Presidenti Tajip Erdogan deklaroi se çdo sulm ndaj një anijeje turke që eksploron për naftë dhe gaz në ujërat e Mesdheut do të ketë një "çmim të lartë".

Tensionet në Mesdheun lindor janë rritur ndjeshëm këtë javë pasi Turqia dërgoi një anije në detin Mesdhe, në kufi me Greqinë, për të eksploruar naftë dhe gaz. Por, një veprim i tillë u cilësua si provokim nga autoritetet greke.

Si përgjigje, Presidenti Emmanuel Macron tha se Franca do të rrisë praninë e saj ushtarake në rajon dhe i bëri thirrje Ankarasë të ndalojë punën e saj eksploruese. Forcat Franceze dhe Greke mbajtën stërvitje ushtarake jashtë Kretës në ditën e enjte.

Erdogan foli në telefon me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Presidentin e Këshillit të BE Charles Michel. Ai "përsëriti angazhimin e tij për të mbrojtur të drejtat e Turqisë kundër përpjekjeve për mosrespektimin e tyre", tha zyra e Erdoganit për telefonatën me Michel.

Të dy Turqia dhe Greqia thanë këtë javë se ata ishin të gatshëm të zgjidhnin mosmarrëveshjen për pretendimet e tyre të mbivendosura detare, por u zotuan të mbronin interesat e tyre dhe fajësuan palën tjetër për qëndrimin.

"Rruga për një zgjidhje në Mesdheun lindor është përmes dialogut dhe negociatave. Nëse veprojmë me kuptim dhe arsye të përbashkët, mund të gjejmë një zgjidhje fituese që plotëson interesat e të gjithëve. Ne nuk po ndjekim ndonjë aventurë të panevojshme dhe nuk kërkojmë tensione", tha Erdogan.

Duke iu referuar qëndrimit të Francës, Erdogan tha se Greqia po shtyhej të ndërmarrë "hapa të gabuar" në rajon nga "një vend që nuk ka as një bregdet në Mesdheun lindor".