Qershor 1982/ Si e vranë policët Lucë Vukajn në galeritë e Spaçit 

Në 45-vjetorin e Revoltës së burgut të Spaçit, në emisionin “Dosja K”, në Report Tv, vjen një histori e panjohur, që zbulon majën e ajzbergut rreth qindra vrasjeve në galeritë e minierës së Spaçit, ku të burgosurit politik trajtoheshin si skllevër. Ngjarja e ndodhur në qershor të vitit 1982 dëshmohet nga ish i burgosuri politik Kujtim Kaziu, i cili humbi në një aksident të tmerrshëm shokun e tij të qelisë Lucë Vukajn.

Kushtet e tmerrshme ku punonin të burgosurit politik në minierën e Spaçit, norma sfilitëse që duhet të arrinin çdo ditë dhe torturat që ju bëheshin të burgosurve, kur nuk arrinin të plotësonin normën e caktuar nga kupola e regjimit, janë sfondi ku vendoset ngjarja tragjike e vdekjes së Lucë Vukajt dhe përballjes së nënës së tij me këtë fakt një muaj pasi i biri kishte humbur jetën…

Dokumentari “Fantazma e Lucës në galeritë e Spaçit” transmetuar mbrëmë në Report Tv, vjen si një homazh për të gjithë të burgosurit politik që humbën jetën në galeritë e vdekjes në Minierën e Spaçit.

Fantazma e Lucë Vukajt në galeritë e Spaçit
Luc Vukaj, ishte 25 vjeç. Në kulmin e rinisë. Kishtë ëndërruar lirinë dhe në tentativë për tu arratisur, ishte arrestuar e dënuar me 25 vjet burg në Spaç. Pikërisht atje, në Spaç, një mesnatë qershori të vitit 1982, në zonën numër 2 të minierës, i riu nga Vermoshi kishte dhënë frymën e fundit nën dhjetra ton pirit, mes asfiksimit, acidit dhe trysnisë së një mali që rëndonte mbi trupin e tij.

Kishte ndodhur një aksident i tmerrshëm.

Pranë, ngjitur me të, shpinë më shpinë, kishte një tjetër të dënuar, Banush Çuka nga Erseka, një shok vuajtjesh në ditë të vështira.

Prej të dyve, Luca do të qe jetëshkurtër. Ai nuk do të mbijetonte. Për tre ditë do të qëndronte aty nën rrënoja në galeri…. Ndërsa shoku i tij Banushi do të përjetonte tmerrin më të madh të jetës.

***

Spaçi është një vend në zgrip gjeografikisht, një nga ish-kampet më sfilitës të dhunës ndaj mendimeve e qëndrimeve kundër sistemit komunist… Që nga viti 1968, kur miniera e piritit u hap dhe u caktua kamp dislokimi e pune për kundërshtarët më të rrezikshëm të sistemit të asaj kohe, Spaçi u kthye në ferr për pinjollët e familjeve fisnike shqiptare, intelektualët, artisët e gjithë atyre që donin liri, zhvillim, drejtësi dhe emancipim shoqëror. Atje lanë mundin dhe moshën më të mirë krijuese mijëra djem e burra vetëm e vetëm se sistemi komunist i konsideronte armiq të rrezikshëm ndaj sundimit arbitrar të tij.

Të gjithë vendet e dënimit, gjatë gjithë regjimit komunist në Shqipëri, ishin vatra të një ferri të madh e të mundimshëm.  Por zemra e ferrit komunist duket se qe, miniera e piritit në Spaç apo siç njihej ndryshe zona e dytë e Spaçit.

Kujtim Kaziu, ishte një prej djemve që kaloi vitet më të bukura të rinisë në Spac. Ishte një talent në futboll. Por nuk do të mund të shkelqente. Sepse jeta e tij do të përmbysej rrënjësisht për një faj të çuditshëm, kishte shprehur pakënaqësi ndaj reggimit, njohur ndryshe në gjuhën e asaj kohe, “agjitacion e propagandë”. 

E kishin dënuar dhe çuar në burgun minierë të Spaçit. Drejt e në ferr. Atje ishte njohur me Lucën dhe Banushin. Punonin të tre në nëj brigadë deri ditën e aksidentit fatal….

Kujtimi nuk e ka aftësinë e të shprehurit bukur, por është një dëshmitar i dorës së parë. Ai do të tregojë përjetimet e tij personale, mbi kushtet e tmerrshme ku punonin të burgosurit, jeta e të cilëve nuk kishte pikë rëndësie për regjimin. Tek e fundit ata ishin thjeshtë, shifra tonësh minerali në statistikat e planeve ditore apo mujore që regjimi kishte vendosur për burgun e Spaçit.

Regjimi i rreptë dhe puna sfilitëse…
“Që kur u dënova dhe shkova në atë kamp ishte një ferr. Nuk isha i sigurt nëse do të dilja ndonjëherë i gjallë nga ai burg. Kushte shumë të vështira, nëj regjim shumë i rrepte. Puna ishte me turne, punë shumë e rëndë në minierë, mes ujit, të ftohtit.

Çoheshin në orën 5 t ëmëngjesit dhe bëheshim gati për punë. Puna ishte 7 me 3, dhe vijonte kështu me tre tureen. Nuk kishim kurrë pushim as të diela, as festa… Si normë ishte kjo: Kur nuk kishte shembje (plasje me dinamit) norma ishte 8 vagona. Ndërsa minatory do të vinte dy palë trupa dhe do bënte gati vrimat për shembje me dinamit që do ta bënte turni i   radhës. Kur ksihte shembje norma ishte 25 vagona.

Norma ishte e detyrueshme. Dhe nuk diskutohej. Po të përzihej piriti me dhe kishte tjetër hesap, kishte tortura. Nëse polici e shihte që minerali kishte dhe, thoshte “ja armiku i popullit, edhe këtu bën punë sabotuese!”

Muzike dhe efekte pamje spaci nga lart….
Kujtimi sjell ndërmend disiplinën e rreptë që ekzistonte në këtë kamp, ku të burgosurit nuk kishin as të drejtat më themelore. Ata shiheshin thjeshtë dhe vetëm si forcë pune…

 “Ishte një polic Pjetër Koka që çdo i burgosur e ka në kujtesë, nji nga xhelatët më të egër që ka pasur Spaçi. Nëse turni i parë mund të hante shpejt e të nisej për në punë, turni i dytë dhe i tretë, kur ai ishte në sherbim, do të rrinin mbi një orë në tarracë në rresht, në  plus 40 a minus 20 gradë sipas stinës, në rradhë për të ngrënë nëj pjatë supë e për të shkuar në punë në minierë. Ishte xhelat me plot kuptimin e fjalës.

Po tregoj për rregullat e brendshme.  Dhomat ishin..flinim në ato dërrasat me kate. 50 veta në nëj dhomë, pa dritare… me tre batanije të kohës së luftës. Dyshekët ishin prej kashte. Prisnim çdo behar që të ndërrohej kashta. I mbushnim e I qepnim vetë. Mund të flinim 4 apo 5 peti rehat e më tej ishte sikur të flije mbi dërrasë…”. 

Miniera e priritit për shkak të karakteristikave të këtij metali, ishte një prej zonave më të rrezikshme në Spaç. Piriti eksportohej gjatë viteve të regjimit kryesisht në Turqi dhe përdorej për acidin e baterive të makinave. Në galeritë e kësaj miniere nxehtësia që çlironte ky mineral shkonte deri në 65 gradë celisius dhe përqendrimi i acidit ishte shumë i lartë. Presioni që shkaktonin shtresat e pasura me këtë mineral krijonin trysni të vazhdueshme dhe galeritë nga viti në vit, sa vinin e ngushtoheshin, aq sa në disa zona ecja e të burgosurve bëhej vetëm në pozicionin e kërrusur. Po ashtu të kërrusur dhe me lopate me gjysëm bishti, ndonjëherë edhe me kasketën që mbanin në kokë, ata ishin të detyruar të mbushnin vagonët për të plotësuar normën sfilitëse.

Ky presion, shkaktonte në fronte të ndryshme të galerive shembje të shumta. Sipas dëshmive të shumë të dënuarve që kanë punuar në këtë minierë, në galeritë e saj, shembjet ishin të zakonshme dhe aksidentet aq të shpeshta sa jeta dhe vdekja i kishin shkrirë kufijtë mes njëra - tjetrës…

 “Kur shkonim në galeri dhe ndaheshim nga shokët nuk thonim asnjëherë mirupafshim, por lamtumirë. Aq të tmerrshme ishin kushtet atje sa nuk prisnim që… (të dilnim gjallë).”

 “Njeriu është shumë i fortë. Aty e kam parë. Kur ishim brenda në galeri temperatura ishte plus 60 gradë cesius ndërsa kur dilnim të shkarkonim jashtë diku rreth 30-50 metra jashtë galerisë temperature ishte -20 gradë, masivet e akullit sa unë në këmbë… Bymehu –tkurru, dilnim nga galeria me avull e ktheheshin ën galeri po me avull. Kushte skllavëruese…”

Një ëndërr paralajmëruese…
Ai mal i ngrysur ku parakalonin dimra të acartë me temperatura deri -20 gradë celsius, ishte gërmuar deri në zemër të tij. Atje thellë në galeritë e errëta, ku pikla acidi pikonin mbi trupat e zhveshur të të burgosurve, qindra burra hynin çdo ditë duke menduar se do të qe dita e fundit e jetës së tyre. Udhëtimi drej zemrës së këtij mali ishte për ta udhëtim drejt vdekjes. Dhe kur shënohej viktima e radhës, për regjimin ishte thjeshtë “një armik më pak”.

Njësoj do të ngjiste edhe me Lucë Vukajn. Ai do ta parashikonte fatkeqësinë e tij një javë para se të ndodhte...

“Ka qenë qershor i vitit 1982… Kishim mbaruar punën dhe kishim dalë në nëj kodër ku binte pak dielli. Aty prisnim shokët që të dilnin për të ikur në kamp. Luca më thotë “Kujtim kam parë një ëndër. Kam parë një kalë të bardhë. Është shumë keq i thashë nëse sheh ëndërr të tillë”. Por e kaluam me shaka. Duhet të ketë qenë e enjte ose e premte, se javën që do të vinte ne do të kalonim turni i tretë. Vijuam punën derisa erdhi java që do të punonim turni i tretë”.

Luca, me 300 ton pirit mbi trup…
Ishte një natë ferri, si çdo natë tjetër në Spaç. Do të ndërroheshin turnet në zonën e dytë të minierës. Brigada kishte marrë turnin. Ishin shpërndarë nëpër galeritë ku ishte caktuar të punonin. Kujtim Kaziu, Lucë Vukaj dhe Banush Çuka, ishin nisur drejt vendit të tyre të punës. Turni që kishte qenë para tyre kishte bërë plasjen. Galeria duhej ajrosur fillimisht e më tej do të kontrollohej sa mineral kishte fronti i tyre. Për fat të keq, tre të rinjtë nuk do të mund ta plotësonin normën atë natë…

 Kujtim Kaziu: “Shkuam të tre: Unë, Banushi dhe Luca. Pamë që nuk kishte mineral aq sa pritej. Ishin vetëm tre katër vagona.

Por e drejta ime si minator ishte që të kontralloja frontin me levë. Vura re që sado e pastroja frontitn piri vijonte të binte. U thashë shokëve: bëni kujdes se galeria do të shembet sonte. Jep shenja ka shumë presion. Por ata ishin të rinj. Pasi unë kisha dalë për të shkarkuar vagonin e parë. Kishte ardhur polici Dod Ndreka, brigadieri i lirë Nikoll Prenga dhe brigadieri I dënuar Sami Sulku. Ata i kishin parë të gjithë frontet dhe atë ditë rrezikohej plani i brigadës. Por plani ishte detyrim. Kur shkova i gjeta të dy shokët të mërzitur. I pyeta pse ishin mërzitur dhe më thane ka ardhur polici e na tha: “o shpirtin o planin. Sot, rrezikohet plani”… Ju thashë nuk duhet me e kalu frontin se galeria do të shembet sot, jep shenja shumë të këqia. Mos bëni gabim, me lënë kokën për dy vagona mineral. Më mirë pranojmë të na lidhin te shtylla jashtë…”

Kishte kaluar mesnata, kur tre të burgosurit, po e përfundonin mineralin që kishin gjetur në fronin ku po punonin. Kujtimi thotë se i kishte mbetur për tu nxjerrë jashtë edhe vagoni i katërt. Ai e ksihte marrë marrë vagonin dhe ishte drejtuar për në dalje të galerisë. Pas krahëve, kishte lënë dy shokët e tij Lucën dhe Banushin…. 

  “Ishte ora 1:30 pas mesnate. Kur nxorra vagonin e fundit ndjej një shembje. Një zhurmë e tmerrshme. E lashë menëjherë pagonin. Mora kandilin dhe vrapova drejt shokëve…ma ndjeu zemra se kishte ndodhur diçka…”(qan).

 “Shkoj Brenda dhe i shoh të dy shokët që i kishin trupat të mbuluar. I kishte zënë të dy piriti kurriz më kurriz…. Ishte e kotë, por u munduam me gjithë shpirt ti shpëtonim të dy. Për Lucën ishte shumë e vështirë. Banushi ishte me fytyrë nga tubi i ajrit, ndërsa Luca ishte në të kundërt me fytyrë nga fronti që ishte shembur…e çamë në qafë duke u munduar të largonim mineralin që vijonte të binte. Vëtëm aty kam parë se si zmadhoheshin sytë e njeriut sikur të ishte syri një dardhë. E tmerrshme! Arritëm ta nxjerrim Banushim. E çuam me të shpejtë në spital. Ndërsa Lucën e kanë nxjerrë vetëm pas tre ditësh. Kishte mbi 300 ton pirit sipër! Trupi ishte bërë shoshë. Ne nuk e kemi parë kur ata e kanë futur trupin në arkivol, por morëm vesh që e kishin future në arkivol siç e gjetën, të mbledhur. Nuk kishin arritur ta drejtonin”.

Përpjekje dëshpëruese për drejtësi
Pas atij aksidenti Kujtim Kaziu përpiqej më kot të kërkonte drejtësi. Rasti ishte raportuar si aksident, pa asnjë shpjegim tjetër. Atë mesnatë, urdhrin e dhënë nga polici dhe dy brigadierët për të punuar në një front të rrezikshëm s’kishte kush ta dëshmonte. Luca kishte vdekur dhe shoku i tij i plagosur rëndë luftonte ende me vdekjen.

 “Bëmë fjalë me policin dhe me brigadierin e dënuar. I thamë ju i keni detyruar ata që të kalonin sigurimin teknik, vetëm për të realizuar planin.

Unë jam një tip që nuk e duroj padrejtësinë, dhe ngjarja të tregohet siç ëhstë.  Kur ne ishin në burg dhe vdiste dikush në galeri bëhej një procesverbal ku shkruhej vetëm “vdiq në galeri” dhe asgjë tjetër. Se si ndodhi, a u vra, a e zuri galeria, a rrëshqiti aksidentalisht apo e detyroi dikush…, asgjë vetëm e fusnin brenda katër dërrasave dhe mbyllej gjithçka.

Unë i thashë policit: Nuk do lë më kaq, do t’i shkruaj ministrit të brendshëm”…

Pas kësaj unë i kam shkruajtur Minsitrit të Brendshëm duke i treguar se Luc Vukajn e kanë mbytur, e kanë detyruar të futej në nëj front të rrezikuar jahstë sigurimti teknik vetmë e vetëm që të plotësonin normën.  Nuk mora asnjë përgjigje. Pas 5 javëve me thërret operative i kampit, një njeri shumë i nderuar, Shyqyri Toska, dhe më thotë ‘mos i shkruaj më ministrit të Brenshëm se do të të zhdukin në galeri’. Më erdhi keq…”

Shihja fantazmën e Lucës…
Pas aksidentit Kujtim Kaziu thotë se kishte pësuar tronditje të thellë. Nuk mund të futej më në galeri.  Kishte refuzuar fillimisht të rikthehej në punë. Por më vonë nuk i kishin lënë zgjidhje tjetër. Ishte detyruar të rikthehej në vendin e tmerrit….

“Sa herë futesha në galeri, aty kanë parë se si të dilte para njeriu i vdekur. Më dilte Luca para sysh. Për dy javë nuk u futa në galeri. Qëendroja jashtë… Por më pas u detyrova të rikthehem në minierë se kishte ndëshkrime shumë të rënda. Aty kam parë për herë të parë këtë gjë. Ishte Luca siç e ksiha takuar para se të ndodhte aksidenti. Si i gjallë vetëm 5 metra larg meje….”

Nëna e Lucës kërkon të takojë të birin…
Pas aksidentit familja e Lucë Vukajt, në Vermosh nuk kishte marrë asnjë lajm. Si rregull, kampi duhet të njoftonte Ministrinë e Brendshme e të raportonte që kishte ndodhur një aksident. Po ashtu drejtoria e kampit duhet të njoftonte edhe degën e Shkodrës në këtë rast nga ishte Luca dhe dega e Shkodrës duhet të lajmëronte familjen në Vermosh që djali ishte aksidentuar…

 “Nuk e lajmëruan familjen e Lucës. Luca kishte vetëm nënën e cila vinte një herë në muaj dhe e takonte. Kur ajo erdhi askush nuk guxonte të dilte e ti thoshtë se djali nuk jeton më. Komanda nuk I thoshte asgjë. As ne nuk kishim guxim. Dolën dy bashkëfshatarë nga Vermoshi dhe ia komunikuan. Ishte tmerrësisht e vështirë, por ajo e përballoi si një trimëreshë, një nënë tipike malësore…”

Nëna e Lucës u largua nga Spaci me peshën e rëndë të këtij lajmi, pa mundur ta shohë më djalin e saj, e pa ja marrë madje as eshtrat. Për regjimin komunist ai ishte ende i burgosur dhe në këto kushte trupi i jepej familjes vetëm pasi ai ta kishte përfunduar të gjithë kohën e dënimit.  

Luca mbeti ende edhe për shumë kohë atje, në atë skaj të trishtë në një varr anonim me një numër përbri… 

 “Varrezat i kishim në Shpal, ngjit me varrezën e të lirëve. Të lirët e kishin varrezën të rrethuar me kangjella ndërsa varret e të dënuarve ishin vetëm me nga një numër përsipër. Varej sa kishte shkuar numri i të dënuarve të vdekur. Ndërsa brenda në arkivol vinin një shishe aranxhate dhe brenda saj vendosinin gjithë dokumentacionin me të dhëna personale dhe mbi dënimin e tij, kartela e të vdekurit. Të gjithë ashtu janë gjetur përmes dokumenteve që ruheshin në këto shishe...”

Në Spaç, mes atyre maleve të ngrysur në formë hinke, në thellësi të shkëmbinjve, Zoti kishte falur një pasuri marramendëse. Regjimi komunist e shfrytëzonte këtë pasuri minerale përmes punës së detyruar të të burgosurve politikë dhe kësisoj i zgjaste jetën pushtetit.

Për regjimin, rëndësi kishin vetëm, tonët e bakrit dhe piritit që nxirrej çdo ditë nga zemra e atyre maleve. Gjithçka tjetër aty ishte e pavlerë sidomos jeta e atyre të rinjve që edhe të vdekur nuk mund të ktheheshin në familje. Ata nuk meritonin të ksihin as emrin e tyre mbi varrin burg ku vijonin të vuanin dënimin politik.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja