Qeveria braktis Gardën, s'jepen
dietat e fushatës zgjedhore

Qeveria braktis Gardën, s'jepen<br />dietat e fushatës zgjedhore
TIRANE - Edhe pse sot janë mbushur dy muaj nga Zgjedhjet e 23 Qershorit në vendin tonë, teksa qeveria në ikje vazhdon të japë vendimet e saj të fundit, asaj nuk i janë kujtuar efektivët e Gardës së Republikës për t’u dhënë dietat, që sipas ligjit duhet të ishin dhënë para se të kryenin shërbimet. Bëhet fjalë për të gjithë efektivët e Gardës së Republikës, të cilët gjatë fushatës elektorale janë caktuar me detyra të ndryshme në zona të ndryshme të territorit shqiptar, me qëllim për të siguruar jetën e personaliteteve të larta shtetërore dhe institucionet e ndryshme, teksa ata zhvillonin takime politike nga njëri qytet në tjetrin.

Nga burime të besueshme pranë Gardës së Republikës mësohet se aktualisht ky institucion ka rreth 1000 efektivë dhe pjesa dërmuese e tyre presin të tërheqin paratë e harxhuara nga buxheti i tyre familjar, me qëllim për të kryer detyrat shtetërore. Sipas informacioneve të mbledhura nga gazeta “Shqiptarja.com”, rezulton se aktivizimi i tyre në mbarëvajtjen e udhëtimeve dhe takimeve të personaliteteve të larta shtetërore në fushatë ka nisur që nga muaji shkurt.

Sipas rregullores, kur personalitete të ndryshme udhëtojnë nga Tirana në qytete të tjera, Garda e Republikës ka për detyrë të sigurojë ambientet dhe jetën e personaliteteve, ku në të shumtën e rasteve ka qenë Kryeministri, ose Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, por nuk përjashtohen rastet, kur ata kanë zhvilluar takime edhe me personalitete të huaja jashtë kryeqytetit. Në këto kushte, Garda e Republikës është caktuar me detyra që të siguronin mbarëvajtjen e aktiviteteve, duke qëndruar me nga dy ose tre ditë jashtë Tiranës dhe larg familjes së tyre.

Ata kanë kërkuar dietat para se të udhëtonin, por atyre u është kërkuar që të flinin në hotele, të hanin nëpër restorante me paratë e tyre dhe më pas faturat t’i dorëzonin pranë financës së Gardës së Republikës, me qëllim që të shlyheshin borxhet. “Na thanë që të bënim çdo shpenzim nga xhepi ynë dhe tani nuk na paguajnë. Ka kaluar dy muaj pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe akoma nuk na kanë dhënë dietat” tregon efektivi i gardës. Por, fatura financiare e këtyre masave të ndërmarra sidomos gjatë fushatës elektorale ka qenë tejet e lartë, kështu që kjo duket se i ka tkurrur eprorët e Gardës së Republikës.

Nga efektivët që nga momenti në moment presin të marrin paratë e tyre, mësohet se atyre nuk u është dhënë asnjë kacidhe. Madje, ata kanë kërkuar të drejtat e tyre, por i kanë bërë presione se do ti largonin nga puna. Ndërsa të tjerë shprehen se Garda e Republikës ka kërkuar fond për këto dieta nga qeveria, por që nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Efektivët e Gardës shpjegojnë se kjo nuk është hera e parë që janë vonuar paratë e dietave, apo të orëve suplementare, sidomos gjatë viteve të fundit, pasi kanë kaluar edhe mbi katër muaj derisa janë likuiduar, pavarësisht se me ligj, dietat duhet të jenë të parapaguara. Por, shqetësues mbetet fakti që në një kohë të tillë, kur pushteti po ndryshon dhe ata kërcënohen me largime nga vendi i punës.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.08.2013
 
Redaskai Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Macron: Do të angazhohem personalisht për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit! Ftoj popullin serb të zgjedhin paqen

Presidenti Macron: Do të angazhohem personalisht për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit! Ftoj popullin serb të zgjedhin paqen