Në mesin e mijëra historive të emigrantëve shqiptarë, ajo e Jonika Dhimës nga Saranda, spikat si një rrëfim frymëzues i guximit, punës dhe dashurisë për origjinën.
Ishte vetëm 18 vjeçe kur ajo udhëtoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nuk e mora unë vendimin, e mori mami dhe largimi ishte shumë i vështirë”, thotë Jonika Dhima.
Atë nuk e dinte se çfarë e priste. Ndenja e të panjohurës përzihej me drojen e largimit nga familja.
“Mendo një fëmijë 18 vjeç që gjithmonë ka qenë me familjen, rritur me gjyshin, me gjyshen, me qentë, me macet dhe fluturimi im i parë me ishte pak a shumë i frikshëm. Më kishte vendosur mami 1.000$ të cilat i kisha të qepura në xhep. Vendosja gjithmonë dorën (mbi xhepin) dhe i thoja vetes si do jem. Po flasim për ‘97 kur nuk kishte mundësi njeri të bënte “FACETIME”, kështu që s'e kishe idenë se kur do t'i shikoje familjen”, shprehet ajo.
Ajo kishte marrë pjesë në programin e shkëmbimit të studentëve, ndërsa familja e saj pritëse ishte në Tennessee. Atje u përballë me një realitet krejt ndryshe.
“Një mësuese më mori më një anë dhe më tha: ‘Jonika, kultura është ndryshe, por kjo s’do të thotë që njëra është më e mirë se tjetra’. Atëherë fillova të kuptoja që mund të duash dy kultura njëkohësisht”, nënvizon ajo.
Falë rezultateve të larta në nota ajo fiton bursë për gjysmën e shkollës në universitet. Pikërisht aty takon bashkëshortin e ardhshëm, një amerikan që fliste shtatë gjuhë.
“I thosha, ‘unë flas pesë gjuhë’, dhe ai më tha, ‘unë flas shtatë, por të gjitha janë gjuhë kompjuterike’. Ai ishte programues, lëvizi në Kaliforni dhe unë e ndoqa”, thekson Jonika.
Në vitin 2004, Jonika aplikon për punë në “Google”. Asokohe kompania kishte më pak se 4 mijë punonjës.
“I dërgova një letër Google dhe pyeta nëse kishin ndonjë rol drejtoreshe. Më telefonuan dhe më thanë ‘jo, s’është pozicion drejtori, sepse s’ke eksperiencë, por hajde të shohim’. Dhe ashtu filloi gjithçka”, thotë ajo më tej.
Në Google, Jonika punoi plot 19 vite, ku pati mundësinë të takonte edhe bashkëthemeluesin Larry Page dhe më vonë të punonte me CEO-n aktual, Sundar Pichai.
“I shkruajta Sundarit: ‘Si shqiptarja e parë në Google, dua të them faleminderit për këto 19 vite’. Ai më ktheu përgjigje dhe më tha ‘faleminderit ty’. Dhe ajo fjali më dukej sikur ishte për të gjithë ne, për çdo emigrant që ka ikur me frikë dhe është përpjekur të bëjë diçka”, shtoi Jonika.
Në këtë udhëtim nuk ka qenë vetëm. Edhe motra e saj ka punuar në Google për 14 vite.
“Momenti kur motra më tha ‘jam pranuar në Google’ ka qenë një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Ishte krenari e madhe për familjen tonë”, shprehet ajo.
Por pavarësisht suksesit, ajo kurrë nuk harroi prej nga vinte. Një nga vajzat e saj quhet Saranda, në nder të vendlindjes.
“Nuk dua të harroj kurrë rrënjët. Vajzën e madhe e quajta Saranda. Të dy fëmijët e mi e kuptojnë shumë mirë shqipen, edhe pse babai i tyre është amerikan. Vajza më e madhe madje u bë presidente e shkollës, dhe në fjalimin e saj tha: ‘Zgjidhni mua sepse jam gjysmë amerikane, gjysmë shqiptare dhe flas më shumë se një gjuhë’”, nënvizon ajo.
Sot, Jonika, 46 vjeç, është 'executive coach' dhe themeluese e një biznes që ndihmon drejtues dhe sipërmarrës të rriten profesionalisht.
Komente







Te lumte moj bije te lumte. Je krenari per familjen dhe per te gjithe ne shqiptaret. Nuk e ke patur te lehte por ja ke dale. Je gjak shqiptari qe inteligjencen e ke ne ADN dhe mos dorezimin e ke udheheqje. Te uroj suksese Kujdesu per veten tende. Bej me shume pushime dhe kalo me shume kohe me familjen tende sepse koha fluturon dhe paraja dhe kariera nuk jane gjithcka. Edhe nje here te lumte
PërgjigjuBravo suksese sa me shum
Përgjigju