Dy ditë para përfundimit të mandatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Partia Demokratike i është drejtuar zyrtarisht Kuvendit për t’i kërkuar zgjatjen e afatit me 2 deri në 3 muaj. Report Tv ka siguruar letrën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi në të cilën bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Oerd Bylykbashi argumenton se puna nuk ka ecur me ritmin e nevojshëm për të përmbushur detyrat brenda afatit që skadon më 30 nëntor.

"Kjo zgjatje vlerësohet e nevojshme për të mundësuar përmbushjen e mandatit të ngarkuar nga Kuvendi, adresimin e rekomandimeve ndërkombëtare dhe realizimin e një reforme zgjedhore të plotë, gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme", thuhet në letër. 

PD rendit pesë arsye për shtyrjen e afatit të Komisionit. Një prej tyre është se një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbeten ende të patrajtuara ose të papasqyruara në legjislacion.

Sipas Bylykbashit, grupi i ekspertëve teknikë po punon për të përfunduar disa projektligje, një pjesë e të cilave janë depozituar tashmë në Komision. Ato parashikojnë ndryshime në Kodin Zgjedhor e në Kodin Penal, si dhe në rregullat për financimin e partive politike dhe parandalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje.

5 arsyet që rendit PD për zgjatjen e afatit të Komisionit
-Përfundimin e hartimit, shqyrtimit dhe diskutimit të projektligjeve të përgatitura nga ekspertët teknikë;
-Trajtimin dhe adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës;
-Përmirësimin e kuadrit ligjor për parandalimin dhe luftimin e krimeve zgjedhore, financimin e partive politike dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje;
-Vijimin e konsultimeve dhe të bashkëpunimit me ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë;
-Krijimin e kohës së nevojshme për diskutimin dhe arritjen e dakordësisë politike mbi çështjet themelore të reformës zgjedhore.

Bylykbashi thotë se puna e Komisionit nuk ka ecur me ritmin e nevojshëm dhe se përfundimi i mandatit më 30 nëntor rrezikon të lërë të papërfunduar një pjesë të rëndësishme të procesit legjislativ dhe të pengojë shfrytëzimin e plotë të asistencës teknike ndërkombëtare, pasi vetëm një ditë më parë 2 ekspertë të Venecias mbërritën në Tiranë për të dhënë ekspertizë për ligjin për financimin e partive politike.

"Të krijojmë kohën së nevojshme për diskutimin dhe arritjen e dakordësisë politike mbi çështjet themelore të reformës zgjedhore", thuhet në letër. 

Po sot, Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht edhe propozimet e saj për ndryshimet në reformën zgjedhore, që prekin 39 amendamente në Kodin Zgjedhor dhe 20 në atë Penal.

Kërkesa për zgjatjen e afatit u artikulua që dje nga PD gjatë seancës plenare, por socialistët u treguan të prerë duke thënë se këtë herë nuk do të plotësojnë dëshirat e demokratëve.

“Pas datës 30, ju s’keni të drejtë të merrni peng axhendën europiane, Pasi e bojkotove, u kujtove se po mbaron afati, me shpresën se po e pengojmë këtë detyrë shtëpie”, tha Taulant Balla.

Afati i Komisionit të reformës zgjedhore është 30 nëntori. Disa mbledhje radhazi palët kanë dështuar të gjejnë dakordësi. PS insiston se duhet të reflektohen në kod ndryshimet për zgjedhjen e këshillave bashkiakë, pas hartës së re territoriale.

Pjesë nga letra

Kuvendi, me qëllim realizimin e një reforme zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse, me vendimin nr. 74/2025, datë 27.10.2025, miratoi ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, me përfaqësim të barabartë të shumicës dhe pakicës parlamentare.

Afati aktual i veprimtarisë së këtij Komisioni përfundon më 30 nëntor 2026.

Pavarësisht punës së zhvilluar deri më sot, diskutimeve, konsultimeve dhe angazhimit të ekspertëve teknikë, veprimtaria e Komisionit nuk ka avancuar me ritmin e nevojshëm për përmbushjen e plotë të objektivave dhe detyrave të përcaktuara nga Kuvendi.

Aktualisht, Grupi i Ekspertëve Teknikë ndodhet në një fazë të rëndësishme të punës për hartimin dhe finalizimin e disa projektligjeve, një pjesë e të cilave tashmë janë depozituar pranë Komisionit. Këto projektligje synojnë jo vetëm ndryshime në Kodin Zgjedhor, por edhe ndërhyrje në Kodin Penal, përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike, si dhe në legjislacionin tjetër që lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi me procesin zgjedhor.

Shqyrtimi i këtyre projektligjeve, diskutimi në nivel teknik dhe politik, konsultimi me aktorët e interesuar dhe arritja e dakordësisë ndërmjet palëve kërkojnë kohë shtesë.

Njëkohësisht, një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të evidentuara në raportet për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 dhe proceset e mëparshme zgjedhore, mbeten ende të patrajtuara ose të papasqyruara në legjislacionin përkatës. E njëjta nevojë për shqyrtim dhe reflektim ekziston edhe për rekomandimet e Këshillit të Evropës apo asistencës teknike Komisionit të Venecias dhe të partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.

Në këtë drejtim, vlerësojmë gatishmërinë e vazhdueshme të OSBE/ODIHR-it, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për të asistuar Kuvendin e Shqipërisë në realizimin e reformës zgjedhore, përfshirë angazhimin dhe praninë e ekspertëve ndërkombëtarë në Shqipëri gjatë këtyre ditëve.

Përfundimi i mandatit të Komisionit në këtë fazë të punës do të rrezikonte të linte të papërfunduar një pjesë të rëndësishme të procesit legjislativ dhe të mos mundësonte shfrytëzimin e plotë të asistencës teknike ndërkombëtare.

Zgjatja e afatit të veprimtarisë së Komisionit do të mundësonte:

  • Përfundimin e hartimit, shqyrtimit dhe diskutimit të projektligjeve të përgatitura nga ekspertët teknikë;
  • Trajtimin dhe adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës;
  • Përmirësimin e kuadrit ligjor për parandalimin dhe luftimin e krimeve zgjedhore, financimin e partive politike dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje;
  • Vijimin e konsultimeve dhe të bashkëpunimit me ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë;
  • Krijimin e kohës së nevojshme për diskutimin dhe arritjen e dakordësisë politike mbi çështjet themelore të reformës zgjedhore.

Për sa më sipër, në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, në emër të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të opozitës në këtë Komision, kërkoj zgjatjen e afatit të veprimtarisë së Komisionit për një periudhë shtesë prej rreth 2-3 muajsh.

Kjo zgjatje vlerësohet e nevojshme për të mundësuar përmbushjen e mandatit të ngarkuar nga Kuvendi, adresimin e rekomandimeve ndërkombëtare dhe realizimin e një reforme zgjedhore të plotë, gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Lajmi në përditësim...

 

 

kliko ketu per te lexuar kerkesen e pd per zgjatjen e zgjedhores

 

Kliko ketu per te lexuar ndryshimet e propozuara nga pd

 

Kliko ketu per te lexuar ndryshimet e propozuara nga PD