Udhëheqësit e Ukrainës janë përpjekur të qetësojnë ankthin mes popullatës, ndërsa kërcënimi i një pushtimi rus është kudo i pranishëm. Ukrainasit kanë shfrytëzuar mediat sociale për të ndarë këshilla se si të përgatiten për luftë.
Në rrugët e kryeqytetit jeta vazhdon si normalisht ndërsa shumë njerëz ngurrojnë të flasin hapur rreth tensioneve. Është një mëngjes i qetë në kryeqytetin ukrainas. Asnjë shenjë nuk të sugjeron se kjo është qendra e një vendi nën presion në rritje nga Rusia dhe se Moska po grumbullon trupa në kufirin e saj.
Banorët vazhdojnë rutinën e tyre të përditshme, por duket qartë se kjo nuk është një ditë e zakonshme. Valentina, banore e kryeqytetit, thotë për Zërin e Amerikës se ka bindjen se gjërat do të shkojnë mirë, por ajo nuk mund ta fshehë faktin se është nervoze.
“Padyshim që situata po ndikon shumë tek ne, por kam besim të madh tek e drejta e kauzës së Ukrainës; për forcën e saj, për të ardhmen e saj. E dua vendin tim aq shumë sa besoj se gjithçka do të shkojë mirë.”
Shumë prej atyre që folën mendojnë se nuk ka gjasa për një pushtim të plotë rus të Ukrainës. Një banor, që thotë se quhet Vladimir, beson se Rusia nuk do të veprojë.
“Nuk do të ketë luftë, sepse ka dallim të madh mes dëshirës për luftë dhe aftësisë për ta realizuar atë. Ata e kanë kapacitetin e madh ekonomik të nevojshëm.”
Një tjetër banor i kryeqytetit, Igori, thotë se Moska po bën bllof.
“Rusia i bën të gjitha këto për t'ju detyruar të negocioni me ta.”
Por optimizmi në këto rrugë errësohet shpejt nga shqetësimet për rifillimin e luftës në rajonet lindore të vendit.
Në një bisedë, Yulia përpiqet të shprehë optimizëm pavarësisht nga ato që dëgjon se po ndodhin në lindje të vendit.
“Besoj tek një e ardhme pa luftë, por situata është e komplikuar. Përpiqem të mos mendoj për luftën dhe të mos shikoj lajmet, por brenda vetes jam e shqetësuar.”
Një tjetër banore e kryeqytetit, Irina, thotë se kërcënimi është i menjëhershëm.
“Jam e shqetësuar për prindërit që jetojnë në rajonin e Luhansk-ut afër Donbas-it”.
Zhvillimet në Kiev, pavarësisht përpjekjeve për të vazhduar jetën si zakonisht, po ndiqen nga mbarë bota, një situatë nga e cila banorët duan të shpëtojnë sa më parë që të jetë e mundur./VOA/