Kamala Harris pranon kandidaturën në Konventë: Do jem presidente e të gjithë amerikanëve! Sulmon Trump: S’do jem kurrë aleate e diktatorëve si ai

Kamala Harris pranon kandidaturën në Konventë: Do jem presidente e të gjithë amerikanëve! Sulmon Trump: S’do jem kurrë aleate e diktatorëve si ai

Kamala Harris

"Le të fillojmë punën! Të dalim dhe të shkruajmë një kapitull të ri të historisë së jashtëzakonshme të Amerikës". Kamala Harris ngjitet në skenën e ditës së fundit të Konventës së Çikagos dhe pritet me ovacione. Mendimi i saj i parë është për burrin e saj, të cilit i dërgon urimet për përvjetorin e martesës që përkoi pikërisht me ditën kur mbajti fjalimin në Konventë. Më pas falenderon presidentin Biden: "Rekordi yt si president është i jashtëzakonshëm. Unë dhe Doug do të jemi gjithmonë mirënjohës ndaj teje", tha ajo.

Dëshiron të jetë "presidente e të gjithë amerikanëve. Një presidente që udhëheq dhe dëgjon. Realiste. Praktike. Me mendje të shëndoshë. Dhe që gjithmonë lufton për popullin amerikan. Nga gjykata deri në Shtëpinë e Bardhë, kjo ka qenë puna e jetës sime". Këto janë fjalët që Kamala Harris shqiptoi në fjalimin e saj të pranimit të kandidaturës për presidente të SHBA.

"Ne e dimë që një klasë e mesme e fortë ka qenë gjithmonë themeli për suksesin e Amerikës. Dhe ndërtimi i asaj klase të mesme do të jetë një qëllim vendimtar i presidencës sime. Është një çështje personale për mua. Unë vij pikërisht nga ajo klasë e mesme", thekson Harris.

Në Amerikë gjithçka është e mundur

"Të dashur amerikanë, e dua vendin tonë me gjithë zemrën time. Kudo që shkoj, me këdo që takoj, shoh një komb të gatshëm për të ecur përpara. Të gatshëm për hapin e radhës, në udhëtimin e pabesueshëm që është Amerika", thekson Harris. "Shoh një Amerikë ku ne kapemi fort pas besimit të guximshëm që ndërtoi kombin tonë. Që ka frymëzuar botën. Që këtu, në këtë vend, gjithçka është e mundur. Asgjë nuk është e paarritshme ", deklaroi kandidatja demokrate.

Kujtimi i nënës

Nënpresidentja nënvizon vështirësinë e sfidës që e pret: "Amerikë, rruga që më ka çuar këtu në javët e fundit ka qenë pa dyshim e papritur. Por nuk jam e huaj për udhëtime të pamundura", thotë ajo drejtuar demokratëve. "Nëna ime Shyamala Harris e pati një të tillë. Më mungon çdo ditë, sidomos tani. Dhe e di që sonte ajo më shikon nga lart dhe buzëqesh", deklaron kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë. "Nëna ime ishte 19 vjeç kur udhëtoi vetëm përtej botës, nga India në Kaliforni, me një ëndërr të palëkundur për t'u bërë shkencëtarja që do të shëronte kancerin e gjirit". Dhe, vazhdon Harris, "Ishte kryesisht nëna ime ajo që na rriti. Para se të mund të përballonte më në fund blerjen e një shtëpie, ajo me qira një apartament të vogël në East Bay. Në Gjirin e San Franciskos, ose jeton në kodra, ose në fushë. Ne jetonim në fushë, një lagje e bukur e mbushur punëtorë, me zjarrfikës, infermierë dhe punëtorë ndërtimi."

Zgjedhja e Kamalës

Kandidatja për Shtëpinë e Bardhë shpjegon se nga ka lindur dëshira e saj për t'u shërbyer të tjerëve: "Kur isha në gjimnaz, fillova të vërej diçka tek shoqja ime më e mirë, Wanda. Ajo ishte e trishtuar në shkollë. Dhe kishte momente kur nuk dëshironte të kthehej në shtëpi. Kështu që një ditë e pyeta nëse gjithçka ishte në rregull. Ajo më rrëfeu se po përjetonte abuzim seksual nga njerku i saj. Dhe menjëherë i thashë se duhej të vinte të qëndronte me ne. Dhe ajo e bëri". Nga kjo eksperiencë filloi karriera e saj si prokurore: "Kjo është një nga arsyet pse u bëra prokurore. Për të mbrojtur njerëz si Wanda", shprehet kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë. "Gjatë gjithë karrierës sime kam pasur vetëm një klient: popullin", theksoi Harris, duke riafirmuar luftën e saj për mbrojtjen e të drejtave të të gjithëve.

Kërcënimi Trump

"Ne e dimë se si do të ishte një mandat i dytë i Trump. Gjithçka është shpjeguar në "Projektin 2025", thotë Kamala Harris. "Në shumë aspekte, Donald Trump është një njeri jo serioz. Por pasojat e kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë do të ishin jashtëzakonisht të rënda", thekson Harris.

"Merrni parasysh fuqinë që ai do të ketë, veçanërisht pasi Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara sapo ka vendosur që ai do të ishte imun ndaj ndjekjeve penale", thekson në fjalimin e saj kandidatja demokrate. Ajo paralajmëron për rrezikun që Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë: "Trump dëshiron të na kthejë prapa. Amerika, ne nuk do të kthehemi mbrapa", "we are not going back". Ajo sulmon Trumpin; “Në çështjen e abortit, republikanët janë jashtë kontrollit”. Për shkak të zgjedhjeve të Trump dhe Gjykatës së Lartë, "sot në Amerikë shumë gra nuk mund të zgjedhin nëse do të abortojnë apo jo. "Trump ka përzgjedhur me kujdes anëtarët e Gjykatës së Lartë" për të çuar përpara betejën për abortin dhe s'ka përfunduar ende. Ai dhe aleatët e tij duan të ndalojnë totalisht, me ose pa mbështetjen e Kongresit, dhe të detyrojnë shtetet të regjistrojnë abortet dhe ndërprerjet e shtatzënisë".

Ukraina dhe Lindja e Mesme

"Kur të jem presidente, Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë më shumë se kurrë pranë Ukrainës dhe së bashku me NATO-n dhe partnerët tanë evropianë", thotë Harris, duke siguruar: “Nuk do të jem kurrë mike e diktatorëve”.

Sa i përket konfliktit në Lindjen e Mesme, Harris thotë: “Jam për të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, dhe do të sigurohem që të ketë burimet për ta bërë këtë. Tani është koha për një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Unë dhe Biden po punojmë për t'i dhënë fund luftës në mënyrë që Izraeli të jetë i sigurt, vuajtjet në Gaza të përfundojnë dhe palestinezët të mund të realizojnë aspiratën e tyre për vetëvendosje." Ajo shton se ajo që ka ndodhur në Gaza gjatë 10 muajve të fundit është "shkatërruese", me "kaq shumë jetë të pafajshme të humbura".

Harris u bë gruaja e parë me ngjyrë dhe personi i parë me origjinë nga Azia Jugore që pranoi emërimin për presidente, nga një parti e madhe dhe nëse zgjidhet, do të jetë presidentja e parë grua e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shumë prej delegateve gra dhe mbështetëseve të kësaj force politike që merrnin pjesë në Kuvend, ishin veshur me të bardha, ngjyra që simbolizon të drejtën e votës së grave, një lëvizje që kulmoi me sigurimin e së drejtës për të votuar nga gratë amerikane, në vitin 1920.

Përpara fjalimit të Harris kuvendi u përfshi nga një atmosferë festive mbushur me fjalime në mbështetje të saj. Në skenë u ngjitën edhe dy nga mbesat e vogla të nënpresidentes, të cilat u sollën aty nga aktorja Kerry Washington, për t'i kujtuar të pranishmëve në Kuvend, por dhe audiencës se si shqiptohet saktë emri i Harris.

Megjithë rolin e saj si nënpresidente, Harris ka kaluar katër vjet nën hijen e Presidentit Biden, duke i lënë një pjesë të amerikanë të paqartë mbi historinë e saj personale dhe vizionin e saj politik për vendin. Nga ana tjetër republikanët e kanë akuzuar zonjën Harris si "komuniste" dhe "liberale të rrezikshme".

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarjet e fundit në vend ju shqetësojnë për nivelin e sigurisë?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Nga titullar në fushë të hënën te sherri mes të ‘fortëve’ për gërvishtjen e makinës, shpallet në kërkim futbollisti i Laçit

FOTO/ Nga titullar në fushë të hënën te sherri mes të ‘fortëve’ për gërvishtjen e makinës, shpallet në kërkim futbollisti i Laçit