Dy ditë para përfundimit të mandatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Partia Demokratike i është drejtuar zyrtarisht Kuvendit për t’i kërkuar zgjatjen e afatit me 2 deri në 3 muaj. Report Tv ka siguruar letrën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi në të cilën bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Oerd Bylykbashi argumenton se puna nuk ka ecur me ritmin e nevojshëm për të përmbushur detyrat brenda afatit që skadon më 30 nëntor.

"Kjo zgjatje vlerësohet e nevojshme për të mundësuar përmbushjen e mandatit të ngarkuar nga Kuvendi, adresimin e rekomandimeve ndërkombëtare dhe realizimin e një reforme zgjedhore të plotë, gjithëpërfshirëse dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme", thuhet në letër. 

PD rendit pesë arsye për shtyrjen e afatit të Komisionit. Një prej tyre është se një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it mbeten ende të patrajtuara ose të papasqyruara në legjislacion.

Sipas Bylykbashit, grupi i ekspertëve teknikë po punon për të përfunduar disa projektligje, një pjesë e të cilave janë depozituar tashmë në Komision. Ato parashikojnë ndryshime në Kodin Zgjedhor e në Kodin Penal, si dhe në rregullat për financimin e partive politike dhe parandalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje.

5 arsyet që rendit PD për zgjatjen e afatit të Komisionit
-Përfundimin e hartimit, shqyrtimit dhe diskutimit të projektligjeve të përgatitura nga ekspertët teknikë;
-Trajtimin dhe adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës;
-Përmirësimin e kuadrit ligjor për parandalimin dhe luftimin e krimeve zgjedhore, financimin e partive politike dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje;
-Vijimin e konsultimeve dhe të bashkëpunimit me ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë;
-Krijimin e kohës së nevojshme për diskutimin dhe arritjen e dakordësisë politike mbi çështjet themelore të reformës zgjedhore.

Bylykbashi thotë se puna e Komisionit nuk ka ecur me ritmin e nevojshëm dhe se përfundimi i mandatit më 30 nëntor rrezikon të lërë të papërfunduar një pjesë të rëndësishme të procesit legjislativ dhe të pengojë shfrytëzimin e plotë të asistencës teknike ndërkombëtare, pasi vetëm një ditë më parë 2 ekspertë të Venecias mbërritën në Tiranë për të dhënë ekspertizë për ligjin për financimin e partive politike.

"Të krijojmë kohën së nevojshme për diskutimin dhe arritjen e dakordësisë politike mbi çështjet themelore të reformës zgjedhore", thuhet në letër. 

Po sot, Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht edhe propozimet e saj për ndryshimet në reformën zgjedhore, që prekin 39 amendamente në Kodin Zgjedhor dhe 20 në atë Penal. Në qendër të tyre është kalimi në një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura.

“Republika e Shqipërisë përbëhet nga një zonë e vetme zgjedhore, e cila përputhet me territorin e të gjithë vendit dhe shërben për zgjedhjen e 140 deputetëve, sipas rregullave të përcaktuara në këtë Kod", thuhet në dokument. 

PD këmbëngul në rikthimin e koalicioneve dhe propozon që zgjedhësi të mund të votojë deri në pesë kandidatë nga lista e njërës prej partive të koalicionit.

“Emrat në listën shumemërore të dorëzuar nga partia renditen sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre dhe i nënshtrohen votimit parapëlqyes. Zgjedhësit shprehin parapëlqimin për 5 kandidatë nga lista shumemërore e një prej partive pjesëtare të koalicionit", thuhet në dokument. 

Mes 39 amendamenteve për Kodin Zgjedhor, PD ka përfshirë edhe një paketë propozimesh për ndarjen e shtetit nga partia. Sipas saj, paketa synon të ndalojë përdorimin e burimeve shtetërore për qëllime zgjedhore.

“Gjatë periudhës së mbrojtur zgjedhore, ndalohet pjesëmarrja në aktivitete politike dhe veprimet aktive politike të administratës shtetërore, me qëllim përfitimin apo diskriminimin zgjedhor. Gjatë periudhës së mbrojtur zgjedhore, ndalohet organizimi i punonjësve të administratës shtetërore si audiencë, sfond ose demonstrim mbështetjeje në veprimtari zyrtare ose zgjedhore", thuhet në dokument. 

Sipas propozimeve të PD-së, monitorimi i zbatimit të këtyre rregullave do t’i ngarkohej Nënkomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Për këtë funksion, PD propozon zgjatjen e mandatit nga 4 në 7 vjet dhe që kandidatët të propozohen nga partia më e madhe e opozitës parlamentare.

“Nënkomisioneri zgjidhet nga Kuvendi për një mandat shtatëvjeçar, të përtëritshëm. Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me jo më pak se tre të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kandidatët për Nënkomisioner që i nënshtrohen votimit propozohen nga partia më e madhe e opozitës parlamentare", thuhet në dokument. 

Kërkesa për zgjatjen e afatit u artikulua që dje nga PD gjatë seancës plenare, por socialistët u treguan të prerë duke thënë se këtë herë nuk do të plotësojnë dëshirat e demokratëve. Afati i Komisionit të reformës zgjedhore është 30 nëntori. Disa mbledhje radhazi palët kanë dështuar të gjejnë dakordësi. PS insiston se duhet të reflektohen në kod ndryshimet për zgjedhjen e këshillave bashkiakë, pas hartës së re territoriale.

 

 

 

kliko ketu per te lexuar kerkesen e pd per zgjatjen e zgjedhores

 

Kliko ketu per te lexuar ndryshimet e propozuara nga pd

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:45
‘Krimet zgjedhore’/ Report Tv zbardh propozimet e PD për ndryshime të Kodit Penal: Patronazhimi, vepër penale

1777659082_seliaepd.jpg

Bashkë me draftin për Kodin zgjedhor, PD depozitoi zyrtarisht edhe propozimin për ndryshimin e Kodit Penal ku ashpërson dënimet për disa vepra penale që lidhen me krimet zgjedhore.

Por, për herë të parë, PD propozon klasifikimin si vepër penale të asaj që e quan patronazhim të zgjedhjeve, duke futur konceptin e “Organizimit e patronazhimit politik-administrativ”

“Organizimi, drejtimi ose bashkërendimi me dashje i një skeme patronazhimi politikadministrativ, duke përdorur funksionin, autoritetin ose burimet publike, me qëllim krijimin e varësisë politike, kushtëzimin e trajtimit administrativ me mbështetje politike ose ndikimin e paligjshëm mbi vullnetin politik a zgjedhor, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.”, thuhet në propozimet e PD.

Edhe krijimi i një regjistri të dhënash për t’u përdorur për zgjedhje, sipas PD-së duhet të klasifikohet si vepër penale.

“Krijimi, organizimi, administrimi ose përdorimi me dashje dhe pa të drejtë i një baze të dhënash, aplikacioni, sistemi ose mjeti tjetër të ngjashëm, nëpërmjet mbledhjes, bashkimit ose analizimit sistematik të të dhënave personale, për të përcaktuar ose regjistruar bindjet politike të supozuara, varësitë ose pjesëmarrjen individuale në votim, me qëllim kontrollin, presionin, diskriminimin ose ndikimin e paligjshëm mbi zgjedhësit, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.”, thuhet në propozimet e PD.

Kliko ketu per te lexuar ndryshimet e propozuara nga PD