Gjeopolitikë, vëmendje ndaj simboleve, etiketë diplomatike dhe ceremoni. Gjithçka përzihet kur një burim autoritar nga Pekini sugjeron këtë kalendar: njoftimi ose parashikimi i Donald Trump se lufta mund të zgjasë katër javë do ta bënte atë të përfundonte pikërisht para se presidenti amerikan të mbërrijë në oborrin e Xi Jinping.
Parashikim? Dëshirë? "Inteligjencë"?
Sulmi amerikan kundër Iranit nuk mund të kuptohet nëse shihet vetëm përmes lentes së Lindjes së Mesme, asaj europiane, ose politikës së brendshme amerikane. Ka një kënd të katërt: parë nga Lindja e Largët, kjo luftë merr një kuptim tjetër. Në njëfarë mënyre, bëhet më racionale.
Huazoj analizat që qarkullojnë në mediat aziatike, si ajo e një vëzhguesi të njohur japonez të Kinës, Katsuji Nakazawa; në Nikkei Asia ai ka shkruar një artikull që tërheq vëmendjen që nga titulli dhe nëntitulli: "Pse Xi Jinping nuk mund ta anulojë vizitën e Trump pas sulmit ndaj Iranit. Problemet ekonomike dhe politike të brendshme të Kinës kufizojnë kritikat e saj ndaj Amerikës".
Ndër arsyet e interesit të kësaj analize është kalendari që lidh operacionet ushtarake me një samit të shumëpritur: vizita e Trump te Xi në fund të muajit.
Venezuela dhe Irani, kujton eksperti japonez, përfaqësojnë prej vitesh dy shtylla të strategjisë energjitike dhe gjeopolitike të Pekinit: regjime armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara dhe njëkohësisht furnizues të çmuar të naftës. Të godasësh njërin dhe të destabilizosh tjetrin do të thotë të ndërhysh drejtpërdrejt në një nga dobësitë strukturore të fuqisë kineze.
Koha e krizës është dëftuese. Operacioni ushtarak kundër Teheranit erdhi ndërsa Shtëpia e Bardhë po përgatit udhëtimin e Trump në Pekin. Presidenti amerikan pritet të jetë mysafir në Kinë nga 31 marsi deri më 2 prill. Vetëm tre ditë: pak për një vizitë klasike shtetërore plot ceremoni dhe takime, por mjaftueshëm për të sugjeruar se Uashingtoni mund të ketë përshpejtuar kohën në prag të ofensivës kundër Iranit.
Trump duket se ka llogaritur që Xi nuk mund ta lejojë veten të anulojë ose shtyjë atë takim, madje as pas një sulmi amerikan që eliminoi udhëheqësin suprem iranian Ali Khamenein. Me fjalë të tjera, Shtëpia e Bardhë beson se ka identifikuar një pikë dobësie të udhëheqjes kineze.
Për Xi, ajo vizitë ka një vlerë simbolike dhe politike shumë të madhe. Lideri kinez pret prej kohësh rastin për të riprezantuar doktrinën e tij të "diplomacisë mes fuqive të mëdha", një formulë me të cilën Pekini synon të trajtojë me Shtetet e Bashkuara si i barabartë në një duopol global. Imazhi i Xi si një bashkëbisedues i domosdoshëm në skenën botërore ka pothuajse po aq rëndësi sa rezultatet konkrete të diplomacisë. Do të thuhej se Putin nuk është i vetmi që ndjen nevojën për legjitimitet…
Kur Trump ka evokuar një lloj G-2 me Kinën, një drejtori për të rregulluar çështjet globale, ai ka bërë që në veshët e liderit komunist të tingëllojë një muzikë e butë.
Bindja amerikane se Pekini vështirë se do të reagojë me ashpërsi nuk lind sot. Që në fillim të vitit Trump kishte vënë në provë durimin kinez me operacionin spektakolar në Venezuelë. Më 3 janar forcat speciale amerikane kryen një bastisje në Karakas duke kapur presidentin Nicolás Maduro dhe bashkëshorten e tij Cilia Flores, të cilët më pas u transferuan në New York për t’u përballur me akuza të lidhura me narkotrafikun.
Episodi ishte poshtërues për Pekinin sepse ndodhi vetëm pak orë pasi Maduro kishte pritur një delegacion ministror të nivelit të lartë të dërguar nga qeveria kineze. Megjithatë reagimi zyrtar i Kinës mbeti i moderuar. Një sinjal që në Uashington u interpretua si provë se Pekini preferon të shmangë një përplasje të drejtpërdrejtë me administratën Trump.
Ajo që është në lojë është mbi të gjitha energjia. Kina sot është importuesi më i madh në botë i naftës dhe varet rreth 70% nga furnizimet e jashtme. Irani dhe Venezuela janë ndër partnerët e saj më të rëndësishëm. Nëse Uashingtoni arrin të ndikojë politikën e brendshme të këtyre dy vendeve ose të kontrollojë pjesërisht eksportet e tyre, mund të ndikojë në sigurinë energjetike të Kinës. Në rastin venezuelian ky mekanizëm tashmë është në funksion.
Kujdesi i Pekinit shihet edhe në gjuhën diplomatike. Ministria e Jashtme kineze ka kritikuar operacionin amerikan në Iran, por duke shmangur sulmet personale kundër Trump. Edhe ministri i Jashtëm Wang Yi ka mbajtur një ton të matur. Një qëndrim që bie në kontrast me dhunën verbale që Pekini ka përdorur ndaj bashkëbiseduesve të tjerë, për shembull Japonisë, kur kryeministrja Sanae Takaichi ka përmendur mundësinë që një krizë për Tajvanin të përbëjë një kërcënim ekzistencial për Tokion (dhe kështu mund ta detyrojë të ndërhyjë).
Pas kësaj përkujdesjeje shihen vështirësitë e brendshme të Kinës. Ekonomia vazhdon të rëndohet nga kriza e gjatë e pasurive të paluajtshme; fitimet e ndërmarrjeve ngadalësohen; konsumi mbetet i dobët; papunësia e të rinjve mbetet e lartë. Në këtë kontekst një vizitë e Trump e shoqëruar nga një grup i madh sipërmarrësish amerikanë do të përfaqësonte për Xi një sinjal besimi ndërkombëtar. Nëse udhëtimi do të anulohej, vëmendja globale do të përqendrohej edhe më shumë te brishtësitë e ekonomisë kineze.
Samiti i fundit mes Trump dhe Xi, i zhvilluar në Busan tetorin e kaluar, kishte prodhuar një armëpushim të përkohshëm në luftën tregtare mes dy fuqive. Por bëhet fjalë për një ekuilibër të brishtë. Përveç problemeve ekonomike, Pekini përballet edhe me tensione brenda aparatit ushtarak. Spastrimi i fundit i gjeneralit Zhang Youxia, për vite një nga aleatët më të besuar të Xi dhe në krye të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, ka zbuluar përplasje të brendshme mbi menaxhimin e forcave të armatosura.
Për ta komplikuar më tej situatën është çështja e Tajvanit. Uashingtoni po përgatit një shitje masive armësh për ishullin, me një paketë të shpallur rreth 11 miliardë dollarë. Për Xi do të ishte një goditje politike delikate në prag të kongresit të Partisë Komuniste në vitin 2027, kur ai synon të marrë një mandat të katërt në krye të vendit.
Disa analistë amerikanë e lexojnë ofensivën kundër Iranit si një lëvizje të tërthortë kundër Kinës. Sipas një komenti të publikuar nga Hudson Institute, operacioni Epic Fury synon të dobësojë ndikimin kinez në Lindjen e Mesme dhe do t’u lejojë Shteteve të Bashkuara të përqendrojnë më shumë burime strategjike në Indo-Paqësor.
Në këtë interpretim sulmi ndaj Iranit nuk është qëllimi, por fillimi i një strategjie më të gjerë: hapja e asaj që disa e quajnë "shekulli indo-paqësor", përballja e madhe mes Uashingtonit dhe Pekinit.
Ajo që është në lojë kthehet përsëri te Tajvani. Trump dëshiron të pengojë që Kina të tentojë ndaj ishullit atë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë më parë në Venezuelë dhe më pas në Iran: një veprim të shpejtë të aftë për të përmbysur ekuilibrat rajonalë. Duke goditur aleatin kryesor të Pekinit në Lindjen e Mesme, Uashingtoni dërgon një sinjal paralajmërues.
Nuk është rastësi që Kina blen pjesën më të madhe të naftës iraniane me çmime të ulëta. Për Pekinin këto furnizime përfaqësojnë një lloj sigurimi strategjik: një rezervë energjetike e dobishme në rast sanksionesh perëndimore gjatë një krize për Tajvanin.
Në këtë trekëndësh mes Uashingtonit, Pekinit dhe Teheranit ndërthuren paralelizma historike interesante. Në janar 1979 Shtetet e Bashkuara dhe Kina vendosën marrëdhënie diplomatike zyrtare pikërisht ndërsa shahu pro-amerikan u rrëzua nga revolucioni iranian. Në vitet tetëdhjetë Pekini u bë një nga furnizuesit kryesorë të armëve për Teheranin gjatë luftës Iran-Irak. Dhe 4 qershori 198, dita e vdekjes së ajatollah Khomeinit, përkoi me shtypjen e protestave në sheshin Tiananmen.
Sot vdekja e pasuesit të tij Khamenei në një sulm amerikan i rikthen edhe një herë këto tre vende në të njëjtin skenar gjeopolitik.
Nëse konflikti me Iranin do të zgjatet, udhëtimi i Trump në Pekin mund të shtyhet ende. Por një gjë duket tashmë e qartë: ofensiva amerikane nuk është vetëm një çështje e Lindjes së Mesme. Është një rrezik i llogaritur në një konkurrencë globale. Dhe ndërsa bota vëzhgon pasojat e krizës iraniane, ekziston një pikë tjetër vëzhgimi: në ngushticën e Tajvanit dhe në ekuilibrin e fuqisë në Paqësor./Corriere della Sera
Komente










