Shkolla private “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër do të mbyllet me vendim të qeverisë, ndërsa nxënësit do të transferohen në institucione të tjera arsimore.
Këtë e thotë VKM-ja e miratuar nga Këshilli i Ministrave që mban firmën e kryeministrit Edi Rama.
Në vendim përcaktohet mbyllja e aktivitetit të institucionit arsimor parauniversitar privat të arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar”, ku zhvilloheshin edhe lëndë fetare. Me të njëjtin vendim shfuqizohet edhe leja e funksionimit që shkolla kishte marrë në vitin 1999.
Sipas vendimit, institucioni ka detyrimin të pajisë nxënësit me dokumentacionin e nevojshëm për transferimin në shkolla të tjera dhe të mbulojë të gjitha shpenzimet që lidhen me procedurat.
Për më tepër, shkolla duhet të kthejë pagesat e kryera nga prindërit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, në rastet kur ka detyrime të pambyllura. Institucionet arsimore vendore do të marrin masa për transferimin e nxënësve, ndërsa dokumentacioni i shkollës do të dorëzohet në arkivat shtetërore sipas procedurave ligjore.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Gjirokastër-Libohovë dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë.
***
V E N D I M
PËR MBYLLJEN E VEPRIMTARISË SË INSTITUCIONIT ARSIMOR PARAUNIVERSITAR PRIVAT TË ARSIMIT TË MESËM TË LARTË “KRYQI I NDERUAR”, GJIROKASTËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 42, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor parauniversitar privat të arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar”, Gjirokastër, në të cilin zhvillohen edhe lëndë fetare, të cilit i është dhënë leje funksionimi me vendimin nr.279, datë 10.6.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënie leje funksionimi të institucionit arsimor jopublik”.
2. Institucioni arsimor parauniversitar privat i arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar”, Gjirokastër, ka këto detyrime:
a) Të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar;
b) Të mbulojë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij vendimi;
c) Të kthejë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur, që mund të ketë ndaj nxënësit;
ç) Të vërë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim;
d) Të dorëzojë në Arkivin Shtetëror Vendor të gjithë dokumentacionin që disponon, si dhe të paraqesë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, një kopje të dokumentacionit e të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.
3. Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilit ndodhet shkolla, ka për detyrë:
a) të ngrejë grup pune, brenda 3 (tri) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor parauniversitar privat të arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar”, Gjirokastër;
b) të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këtë institucion arsimor;
c) të administrojë të gjithë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga institucioni arsimor parauniversitar privat.
4. Vendimi nr.279, datë 10.6.1999, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënie leje funksionimi të institucionit arsimor jopublik”, shfuqizohet.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Fier, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Gjirokastër-Libohovë, institucioni arsimor parauniversitar privat i arsimit të mesëm të lartë “Kryqi i Nderuar”, Gjirokastër, dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Komente









