A e dini çfarë?! U bëra ca kohë që ndjek zhvillimet politike në vend, kjo për shkak të profesionit që në fakt e dua shumë. Fushatat elektorale të zgjedhjeve vendore apo të përgjithshme qofshin, për një gazetar janë momenti më i rëndësishëm, pasi të japin mundësinë të promovohesh por nga ana tjetër të mbushin me trishtim dhe neveri. Pse e them këtë të fundit unë?! Edhe njëherë për shkak të profesionit tim më duhet të ndjek çdo ditë punimet në Kuvendin e Shqipërisë dhe çdo mëngjes rreth orës 9 marr rrugën nga redaksia e televizionit ku punoj në drejtim të  Kryesisë së Kuvendit që gjendet në një nga rrugët më të njohura të kryeqytetit, në hyrje të një zone ku jetojnë njerëz të pasur.

Ajo çka çdo ditë të vitit më është shfaqur përpara syve, edhe kur drejtonin të djathtët edhe tani me të majtët janë turmat e njerëzve hallexhinj që vijnë që në orët e para të mëngjesit dhe presin me orë të tëra para Kryesisë së Kuvendit që të takojnë deputetin e zonës së tyre për t'i qarë hallin ose për t'i kërkuar ndonjë vend pune. Ndërkohë që unë bëhesha gati për t'iu nënshtruar procedurave për të hyrë në ambientet e Kuvendit, apo në ato raste kur prisja për ndonjë intervistë kisha mundësi të ndiqja për pak çaste se çfarë ndodhte aty në momentin kur vinin të zgjedhurit e popullit për mbledhjet ditore të komisioneve. Por më mbushte më trishtim imazhi i disa deputetëve me kokën ulur, duke parë telefonin, duke folur, ose duke shkruar dhe duke bërë sikur nuk e kishin mendjen kur dëgjonin zërin e hallexhiut që i thërriste: zoti deputet, zoti deputet, më falni pak...

Në rastet kur ai hallexhiu këmbëgulte duke e ndjekur nga pas ose duke e "kapur prej xhakete", i kollarisuri ngrinte kokën dhe gjoja përmendej dhe ndalonte për të dëgjuar hallin. Në shumicën e rasteve, ata hallexhinjtë merrnin një përgjigje "hajde nesër se sot s'të bëj dot gjë", apo "dua shumë të të ndihmoj por se kam unë në dorë këtë punë", "shko merri njëherë ato letrat çoji atje dhe do mbetemi sërish në kontakt", apo nga këto frazat standarde "ja, të të jap numrin dhe kontakto vet me atë"... shprehje tipike të një njeriu që do ta përcjellësh. Atij hallexhiut të shkretë i ravijëzohej një buzëqeshje e trishtë të cilën e jepte sa për edukatë për ti thënë "faleminderit", me shpresën që nesër vërtet do t'i zgjidhej halli.

Po sot në fushatë çfarë shoh? Sot është ndryshe, krejt ndryshe, ato fytyrat e lodhura nga jeta jo fort bujare nuk i shoh më te dera e Kryesisë, ndonjë tek-tuk ndoshta, jo se i kanë zgjidhur problemet e tyre jo, por e dinë që jemi në fushatë dhe deputetët nuk i gjejnë më aq rëndom aty në Kryesi. Tashmë i presin në banesat e tyre të shkojnë t'i vizitojnë këta hallexhinjtë e momentit, këta që tani të puthin duart, të marrin fëmijën në krah, të hedhin krahun në qafë, a thua që ato Udhëzimet e Biblës e të Kuranit që të mësojnë të jesh i mëshirshëm e t'i shtrish dorën më të varfërit, të bëhesh i duruar me atë që është i rrëmbyer apo të ndash pasurinë tënde për të ndihmuar ata që s'kanë, t'i kenë vënë të gjitha në zbatim një e për një! Jo, jo zotërinj, nuk funksionon kështu, nuk funksion si djalli që për interesat e veta është i gatshëm të lexojë dhe Biblën! është e ditur që të kesh një post si ai i deputetit, ministrit, drejtorit të një drejtorie të rëndësishme ka ngarkesën dhe kostot e veta dhe po ashtu është e ditur si drita e diellit që nuk është e thjeshtë të dëgjosh halle pafund dhe kërkesa për vende pune, por tek e fundit për këtë jeni zgjedhur, për këtë e keni kërkuar votën.

Nëse nuk e mbani dot presionin, përgjegjësitë për llogari-dhënie apo nëse nuk e bëni dot detyrën e të zgjedhurit, përfaqësuesit të popullit, a nuk do ishte më mirë ta dorëzonit mandatin dhe t'i hapnit krahut dikujt tjetër që mund ta kryejë më mirë se ju këtë funksion? Të nderuar zyrtar të lartë e deputetë, vendi nuk ka nevojë të puthni duar që të merrni votën, as të premtoni tani parajsën e të ktheni ferrin nesër, ka nevojë për punë dhe respekt për shqiptarët, ka nevojë që për atë që zotoheni t'i dilni për zot, duke punuar fort, siç bëjmë të gjithë në profesionet që ne kemi për të investuar për të nesërmen dhe jo duke menduar me dritëshkurtësinë e momentit. Shqiptarët janë të lodhur nga këto hipokrizitë tuaja në çdo fushatë elektorale! Mjaft më...
 
Shënim: Shkrimi trajton fenomenin në përgjithësi dhe jo persona të veçantë

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)