Qeveria e Maqedonisë së Veriut vazhdon të mos publikojë në gjuhën shqipe procesverbalet e mbledhjeve të saj, edhe pse kanë kaluar gati 11 muaj nga përkthimi i fundit.
Sipas një verifikimi të Portalb.mk, procesverbali i fundit i publikuar në shqip mban datën 19 shtator 2025. Që prej asaj kohe, në faqen zyrtare nuk figurojnë 83 procesverbale në gjuhën shqipe.
Qeveria aktuale ka zhvilluar deri tani 193 mbledhje. Mungesë dokumentesh ka edhe në versionin maqedonisht për 25 mbledhjet e fundit, ku procesverbali më i fundit i publikuar është ai i 5 qershorit.
Portalb.mk i kërkoi sqarime Qeverisë për arsyet pse procesverbalet nuk publikohen në shqip dhe pse mungojnë edhe në maqedonisht, por nuk mori përgjigje.
Më herët, portali e kishte ngritur të njëjtën çështje edhe me ish-zëvendëskryeministrat e VLEN-it, Arben Fetai dhe Izet Mexhiti. Sipas Portalb.mk, edhe pse ata kishin deklaruar se procesverbalet ishin të disponueshme në gjuhën shqipe, verifikimet në faqen zyrtare tregonin të kundërtën.
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve parashikon gjoba nga 4 mijë deri në 5 mijë euro për institucionet që nuk zbatojnë detyrimet ligjore, si edhe sanksione për personat përgjegjës.
Problematika me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore u evidentua edhe gjatë pandemisë së COVID-19, kur një pjesë e informacionit në faqen zyrtare të Qeverisë mungonte ose nuk përditësohej në shqip.
Për rastin sot ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim duke dënuar shpërfilljen e detyrimeve ligjore ndaj përdorimit të gjuhës shqipe dhe kërkuar përgjegjësi institucionale.
“Një skandal i ri është zbuluar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Për afro një vit, procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë nuk janë publikuar në gjuhën shqipe. Procesverbali i fundit i publikuar në shqip është i datës 19 shtator 2025. Që nga ajo kohë janë mbajtur 83 seanca të Qeverisë, ndërsa procesverbalet e tyre vazhdojnë të mungojnë në versionin shqip të faqes zyrtare. Bëhet fjalë për dokumentacion zyrtar të institucionit më të lartë të pushtetit ekzekutiv dhe për një periudhë prej 11 muajsh. Një numër kaq i madh dokumentesh të papublikuara kërkon sqarim të plotë për mënyrën se si po zbatohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve brenda vetë Qeverisë.vSituata është edhe më serioze pasi çështja është ngritur publikisht edhe më herët, ndërsa përfaqësues të s’vlen-it kanë deklaruar se procesverbalet janë në dispozicion edhe në gjuhën shqipe. Sot, 83 procesverbale të njëpasnjëshme vazhdojnë të mos jenë të qasshme në shqip”, thuhet në deklaratën e partisë opozitare.











Komente
Komento