AUSTRALI - Presidenti Rus Vladimir Putin u përball me kritika të ashpra gjatë takimit të liderëve botërorë në Samitin G20 në Brisbane, Australi, duke u larguar nga takimi para se të përfundonte zyrtarisht. I revoltuar nga presionet e lidërve për sanksione të mëtejshme ekonomike, Putin ka lënë mbledhjen duke qenë i pari lider që u largua nga Australia por megjithatë në fund të tij tha se samiti ishte “konstruktiv”. Putin e justifikoi largimin para komunikatës zyrtare me udhëtimin e gjatë dhe të lodhshëm nga Rusia dhe nevojës për gjumë. Gjatë takimit me liderët e perëndimit në takimin e G20-ës Putin u prit shumë ftohtë dhe u kërcënua nga liderët prezentë për zgjidhjen e menjëhershme të krizës në Ukrainë, për të cilën ai tha se ka mundësi zgjidhjeje. 

"Situata në Ukrainë ka mundësi të mira për një zgjidhje, pavaësisht sesa e çuditshme mund të duket kjo, pasi struktura të caktuara janë vendosur në të dy anët për të përballuar detyrat në një zgjidhje të mirë, për popullsinë që jeton në të gjithë territorin e Ukrainës”, tha Putin.

Liderët botërorë u takuan në Samitin G20 dhe ndonëse fokusi i këtij takimi ishte ekonomia globale, çështjet si ndryshimet klimatike dhe sidomos konflikti në Ukrainën Lindore morën një vëmendje të madhe. Kryeministri Australian Tony Abbott mbylli samitin G20 duke detajuar premtimet e lidërve, të cilët vendosën që deri në vitin 2018 të nxisin rritjen ekonomike me 2,1%, duke i shtuar ekonomisë globale 2 trillion dollarë. Samiti u fokusua kryesisht tek pozicioni i presidentit Rus, Vladimir Putin, ku sipas Presidentit Amerikan Barack Obama është e nevojshme një përgjigje e kordinuar nga liderët Europianë kundrejt Rusisë, që shihet si destabilizuese e krizës në Ukrainë. Obama u shpreh se Vladimir Putin po cënon ligjet ndërkombëtare duke u siguruar armë të rënda luftarake separatistëve në Ukrainë dhe duke thyer marrëveshjen e arritur në Minsk. 

putin
putin
FOTO të tjera

Obama sëbashku me liderët e tjerë Europianë u shprehën të vendosur se “izolimi ekonomik” i Rusisë duhet të vazhdojë derisa ajo të ndryshojë drejtimin. Nga ana e tij Putin mohon të ketë dërguar forca ushtarake dhe armë për rebelët pro-Rusë në lindje të Ukrainës, si dhe bën thirrje për dhënien fund të sanksioneve kundër Rusisë pasi dëmtojnë njëkohësisht si ekonominë globale ashtu dhe vetë Rusinë.

Redaksia Online
(Suada Bajraktari/ Shqiptarja.com)