Pas alarmit për mungesë të burimeve njerëzore nga kryeministri Edi Rama një ditë më parë, eksperti Erjon Muça në një intervistë për Report Tv, shpjegon disa mënyra thjeshta sesi një sipërmarrje private mund të mbështesë punonjësit dhe t’iu krijojë atyre një ambient të mirë për të punuar.

Në një intervistë për ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, eksperti thotë se sipërmarrjet private duhet të ndjekin modele të organizimit të brendshëm të punës duke vlerësuar punonjësit me bonuse apo rritje page në bazë të produktivitetit të punonjësit. Muça thotë se duhet të hartohet një manual që më pas të zbatohet si nga institucionet shtetërore ashtu edhe privati, në mënyrë që të ndërhyhet për të frenuar largimin e punëtorëve.

“Zgjidhja vjen në formën e kombinimit të politikave publike, përfshirë strategjinë kombëtare të punësimit e cila duhet të kthehet në një plan ndërhyrjeje të drejtpërdrejtë në formë manuali në hapa konkret që duhet qoftë shteti apo edhe sektori privat drejt zgjidhjes së problematikës. E dyta, sipërmarrjet  private të marrin dhe përqafojnë modele të organizimit dhe strukturimit të tyre të brendshëm, ku klima miqësore, brenda një ambienti, mbështetja të jetë deçesive, duhet një sistem i mirëorganziuar për matjen e performancës që për punonjësit dhe shpërblim e rritje page në bazë të produktivitetit që ka në punë. Shumë kompani duhet të implementojnë një sistem të promovimit të brendshëm të punonjësit”, tha Muça në Report Tv.

Eksperti thotë se një tjetër mënyrë për të stimuluar punonjësit është promovimi i sipërmarrjeve private që kanë përmirësuar kushtet e punës, apo të promovohen modele frymëzuese brenda një kompanie në mënyrë që punonjësi të motivohet.

“Një tjetër gjë që duhet bërë është promovimi i vazhdueshëm i sipërmarrjeve private mbi ndryshimet që kanë bërë vitet e fundit karshi punonjësve, mbi hapat pozitivë që kanë bërë pozitivë në rritjen e pagës, përmirësimin e kushteve të brendshme, në modele suksese frymëzuese për punonjësit, me qëllim stimulin tyre që kur punonjësi të shkojë në punë të ndihet i kënaqur dhe jo ta shohë punën si një vend ku merr një pagë në fund të muajit”, tha Muça.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama u ndal në çështjen e pagave, ndërsa kërkoi nga bizneset private që të reflektojnë dhe të mbështesin punëtorët me paga më të larta, pasi vendi ndodhet përballë një alarmi që rrezikon të mbetet pa punëtorë.

Rama tha se deri më dje ishte një problem largimi i njerëzve, por sot po kthehet në një sëmundje të pashërueshme dhe duhet të bëhet çmos për të ndalur largimet, por kjo sipas Ramës nuk bëhet vetëm me rolin e qeverisë, por duhet të ketë një bashkim të të gjithë aktorëve.