Rezultoi një natë makthi transferta e Milanit në Angli kundër Bournemouth në Europa League. “Djalli” kapitulloi 3-0 kundër ‘qershive’ që zhbllokuan që në minutën e 8 me Kluivert. Pak çaste më vonë ndeshja do të komplikohej jashtë mase nga Maignan, portieri i Milanit i cili u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje antisportive. Francezi u bë portieri i parë në historinë e Milanit i cili ndëshkohet direkt me karton të kuq në Kupat e Evropës. Ky episod solli një tjetër penallti për anglezët, të cilët këtë herë dyfishuan me Tavernier.

Në pjesën e dytë Adli vulosi shifrat përfundimtare, ndërsa rezultati mund të kishte qenë më i thellë në rast se portieri Torriani nuk do të kishte performuar në nivel të lartë. Për Milanin kjo është humbja e dytë pas 3 ndeshjeve në Europa League.

Më shumë se barazimi 2-2 nuk shkoi as Juventusi kundër Renne. Madje ‘zonja e vjetër’ shmangu humbjen me Ëoltemade, pasi francezët përmbysën golin e Celik me rrjetat e Tamari-t dhe Dia-s. Në pjesën e dytë goli i sulmuesit gjerman vulosi shifrat përfundimtare, duke treguar se ‘zonja e vjetër’ nuk po kalon një moment të mirë.

Pas 3 ndeshjeve të para grupin e madh të Europa League e udhëheq Benfica që sfidën e fundit e fitoi 1-4 kundër Omonia-s. Portugezët janë në kuotën e 9 pikëve, por mbajnë vendin e parë për shkak të golavarazhit. Me pikë të plota pas 3 ndeshjeve të para janë edhe Bayern Leverkusen, Bournmouth, Ferencvaros dhe Olympiacos.

Në Conference League supersfida Ajax-Atalanta u fitua 2-0 nga holandezët. Të dy golat e vendasve erdhën në minutat e fundit të sfidës, ndërsa me këtë fitore Ajax mori 3 pikët e para, pasi 1 javë më parë u mposht nga Hajduk Split.