Putin urdhëroi ushtrinë të hyjë në Ukrainë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së takim urgjent! Zbardhen mesazhet e forta: Rusia të anulojë vendimin, të tërheqë menjëherë trupat

Putin urdhëroi ushtrinë të hyjë në Ukrainë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së takim urgjent! Zbardhen mesazhet e forta: Rusia të anulojë vendimin, të tërheqë menjëherë trupat

Këshilli i Sigurimit në OKB

Kombet e Bashkuara kanë hapur takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit, pas thellimit të krizës në Ukrainë të hënën, 21 shkurt, pasi Rusia ka njohur pavarësinë e dy rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, dhe ka urdhëruar dërgimin e trupave ruse atje.

“Ne po përballemi me një situatë shumë, shumë dramatike”, ka thënë ambasadori francez në OKB, Nicolas de Riviere para se të niste takimi.

Franca ka qenë në mesin e shteteve që ka bërë thirrje për takim urgjent të Këshillit të Sigurimit. Gjatë adresimit në takim, ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, ka hedhur dyshime ndaj pretendimit të presidentit rus, Vladimir Putin se urdhri për të dërguar trupa në dy rajonet ukrainase ka të bëjë me rol paqeruajtës.

“Ai i quan ata paqeruajtës. Kjo nuk ka kuptim. Ne e dimë kush në të vërtetë janë ata”, ka thënë Thomas-Greenfield.

“Kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës kanë qenë dhe do të mbeten të pandryshueshëm, pavarësisht nga çdo deklaratë dhe veprim nga Federata Ruse”, tha ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya.

“Ne kërkojmë nga Rusia të anulojë vendimin për njohjen dhe të kthehet në tryezën e negociatave”, tha ai. “Ne dënojmë urdhrin për të vendosur trupa shtesë pushtuese ruse në territoret e Ukrainës. Ne kërkojmë tërheqje të menjëhershme dhe të plotë, të verifikueshme të trupave pushtuese”.

Urdhri i Putinit është parë si hapje e rrugës për një operacion dhe për angazhim të trupave që ka mbledhur në kufijtë e Ukrainës.

Putin e ka nisur fjalimin e tij para kombit të hënën duke diskutuar për historinë dhe duke thënë se Ukraina moderne është “krijuar” nga Rusia. Thomas-Greenfield ka thënë se fjalimi ka pasur “një mori pretendimesh të rreme”, të cilat kanë pasur synim “krijimin e një arsyetimi për luftë”.

Rusia, e cila aktualisht mban presidencën e Këshillit të Sigurimit, ka kërkuar që takimi të mbahej me dyer të mbyllura, mirëpo SHBA-ja ka insistuar të jetë takim publik. Greenfield ka thënë se pasojat e veprimeve të Rusisë do të jenë të llahtarshme për Ukrainën, Evropën dhe botën, dhe se mund të ketë më shumë viktima nëse Moska pushton më shumë.

I dërguari i posaçëm rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, ka thënë të hënën sa Moska mbetet “e hapur për diplomaci”, mirëpo ka theksuar nevojën për të mbrojtur zonat separatiste nga ai që e ka cilësuar agresion ukrainas. Ukraina ka kërkuar mbajtjen e takimit pas vendimit të Putinit dhe kërkesa e saj është mbështetur nga tetë vende anëtare të Këshillit, përfshirë, SHBA-në, Britaninë, dhe Francën.

Ky ka qenë takimi i tretë i Këshillit të Sigurimit për të diskutuar rreth Ukrainës në javët e fundit. Megjithatë aty nuk është marrë ndonjë vendim sepse Rusia ka fuqinë e vetos, ashtu sikurse Franca, Britania, Kina dhe SHBA-ja.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres beson se Rusia ka shkelur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës me vendimin e saj për të njohur lindjen e Ukrainës në entitete të pavarura, ka thënë një zëdhënës i tij./ REL

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:31
BE: Veprimet e Rusisë, akte lufte! Të gatshëm për çdo sanksion ndaj Moskës

Komisioneri Evropian për Drejtësi, Didier Reynders, ka thënë se njohja e pavarësisë së rajoneve Donetsk dhe Luhansk nga ana e Rusisë dhe dërgimi i trupave në ato territore përbën “akt të luftës”.

Ai ka thënë se blloku evropian është i gatshëm për të vënë sanksione kundër Rusisë.

Lloji i parë i sanksioneve mund të lidhet me ndalesë në udhëtime kundër individëve dhe sanksione kundër subjekteve ekonomike, përmes konfiskimit të aseteve në Evropë dhe më tej.

Përveç kësaj, Reynders ka thënë “se do të jetë e nevojshme të garantohet që nuk do të ketë më importim të mallrave dhe shërbimeve nga Rusia, sikurse energjia dhe që të ndërpritet qasja globale e Rusisë në shërbimet financiare”.

Ora 11:29
A do të ketë një takim mes Lavrov dhe Blinken? Rusia: Ne jemi gati

Rusia ka thënë se ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov është ende i përgatitur për të mbajtur bisedime me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin për të dërguar trupa në rajonet e kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainë.

 “Edhe në momentet më të vështira.. ne themi: Ne jemi gati për negociata”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova më 22 shkurt.

“Pra poziciononi ynë mbetet i njëjtë. Ne jemi të gatshëm për procesin e negociatave”, ka thënë ajo.

Ende nuk ka pasur komente nga pala amerikane për takimin e planifikuar.

Lavrov dhe Blinken ishte planifikuar të takoheshin më 24 shkurt në Gjenevë për të diskutuar krizën në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë më parë se takimi do të ndodhë vetëm nëse Rusia nuk e pushton Ukrainën.

Më 21 shkurt presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se ai do të njohë kërkesën e liderëve separatistë për pavarësim të të dyja rajoneve që ata kontrollojnë në Ukrainë, Donetsk dhe Luhansk.

Ai po ashtu ka thënë se do të dërgojë trupa ruse për të shërbyer si, siç i ka quajtur ai “paqeruajtës” – deklaratë të cilën Perëndimi dhe Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar “pakuptim”./ REL

Ora 11:20
Zbardhen mesazhet e forta në Këshillin e Sigurimit të OKB! Ambasadori i Ukrainës: Rusia të anulojë vendimin, të tërheqë trupat!

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, u takua në një seancë urgjente të hënën vonë pasi presidenti rus nënshkroi një deklaratë për njohjen e dy rajoneve separatiste të Ukrainës, si shtete të pavarura.

“Kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës kanë qenë dhe do të mbeten të pandryshueshëm, pavarësisht nga çdo deklaratë dhe veprim nga Federata Ruse”, tha ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya.

“Ne kërkojmë nga Rusia të anulojë vendimin për njohjen dhe të kthehet në tryezën e negociatave”, tha ai. “Ne dënojmë urdhrin për të vendosur trupa shtesë pushtuese ruse në territoret e Ukrainës. Ne kërkojmë tërheqje të menjëhershme dhe të plotë, të verifikueshme të trupave pushtuese”.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania, kanë njoftuar se po vendosin një raund të parë sanksionesh ndaj Moskës për këtë veprim, i cili shkel normat dhe ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin e Ukrainës. Në Këshillin e Sigurimit, ata rikonfirmuan angazhimin e tyre ndaj sovranitetit të Ukrainës.

“Në këtë moment, askush nuk mund të qëndrojë mënjanë”, tha ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield. “Ne duhet ta bëjmë të qartë se një sulm ndaj Ukrainës është një sulm ndaj sovranitetit të çdo shteti anëtar të OKB-së dhe Kartës së OKB-së, dhe se do të përballet me pasoja të shpejta dhe të rënda”.

Ajo tha se Uashingtoni vazhdon të besojë se diplomacia është mënyra e vetme për të zgjidhur krizën dhe për të ruajtur paqen.

Udhëheqësit dhe analistët perëndimorë thonë se lëvizjet ruse janë një pretekst për të pushtuar Ukrainën, diçka që Moska e ka mohuar deri më tani duke e cilësuar si “histeri” perëndimore.

Presidenti Putin e pasoi njohjen me një urdhër që, siç i quajti, trupat “paqeruajtëse” të vendosen në dy rajonet separatiste për të mbrojtur civilët. Që nga viti 2014, Moska u ka dhënë nënshtetësinë disa qindra mijëra banorëve me përkatësi etnike ruse në Donetsk dhe Luhansk.

“Ai i quan ata paqeruajtës, kjo është e pakuptimtë”, tha ambasadorja amerikane. “Ne e dimë se çfarë janë ata në të vërtetë”.

Zyrtarët perëndimorë thonë se Moska ka grumbulluar më shumë se 150,000 trupa në kufijtë e Ukrainës.

“Orët dhe ditët e ardhshme do të jenë kritike”, paralajmëroi shefja politike e OKB-së, Rosemary DiCarlo. “Rreziku i konfliktit të madh është real dhe duhet të parandalohet me çdo kusht”.

I dërguari i Rusisë tha se duke dëgjuar anëtarët tjerë të Këshillit të Sigurimit, mund të krijohet përshtypja se vendimi i Moskës ishte i papritur dhe i nxituar.

“Sigurisht, nuk është kështu. Duhet mbajtur mend se DPR dhe LPR shpallën pavarësinë e tyre nga Ukraina në vitin 2014″, tha Vassily Nebenzia, duke përdorur akronimet për Donetskun dhe Luhanskun. “Por, ne i njohëm ato vetëm tani, pavarësisht nga niveli i lartë i mbështetjes si në republikat ashtu edhe në shoqërinë ruse që nga fillimi”.

Ai tha se 60,000 veta janë larguar nga ajo zonë në Rusi diëtve të fundit, duke fajësuar bombardimet e intensifikuara ukrainase. Kievi thotë se nuk po sulmon popullsinë.

Misioni i Posaçëm i Vëzhguesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, regjistroi më shumë se 3,000 shkelje të armëpushimit në rajon nga 18 deri më 20 shkurt, duke përfshirë 926 shpërthime në rajonin e Luhanskut dhe 1,100 shpërthime në Donetsk. Misioni nuk përcaktoi shkakun apo burimin.

“Ne mbetemi të hapur ndaj diplomacisë, për një zgjidhje diplomatike”, tha i dërguari rus Nebenzia, duke nënvizuar se nuk do të lejohet “një gjakderdhjeje e re në Donbas”.

Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit shprehën mbështetjen e tyre për sovranitetin, tërësinë tokësore dhe pavarësinë politike të Ukrainës, ndërsa bënë thirrje për një zgjidhje diplomatike.

Ambasadorja britanike Barbara Woodward, tha se “i bëjmë thirrje Rusisë të tërhiqet”.

I dërguari i Kenias tha se vendi i tij është “shumë i shqetësuar” me njohjen e Donetskut dhe Luhanskut nga Moska. Ai tha se ndërsa pothuajse çdo vend afrikan kishte lindur nga fundi i një perandorie, me kufij artificialë të tërhequr nga fuqitë koloniale, ata i mbajtën ata, sepse ndiqnin Kartën e OKB-së dhe donin paqe.

Ukraina është një ish-republikë e Bashkimit Sovjetik, por fitoi pavarësinë e saj në një referendum në vitin 1991./VOA

K.T./J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • martin: 22/02/2022 12:55

    hahahahahaa, ose te terhiqet ose ja u derguam xhacken dhe mimin, europa dhe america esht bere per turp, nuk i qas me njeri

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan

Provat sugjerojnë se kundërajrorët rusë e goditën avionin e udhëtarëve para se të rrëzohej në Kazakistan