Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, i është kundërpërgjigjur Drejtuesit Politik të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, pasi ky i fundit kritikoi nisjen e punimeve në bulevardin kryesor të qytetit në kulmin e sezonit turistik.

Qosja tha se bizneset, për të cilat Balla shprehet i shqetësuar, e kanë mbështetur ndërhyrjen dhe se qytetarët kanë kërkuar prej kohësh zëvendësimin e pllakave ekzistuese.

"Të gjitha atyre bizneseve që Taulanti u qan hallin, të cilët më kanë marrë në telefon dhe më kanë kontaktuar, më kanë thënë: 'Kryetar, ato duhet të ndërrohen'. Çdo qytetar që kalon aty më ka thënë se ato pllaka duhet të hiqen dhe të ndërrohen. Bëmë veprimin e duhur që i hoqëm ato pllaka për ta kthyer bulevardin në një rrugë me asfalt cilësor, me sinjalistikë europiane, siç e meriton qyteti i Kavajës. Do t'i ndryshohet komplet faqja asaj zone", u shpreh ai.

Kryebashkiaku demokrat i bëri thirrje Ballës të mos merret me punët e bashkisë, por të fokusohet te problematikat që, sipas tij, janë përgjegjësi e qeverisë.

"Unë i them Taulantit të mos shqetësohet për punët e bashkisë. Duhet të shqetësohet për punët e qeverisë, sepse Kavajës ia keni hequr të gjitha. Për atë turizmin që thua se është i mrekullueshëm, sot zona e plazhit nuk ka ujëra të zeza. Ka 12 vjet që qeveria nuk ndërton rrjetin e ujërave të zeza në zonën e plazhit. Duhet të shqetësohesh që sot Kavaja nuk ka ujësjellësin, nuk ka Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, nuk ka gjykatë dhe nuk ka prokurori", deklaroi Qosja.


Lajmi kryesor:

Balla: Kryetari në ikje Qosja po i vë kazmën qendrës së Kavajës në kulmin e sezonit turistik