Ndërtimi i rrjetit të gazsjellësit TAP vijon me ritme të larta edhe në territorin shqiptar. Ai përshkon një pjesë të mirë të tokës shqiptare nga Devolli e deri në Fier ku do jetë venddepozitimi i gazit i cili do të vijë nga Azerbajxhani. 

Në Shqipëri do të investohen afërsisht 1.5 miliard euro, që përfshin kostot e tubave, kompresorëve dhe gjithë pajisjeve e makinerive të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit. Ndërkohë, mësohet se në territorin shqiptar, deri në muajin dhjetor 2017, kanë përfunduar 75% e volumit të punimeve të fazës së dytë të TAP-it fazë e cila parashikon rehabilitimin e rreth 137 km rrugë, do të kryhet nga AlbStar, një kontraktor vendas i kontraktorit të TAP, Spiecapag.

100% e punimeve të fazës së parë të Rrugëve dhe Urave Ndihmëse kanë përfunduar. Janë rindërtuar rreth 58 km rrugë, janë ndërtuar 2 ura të reja dhe janë rehabilituar 40 ura ekzistuese.  

punimet
(Ecuria e punimeve për TAP deri në dhjetor 2017)

Kronologjia e pumeve të TAP në Shqipëri:

• Maj 2016 – filloi ndërtimi i tubacionit dhe instalimeve mbi tokë 
• Dimër 2018/ fillimi i 2019 – fillimi i ndërtimeve në pjesën detare të gazsjellësit
• 2019 (në fund të vitit)– përfundon ndërtimi dhe kryhen testimet
• 2020 – gazi i parë mbërrin në Evropë, TAP nis veprimtarinë
• Aktualisht, më shumë se 2’200 persona punojnë për projektin TAP në Shqipëri. 
• Rreth 84% e punonjësve janë shqiptarë.

Korridori Jugor i Gazit (SGC) është një nga rrjetet më komplekse në fushën e gazit që po zhvillohet në botë. Ky korridor synon që për herë të parë të sjellë burimet kaspike në tregjet energjetike evropiane. Gazi natyror nga fusha e Shah Deniz do të udhëtojë 3’500 km nga Deti Kaspik deri në Evropë. Kjo kërkon përmirësimin e një pjese të infrastrukturës ekzistuese dhe zhvillimin e një rrjeti me gazsjellës të rinj. 

• Zhvillimi i Shah Deniz II, shpimi i puseve dhe prodhimi i gazit në ujëra të hapura në Detin Kaspik
• Zgjerimi i impiantit të përpunimit të gazit natyror në Terminalin e Sangachal-it në brigjet e Detit Kaspik në Azerbajxhan
• Tre projekte për gazsjellës: 
o Gazsjellësi i Kaukazit Jugor (SCPX) – Azerbajxhan, Gjeorgji
o Gazsjellësi Trans Anatolian (TANAP) – Turqi
o Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) – Greqi, Shqipëri, Itali
• Zgjerimi i rrjetit italian të transmetimit të gazit
• Mundësi për lidhje të mëtejshme me rrjete gazi në Evropën Lindore, Qendrore dhe Perëndimore.