Pas 2 orësh ndjekje në det, jahti luksoz u ndalua pranë Himarës. Ky është momenti kur 4 personat që ndodheshin në bord shoqërohen nga policia.

Burime pranë grupit hetimor thanë se personat që ndodheshin në bord tentuan të largoheshin me gomone dhe më pas fikën dritat e jahtit. Në njoftimin zyrtar, policia nuk përmend as tentativën për t'u larguar dhe as fikjen e dritave.

Në bord ndodheshin Bruno Çela, djali i biznesmenit Geront Çela, i cili drejton disa kompani, mes tyre edhe “Brunes”. Njëherësh, 31-vjeçari është anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës nën siglën e PSD së Tom Doshit.

Në jaht ndodhej dhe biznesmeni i ndërtimit Pashk Gjini bashke me Afrim Kastratin e Leonard Hasën.

Pashk Gjini nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai u lirua nga burgu në fund të vitit 2022, pasi vuajti në Shqipëri dënimin e njohur nga autoritetet spanjolle për trafik ndërkombëtar droge. Paralelisht, ndaj tij SPAK vijon hetim pasuror. 60-vjecari eshte pronar i kompanisë së ndërtimit “Alesio 2014”, e cila ndër vite ka fituar dhe tendera publikë. 

Të katërt u vunë në ndjekje policore pas sinjalizimit që mbërriti rreth orës 21:00 të së dielës nga pushuesit e Palasës që raportuan për të shtëna që vinin nga jahti. Burime pranë grupit hetimor thonë se 4 personat janë marrë në pyetje dhe më pas janë lënë të lirë. Ata kanë deklaruar se nuk kanë qëlluar me armë. Hetuesit u kanë marrë mostra nga duart për ekspertizën e mbetjeve të barutit, analizat e së cilës pritet të tregojnë nëse ndonjëri prej tyre ka përdorur armë.

Zyrtarisht, policia deklaroi se gjatë kontrollit në jaht nuk u gjetën armë zjarri apo sende të tjera të paligjshme. Tashme çështjen po e ndjek prokuroria e Vlorës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:11
Të shtënat nga jahti në Palasë/ Bruno Çela, djali i pronarit të 'Brunesit' mes 4 të ndaluarve! Dhëndri i Tom Doshit aksioner në disa kompani, përfshirë për mjetet lundruese

1785747075_brunocela.jpg

Bruno Çela është një prej 4 të ndaluarve në jahtin në Palasë prej të cilit u dëgjuan të shtëna. 31-vjeçari bashkë me 3 të tjerë tentuan t’i shpëtonin policisë që i ndoqi për dy orë në det, por më pas përfunduan në duart e efektivëve.

Çela është djali i Geront Çelës, pronarit të ‘Brunes’, biznes për pllakat e pajisjet hidrosanitare.

Gjithashtu ai rezulton aksioner në një kompani mjetesh lundrimi, ‘MennYacht Albania’, ‘AKBC Invest’ dhe BB Orikum Invest, biznese për ndërtim e menaxhim strukturash turistike si dhe te ‘Vlora Marina.’

Në maj 2023, Bruno Çela kurorëzoi dashurinë me vajzën e Tom Doshit, Briana, në një ceremoni madhështore në Tiranë.

Gjithashtu Bruno Çela është futur në Këshillin Bashkiak të Tiranës bashkë me dy anëtarë të tjerë të PSD-së së Tom Doshit, ku ishte listuar i pari.

Nga të ndaluarit e tjerë emër i njohur është edhe ai i Pashk Gjinit, person me precedent penal në fushën e narkotikëve që sot rezulton biznesmen, si dhe Afrim Kastrati e Leonard Hasa.

Ekstrakti i QKB për Brunes

Ekstrakti i QKB për MennYacht Albania

Ora 09:20
Të shtënat nga jahti në Palasë, nuk gjendet arma! Pamje nga kontrolli i policisë brenda mjetit lundrues (VIDEO)

Policia nuk ka konstatuar asnjë send apo mjet të kundraligjshëm gjatë kontrolleve në bordin e jahtit të kapur në Palasë dhe 4 të ndaluarve. Sipas njoftimit zyrtar, operacioni nisi pas njoftimit se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër. Policia u vu në ndjekje të jahtit me forca nga deti e toka, ndërsa mjeti lundrues po lëvizte drejt Himarës. Ndërkohë vijon hetimi për të përcaktuar nëse të shtënat janë bërë nga ndonjëri prej të ndaluarve.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme, ku rreth orës 21:00 është marrë njoftim se, në det, përballë Palasës, dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri në ajër nga një mjet lundrues, ju informojmë se:

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë e mundur ndalimi i jahtit në det, përballë Himarës, si dhe shoqërimi i tij së bashku me personat që ndodheshin në bord, konkretisht shtetasit B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, ku nuk u konstatua asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.

Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

P.J/E.H/Shqiptarja.com

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Dikush: 03/08/2026 20:21

    Pago ca lek shefin dhe e fshehin policet armen

    Përgjigju
  • Lala: 03/08/2026 14:48

    Qenka dhe biznesmeni I denuar me pare ber droge.cfar kombinimi perfect

    Përgjigju
  • tiku: 03/08/2026 14:21

    Nuk gjenden armë....ahaaaa në fakt detin e kishin larg për të hedhur armën....këta janë kontigjente krimi prandaj mirë bëtë që i lëshoni.

    Përgjigju
  • Afrimi: 03/08/2026 12:42

    Nese une nuk i ndaloj policit te rrugores vete brenda, keta 2 ore ndjekje pasi nuk kishin bere asgje, me siguri, lihen te lire pas 2 oresh...ky eshte ligji i barabarte per te gjithe.

    Përgjigju
  • Zhist Patronazhisti: 03/08/2026 10:25

    Po keta qenkan tanet mo. Ne thame se mos ishte rebelim kunder lekut te piset.

    Përgjigju
  • Lezhjani: 03/08/2026 09:43

    Normal qe nuk u gjet gja, i kanë hedhur ne detë.

    Përgjigju
    • Tan: 03/08/2026 10:08

      Nuk ka problem edhe pse nuk gjendet arma. Mjafton ekzaminimi per faktor plotesues te 4 personave.

  • roi: 03/08/2026 09:35

    Në fakt nuk kanë pasur ku ta fshihnin armën sepse detin e kanë pasur larg... Po ai personi që qëlloi përse u fut në det natën apo për not.... Sot krimi është sofistikuar shumë...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00

    Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?