Duke folur si zakonisht para kamerave, kryeministri nuk ka thënë asnjë fjalë për rritjen e premtuar të pagave dhe pensioneve. Nga kjo datë, botimi i çdo lloj njoftimi për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzime kapitale dhe korrente të njësive të qeverisjes së përgjithshme, sipas ligjit “Për prokurimin publik”, do të bëhet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave.
Përjashtohen nga ky rregull njoftimi i kontratës së nënshkruar për procedura të shpallura para dates 15 korrik; njoftimi i kontratës së nënshkruar për procedura për negociim pa publikim, kur këto kontrata janë lidhur deri në datën 7 korrik dhe janë dërguar për publikim brenda afatit ligjor; fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi të qeverisjes së përgjithshme, në të cilat kryhet ky shërbim; prokurimet për blerjet e vogla dhe investimet nga të ardhurat e realizuara nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme.
Qeveria ka vendosur që shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes të njësive të qeverisjes qendrore, të pakontraktuara deri në datën 15 korrik, pasi të zbriten fondet për pagesën e energjisë elektrike, ujit dhe telefonisë, të ngurtësohen në masën 20 për qind të pjesës së mbetur. Po kështu, do të reduktohet 30 për qind masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare për çdo përfitues ndër personat juridikë, publikë.
Ndërsa fondet e papërdorura për pagesën e telefonisë fikse, për periudhën e mbetur, reduktohen në masën 50 për qind në të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nëpërmjet përgjysmimit të limiteve mujore për çdo përdorues.
Fondi i veçantë i planifikuar në njësitë e qeverisjes së përgjithshme nuk përdoret deri më 2 dhjetor 2013, përveç rasteve për ndihma të menjëhershme dhe të shpërblimit për daljet në pension pleqërie, pavarësisht nga masa e përcaktuar në akte të tjera ligjore e nënligjore.
Shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit për njësitë e qeverisjes së përgjithshme do të reduktohen duke lejuar financimin me fonde buxhetore vetëm të udhëtimeve të rëndësisë së veçantë, për aktivitete që përfshijnë titullarët e institucioneve qendrore ku pjesëmarrës mund të jenë ata vetë apo të deleguarit e tyre, theksohet në VKM. Ndërkohë që, trajnimet, seminaret apo kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2013, bllokohen.
SHPENZIMET BUXHETORE, QE BLLOKOHEN
- Nga data 15 korrik 2013, botimi i çdo lloj njoftimi për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzime kapitale dhe korrente të njësive të qeverisjes së përgjithshme bëhet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave
- Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes të njësive të qeverisjes qendrore, të pakontraktuara deri në datën 15 korrik ngurtësohen në masën 20 për qind të pjesës së mbetur
- Reduktohet 30 për qind masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare për zyrtarët
- Fondet e papërdorura për pagesën e telefonisë fikse, për periudhën e mbetur, reduktohen në masën 50 për qind
- Fondi i veçantë i planifikuar në njësitë e qeverisjes së përgjithshme nuk përdoret deri më 2 dhjetor 2013
- Shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit për njësitë e qeverisjes së përgjithshme reduktohen duke lejuar financimin me fonde buxhetore vetëm të udhëtimeve të rëndësisë së veçantë
- Trajnimet/seminaret/kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore
- Fondet buxhetore të papërdorura deri në miratimin e këtij vendimi për trajnimet/seminaret/kurset brenda vendit reduktohen në masën 50%.
(ar.sh/shqiptarja.com)