në kundërshtim me ligjin”,-thuhet në raportin e Komisionerit të Shërbimit Civil. 

Sipas po të njëjtit dokument, nga 138 institucione rezulton se janë raportuar 845 kontrata të lidhura gjatë vitit 2016, nga të cilat 114 kontrata janë ndërprerë dhe aktualisht mbeten 731 emërime të përkohëshme, në kundërshtim me ligjin, nga të cilat: 63 raste janë aplikuar në institucionet e administratës shtetërore, në institucionet e varësisë; 19 raste, janë aplikuar në  institucionet e pavarura; 649 raste, janë aplikuar në institucionet e administratës vendore, nga të cilat 639 raste në 46 bashki, dhe 10 raste të shpërndara në 7 këshillat e qarkut.

Bashkitë
“Në fillimin e vitit 2016, një sërë institucionesh, të kategorisë së njësive të qeverisjes vendore, raportuan një numër relativisht të madh të pozicioneve të punës, të plotësuara në kundërshtim me ligjin, nëpërmjet emërimeve të përkohshme. Bëhet fjalë për 9 njësi të qeverisjes vendore (bashki), të cilat po i rendisim në tabelën më poshtë, duke evidentuar edhe numrin konkret të pozicioneve të punës të plotësuara në kundërshtim me ligjin. Në përfundim të verifikimit, përveç shkeljes që ishte evidente në momentin e fillimit të procesit (emërime në kundërshtim me ligjin), e cila u bë shkak për fillimin e verifikimit, u konstatuan edhe parregullsi të tjera të natyrave të ndryshme, që kanë ndikuar në krijimin e kësaj situate problematike. Në mbikëqyrjet e organizuara në këto institucione, u konstatua se në 135 raste, emërimet nuk janë kryer sipas një procedure konkurrimi të hapur, e cila është e vetmja mënyrë për të  plotësuar pozicionet e punës pjesë të shërbimit civil, apo nëpërmjet lëvizjes paralele e ngritjes në detyrë, në rastet e pozicioneve të punës, në nivelin e ulët e të mesëm drejtues (“Përgjegjës sektori” dhe “Drejtor drejtorie”)”,-thuhet në raportin e Komisionerit të Shërbimit Civil.

Ministritë
Gjatë vitit 2016, nga Komisioneri konkretisht, janë mbikëqyrur: a) Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe 17 institucionet në varësi të saj, ndër të cilat 13 drejtoritë rajonale të bujqësisë dhe 4 institucione të ndryshme, si dhe b) Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet e varësisë, midis të cilave 12 Prefekturat e Qarkut dhe 3 institucione të ndryshme. Në këto institucione është verifikuar administrimi i shërbimit civil për 1540 nëpunës civilë. “Në këtë moment, Komisioneri vlerëson nivelin e lartë të zbatimit të ligjit, në rastin e ministrive të linjës (Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme në qendër), ku janë verifikuar procedura specifike të realizuara pothuajse për të gjitha institutet e ligjit, për 196 pozicione pune ku kryejnë detyrat nëpunës civilë. Departamenti i Administratës Publike, si dhe njësitë e burimeve njerëzore, në këto institucione, të cilat zbatojnë në praktikë orientimet e njësisë përgjegjëse, si dhe kryejnë detyra specifike të ngarkuara me ligj, kanë kryer një punë të lavdërueshme”,-thotë raporti i Komisionerit për Shërbimit Civil.
 
Në bashki
“Në mbikëqyrjet e organizuara në këto institucione, u konstatua se në 135 raste, emërimet nuk janë kryer sipas një procedure konkurrimi të hapur, e cila është e vetmja mënyrë për të  plotësuar pozicionet e punës pjesë të shërbimit civil.”
 
Në ministri
“Departamenti i Administratës Publike, si dhe njësitë e burimeve njerëzore, në këto institucione, të cilat zbatojnë në praktikë orientimet e njësisë përgjegjëse, si dhe kryejnë detyra specifike të ngarkuara me ligj, kanë kryer një punë të lavdërueshme”.

Nr. Institucioni Rastet e emërimeve në kundërshtim me ligjin
1. Bashkia Tepelenë 3
2. Bashkia Libohovë 7
3. Bashkia Kurbin    30
4. Bashkia Mallakastër 44
5. Bashkia Përmet    22
6. Bashkia Dibër     3
7. Bashkia Bulqizë   3
8. Bashkia Mat       4
9. Bashkia Klos            19

Totali               135 raste

Redaksia Online
XH.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)