Situata aktuale rreth Ukrainës nuk korrespondon as me interesat e Rusisë dhe as me të SHBA-së, theksuan sot presidenti rus dhe ai amerikan, Vladimir Putin dhe Barack Obama, në një bisedë telefonike raportuar nga Kremlini.

"Putini nënvizoi në bisedën telefonike me homologun amerikan se sanksionet e reja perëndimore kundër vendit të tij ishin kundërproduktive dhe se cënojnë bashkëpunimin ruso-amerikan si dhe stabilitetin ndërkombëtar në përgjithësi", vijon komunikata e presidencës ruse.

Komunikata ruse nuk i referohet shqetësimeve të shprehura, gjatë kësaj bisede, nga Obama, sipas Shtëpisë së Bardhë, përsa i përket traktatit mbi kontrollin e armëve si dhe mbështjetjen në rritje nga Moska për separatistët prorusë ukrainas.

Kremlini theksoi gjithashtu se dy krerët ranë dakord mbi nevojën për një ndërprerje afatgjatë të veprimeve ushtarake në juglindje të Ukrainës dhe fillimin e një procesi politik mes pushtetit ukrainas dhe separatistëve.
Putin dhe Obama përshëndetën propozimin, gjithmonë sipas Kremlinit, për takimin e kësaj jave në Minsk të grupit të kontaktit mbi Ukrainën, me pjesëmarrjen e qeverisë ukrainase dhe separatistëve./ATSH/