TIRANE- Qeveria “Berisha”, në muajt e fundit të funksionit të saj, u ka kthyer për kompensim pronarëve territore të Parkut Arkeologjik të Butrintit dhe të ishujve të Ksamilit. Këtë veprim e ka denoncuar dje Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në një konferencë për mediat. Anëtarë të këtij forumi e kanë cilësuar këtë akt si një dëshmi “të nivelit të lartë të korrupsionit dhe shkeljes flagrante të ligjit”. “Parku Kombëtar i Butrintit, i njohur si pjesë e pasurisë botërore të UNESCO-s, i shpallur si Park Kombëtar në vitin 2000, iu është kthyer si pronë disa pronarëve privatë në muajt e fundit të qeverisjes “Berisha”, thuhet ne deklaratën e Forumit.

Arben Biçoku, anëtar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, theksoi dje se pronarët janë “me lidhje interesash familjare të ish-zyrtarëve të lartë dhe përfituesve të këtij kompensimi, me dokumente të dyshimta”, duke shtuar se “një pjesë e madhe e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe respektivisht në zonën e njohur si Kanali i Butrintit, liqeni i Butrintit deri në detin Jon, duke përfshirë në këtë vendim edhe ishujt e njohur të Ksamilit, janë njohur si tokë në kompensim”.

Forumi i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore ka kërkuar që të anulohen menjëherë vendimet për kompensimin e pronarëve në territoret e lartpërmendura, si dhe Prokuroria të nisë procedurat për hetimin e këtij korrupsioni. Abuzimet me Butrintin gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Sali Berisha nuk ka qenë vetëm në qendër të vëmendjes së Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë, por edhe të UNESKO-s. Një raport i UNESKO-s, dërguar qeverisë shqiptare në vitin 2013, kishte mjaft kritika dhe vërejtje për qeverinë Berisha dhe MTKRS për mënyrën sesi trajtohej dhe menaxhohej Butrinti.

Raporti i UNESKO-s prej 2010-s ka vënë si kusht 10 udhëzime për menaxhimin e pasurisë së Trashëgimisë Botërore dhe Parkut Kombëtar. Në raportin e sipërpërmendur pala shqiptare është akuzuar se “nuk ka qenë bashkëvepruese, përkundrazi ka bërë dhe ka fshehur shkelje të rënda”. Raporti ka identifikuar dëmet që janë bërë gjatë zhvillimeve të punëve për çeljen e rrugës e një rruge të re, duke mos zbatuar Planin për Menaxhimin e Integruar të Butrintit. Ka qenë pikërisht “Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, i cili për një kohë të gjatë ka denoncuar rastet e dëmtimeve të trashëgimisë sonë të përbashkët.

Përfaqësuesi Arben Biçoku, u shpreh se dje se “Forumi denoncon me forcë këtë akt të rëndë, kundër trashëgimisë kombëtare dhe kërkon nga Qeveria “Rama” të anulojë këtë vendim”. Gjithashtu, ai theksoi se Forumi i bën thirrje Prokurorisë së Përgjithshme të hapë hetimet për këtë çështje, “duke nxjerrë përpara drejtësisë ata që kanë falsifikuar dokumentet, apo kanë thyer ligjet shqiptare për zonën e mbrojtur të Butrintit.

Qëllimi i konferencës sipas Biçokut ka qenë që të të vihet në dijeni opinionin publik, “se rasti “Butrinti” tregon qartë korrupsionin e madh që është bërë me çështjet e pronave, duke dëmtuar rëndë në shumë raste dhe trashëgiminë kulturore kombëtare”. Anëtarët e Forumit deklarojnë se Parku i Butrintit është i mbrojtur nga një sërë ligjesh dhe konventash ndërkombëtare, por Qeveria shqiptare ndonëse i ka ratifikuar, edhe i ka shkelur ato”.  
 
 Shkrimi u publikua sot (06.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)