Një grua ka hapur zjarr ndaj shtëpisë së këngëtares Rihanna në Kaliforni dhe është arrestuar nga policia. Sipas raportimeve, drejt banesës së Rihannës janë qëlluar rreth dhjetë plumba me një pushkë të tipit AR-15, ndërsa këngëtarja nuk ka mbetur e lënduar.
Sipas Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit (LAPD), ngjarja ka ndodhur të dielën, më 8 mars, rreth orës 13:20 sipas kohës lokale (20:21 sipas orës shqiptare). Gruaja dyshohet se ka qëlluar me armë drejt vilës së Rihannës në Beverly Hills, ku të paktën katër plumba kanë goditur perimetrin e jashtëm të pronës. Njëri prej tyre raportohet se ka depërtuar edhe në një mur të banesës.
Këngëtarja e hiteve “Umbrella” dhe “Diamonds in the Sky” ndodhej në shtëpi në momentin e sulmit, por nuk ka pësuar asnjë lëndim dhe deri tani nuk ka bërë deklarata publike për incidentin. Nuk është ende e qartë nëse në banesë ndodheshin edhe partneri i saj, reperi A$AP Rocky, apo tre fëmijët e tyre, Rza, Riot Rose dhe Rocki, më i vogli prej të cilëve ka lindur në shtator të vitit të kaluar.
E dyshuara, një grua rreth 30 vjeçe, pas të shtënave ka tentuar të largohet me një Tesla të bardhë, por është ndjekur dhe arrestuar nga policia. Autoritetet po hetojnë rastin, ndërsa motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.
Komente










