Qeveria, dritë jeshile KURUM-it për import skrapi nga Serbia
Hyn në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave, që lejon shoqërinë Kurum International të importojë mbetje metalike të hekurit dhe çelikut, në sasinë 600.000 tonë në vit.
TIRANË - Ka hyrë në fuqi një vendim i Këshillit të Ministrave, që lejon shoqërinë Kurum International të importojë mbetje metalike të hekurit dhe çelikut, në sasinë 600.000 tonë në vit. Mbetjet importohen nga Serbia dhe Bullgaria, duke kaluar tranzit nëpërmjet Malit të Zi dhe Maqedonisë. Ky vendim ishte marrë më 21 dhjetor të vitit të kaluar, por do të bëhej efektiv vetëm pas publikimit në Fletoren Zyrtare, që ka ndodhur sot. Në të kaluarën, kontrolli fizik i ushtruar nga shërbimet e stacionit të policisë kufitare e migracionit në Bajzë, ditët e fundit të 2010-ës, doli se, në një vagon të ngarkuar me skrap, kishte predha artilerie dhe djegore të montuara në to. Treni i linjës Tuz (Mali i Zi)-Bajzë (Malësi e Madhe), kishte vagonin, që vinte nga Serbia, me origjinë firmën "Novo Metal" dhe destinacioni i këtij malli ishte kompania turke "Kurum" në Elbasan. Në fakt, edhe kompania ne Serbi është një degë e subjektit turk dhe drejtohet nga ish-drejtori i “Kurum”-it në Elbasan. Autorizimi jepet për importin e mbetjeve metalike për qëllime riciklimi.