Çfarë ka në plan Putini për pjesën tjetër të Evropës, nëse pushtimi i Ukrainës përfundon me sukses?

Një shije e qëllimeve ekspansioniste dhe agresive të Moskës tashmë është bërë kronikë e përditshme në vendet baltike e skandinave, në Poloni, Gjermani, Belgjikë, Holandë: këto janë kombet që pësojnë vazhdimisht shkelje të hapësirës ajrore nga dronë, mbyllje të aeroporteve civile dhe forma të tjera sabotimi edhe më të dëmshme (si, së fundi, një sulm hekurudhor në tokën polake).

Këto nuk janë vetëm provokime. Janë veprime që duhen parë si një paralajmërim dhe një variant i mundshëm i sulmeve tradicionale ushtarake: disa ekspertë flasin për një “luftë gri”, që nënkupton një agresion të padeklaruar por të vazhdueshëm, në rritje.

Një studiuese e shquar amerikane e fushës ushtarake tërheq vëmendjen tonë mbi këtë: Putini po kopjon në Evropën Perëndimore atë që Xi Jinping ka bërë prej vitesh kundër Tajvanit. Ushtarakët tajvanezë flasin për “strategjinë e anakondës”, gjarpri që nuk vret me helm, por duke e shtrënguar prenë deri në mbytje.

Putini, ndryshe nga Xi, nuk synon domosdoshmërisht aneksimin territorial të secilit prej vendeve europiane që godet me këto forma të “luftës gri”, megjithatë paralelet RusiKinë janë shumë domethënëse. Po ju propozoj një përmbledhje të studimit të publikuar nga profesorja Ariane Tabatabai, aktualisht kërkuese pranë Lawfare, e cila më parë ka mbajtur poste të rëndësishme në Departamentin e Shtetit dhe të Mbrojtjes së ShBA. Ajo është ndër të parat që ka vënë në dukje ngjashmëritë me ciklin e agresioneve kineze kundër Tajvanit.

“Në javët e fundit – shkruan Ariane Tabatabai – Rusia ka ndërmarrë taktika detyruese kundër vendeve anëtare të NATO-s në nivele që zyrtarët europianë i kanë përshkruar si “të paprecedenta” që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Disa vende europiane — mes tyre Polonia, Estonia, Danimarka dhe Norvegjia — kanë pësuar shkelje të hapësirës ajrore nga mjete ajrore ruse me dhe pa pilot. Aleatët e NATO-s kanë reaguar me masa të menjëhershme mbrojtëse, si rrëzimi i dronëve rusë, dhe thuhet se kanë nisur një rishikim dhe përditësim të qasjes dhe rregullave të angazhimit ndaj këtyre shkeljeve. Ata po e bëjnë këtë për të treguar vendosmërinë dhe për t’i dëshmuar Moskës aftësitë e kombinuara të Aleancës, përballë asaj që kryeministri polak Donald Tusk e ka quajtur “fazën më të afërt me një konflikt të hapur që prej Luftës së Dytë Botërore”.

Megjithëse Rusia ka një histori të gjatë veprimesh provokuese, aktivitetet e saj të fundit i ngjajnë strategjisë kineze të viteve të fundit në rritjen progresive të presionit ndaj Tajvanit.

Sigurisht që dy fushatat kanë dallime të rëndësishme (p.sh., aktivitetet më të fundit të Moskës janë kufizuar te hapësira ajrore, ndërsa ato të Pekinit përfshijnë edhe fushën detare).


Operacionet ruse janë gjithashtu më spontane dhe më të kufizuara në shtrirje dhe thellësi, ndërsa ato kineze janë tashmë të vazhdueshme prej vitesh dhe janë rritur gradualisht në portë, intensitet, frekuencë dhe kompleksitet. Fushata kineze ka objektivin e deklaruar të ribashkimit me Tajvanin, ndërsa asgjë e ngjashme nuk është në lojë për Rusinë ndaj NATO-s.

Por të dy qasjet ndajnë shumë ngjashmëri dhe po zhvillohen në sfondin e bashkëpunimit në rritje mes dy vendeve në fushatat e tyre përkatëse në “zonën gri”, një term i përdorur nga komuniteti i inteligjencës për të përshkruar “përdorimin e qëllimshëm të mjeteve detyruese ose subversive nga një shtet për të arritur objektiva politike ose të sigurisë në dëm të të tjerëve, në mënyra që shkelin ligjet ose shfrytëzojnë boshllëqet e normave ndërkombëtare, por mbeten nën pragun e perceptuar të një konflikti të drejtpërdrejtë të armatosur”. Ky bashkëpunim ka pasoja për NATO-n në Evropë, njësoj si për aleatët dhe partnerët e ShBA në rajonin indo-paqësor."

Në vijim të analizës së saj, kjo studiuese e shkencave ushtarake shpjegon se lufta e së ardhmes tashmë ka ndryshuar formë. Nuk i ngjan më pushtimeve të mëdha të shekullit XX, as luftës hibride që njohëm në Ukrainë. Është një luftë gri, e bërë me presione që rriten gradualisht dhe që ndalen një hap para konfliktit të hapur. Në këtë zonë ndërmjet — zonën gri — Rusia dhe Kina po rafinojnë taktika gjithnjë e më të ngjashme, duke vëzhguar dhe kopjuar njëra-tjetrën, në një konvergencë strategjike që duhet të shqetësojë si NATO-n në Evropë ashtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në Paqësor.

Moska kërkon njëkohësisht të lodhë Kievin, të frikësojë europianët dhe të testojë sa e përgatitur është vërtet NATO të reagojë. Hija e pasigurisë amerikane rëndon: administrata Trump ka dërguar sinjale kontradiktore, duke lëkundur mes frazave pajtuese ndaj Kremlinit dhe deklaratave agresive që nuk shoqërohen me një vijë të qartë politike. Kjo e bën më të brishtë fuqinë parandaluese të Perëndimit.

Një element befasues i kësaj strategjie ruse është përzgjedhja e mjeteve. Dronët Shahed — kopje iraniane e prodhuar tani masivisht në Rusi — kushtojnë disa dhjetëra mijëra dollarë. Për t’i rrëzuar, vendet e NATO-s shpesh duhet të përdorin raketa interceptuese që kushtojnë dhjetëfish, madje qindfish më shumë. Është matematika e konsumimit: sulmon me armë të lira për ta detyruar kundërshtarin të mbrohet me armë të shtrenjta. Një taktikë e vjetër, por e përditësuar për teknologjinë e shekullit XXI.

Rusia nuk vepron në vakum. Kina studion me kujdes çfarë po ndodh në Evropë dhe, nga ana tjetër, prej vitesh zhvillon strategjinë e vet të presionit konstant kundër Tajvanit. Pas vizitës së Nancy Pelosi në Taipei në vitin 2022, Pekini i përshpejtoi gjithçka: shkelje të përditshme të zonës së identifikimit ajror, manovra detare gjithnjë e më komplekse, operacione hibride si prerja e kabllove nënujore që sigurojnë komunikimet e ishullit.

Komandanti i Marinës tajvaneze, admirali Tang Hua, e ka quajtur këtë "strategjia e anakondës": shtrëngohet ngadalë, detyrohet kundërshtari në gabime, gërryhet sistemi i tij mbrojtës. Kina nuk e fsheh ambicien e vet: të jetë gati të marrë Tajvanin deri në 2027, idealisht pa qëlluar asnjë të shtënë. Edhe këtu, kufiri mes presionit dhe konfliktit është mjegulluar.

Shumë elementë të strategjisë kineze përputhen me logjikën ruse: testimi i vendosmërisë së aleatëve amerikanë, sondimi i dobësive, normalizimi i pranisë ushtarake, ndryshimi i status quo-së pa e shpallur.

Rusia e vështron Kinën. Kina e vështron Rusinë. Dhe nuk është rastësi që të dyja po përsosin të njëjtat teknika: luftën me dronë me kosto të ulët, operacionet nën prag, manovrat ajrore dhe detare gjithnjë e më të shpeshta, diplomacinë frikësuese, shfrytëzimin e paqartësive të së drejtës ndërkombëtare. Bashkëpunimi i tyre nuk është një aleancë formale, dhe disa mosbesime historike mbeten të thella. Por është një konvergencë funksionale, pragmatike. Çdo gjë që dobëson rendin liberal perëndimor u shkon për shtat të dy kryeqyteteve. Dhe sa herë që NATO apo Uashingtoni tregojnë hezitim, Moska dhe Pekini nxjerrin mësime të dobishme: deri ku mund të shkohet pa pasoja.

NATO po përpiqet të mbyllë radhët. Janë aktivizuar konsultime nën nenin 4 të Traktatit të Uashingtonit. Janë nisur operacione multidimensionale që kombinojnë hapësirën kibernetike, mbrojtjen ajrore, inteligjencën dhe praninë ushtarake. Por një strategji e përbashkët kundër “luftës gri” ende nuk ekziston.

Provokimet ruse në Baltik dhe në Detin e Veriut nuk janë vetëm problem europian. Nëse ky lloj presioni do të bëhet strukturor, siç është tashmë ai kinez në Detin e Kinës Jugore, SHBA do të duhej të angazhonin më shumë burime në Evropë, duke i hequr ato nga frenimi i Pekinit. Dhe kjo do të ishte një avantazh i pastër për Kinën. Nuk është rastësi që Pekini po vëzhgon me kujdes se si NATO reagon ndaj shkeljeve të Moskës: çdo përçarje e brendshme, çdo vonesë në përgjigje, çdo mesazh i paqartë bëhet precedent. Kur Xi të vendosë nëse dhe si ta rrisë presionin ndaj Tajvanit, reagimi perëndimor ndaj agresivitetit rus do të jetë një nga pikët e tij të referimit.

Përfundimi i autores së studimit është i qartë: Perëndimi nuk mund të mbështetet më vetëm te fuqia parandaluese tradicionale, e menduar për të shmangur shpërthimin e një lufte konvencionale. Duhet të pajiset me një strategji parandaluese për “zonën gri”: një doktrinë që bashkon teknologjinë kundër dronëve, qëndrueshmërinë e infrastrukturave kritike, një komunikim politik koherent dhe një bashkëpunim të ngushtë midis Evropës dhe aleatëve aziatikë. Rusia dhe Kina e kanë kuptuar që mënyra më efektive për të ndryshuar rendin botëror nuk është lufta e shpallur, por presioni i vazhdueshëm, i ngadaltë, i studiuar për të shfrytëzuar hezitimet perëndimore. Bashkëpunimi i tyre në “zonën gri” është tashmë një realitet i konsoliduar. Për t’u përgjigjur, Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe vendet e Paqësorit duhet të pranojnë se loja vendimtare nuk zhvillohet më vetëm në fushën e betejës, por në gjithë atë hapësirë të paqartë ku fuqitë autokratike po përpiqen të rishkruajnë rregullat./Corriere della sera