Një 53-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Himarës pasi qëlloi me armë zjarri pistoletë në ajër.

Sipas policisë incidenti ndodhi pas një konflikti, motivet e të cilit janë të paqarta.

Arma e zjarrit dhe krehri i saj me fishekë u sekuestruan si provë materiale.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Bunec, ishte qëlluar me armë zjarri, organizuan punën dhe finalizuan operacionin e koduar “Bunec”.  

Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi F. L., 53 vjeç, banues në fshatin Bunec.  

Nga veprimet hetimore dyshohet se 53-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin M. D., ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, në ajër.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë dhe krehri i saj me fishekë”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", "Kanosja" dhe "Prishja e qetësisë publike".

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë