TIRANË- Pothuajse 6 muaj që prej incidentit të 6 dhjetorit ku u godit me grusht ish kryeministri Sali Berisha, ekspertiza mjeko-ligjore ka dalë në përfundime për gjendjen mendore të autorit. Bëhet fjalë për Gerti Shehun, i cili në protestën e bërë nga Berisha, (në të njëjtën ditë që u mbajt edhe samiti i liderëve të BE-së në Tiranë), e goditi me grusht në fytyrë.

Sipas burimeve të gazetares së Report Tv, Keti Banushi, pas ekspertizës Prokuroria e Tiranës ka kërkuar shtrim në spitalin psikiatrik për Gerti Shehun. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, agresori i Berishës rezulton ‘jo i qëndrueshëm mendërisht’.

Megjithatë duhet theksuar se ish kryeministri Berisha, e shfrytëzoi edhe këtë incident të tijin politikisht. Aso kohe, kreu i Rithemelimit ka akuzuar kryeministrin dhe qeverinë Rama se kishte gisht në këtë sulm ndaj tij. Ndonëse, kjo retorikë u pasua edhe nga mbështetësit e tij, në një prononcim të Report Tv mjeku i tij e konfirmoi qysh më 6 dhjetor se Gert Shehu vuante nga probleme të shëndetit mendor.

Report Tv siguroi edhe dokumentin, ku evidentohet qartë diagnoza e mjekut se i riu vuante nga ‘Çrregullim psikotik i papërcaktuar’

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama kërkoi që të zbardhet akti i sulmit që e konsideroi të pajustifikueshëm.