Qeveria miratoi këtë të mërkurë vendimin "Për procedurën e shpalljes publike të pasurive kulturore që zbulohen në det", me synim forcimin e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore nënujore të Shqipërisë.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se vendimi përcakton një procedurë të unifikuar për shpalljen publike të pasurive kulturore të zbuluara në det dhe liqene, pasi të kenë përfunduar proceset e dokumentimit, verifikimit, vlerësimit dhe regjistrimit të tyre.
Sipas tij, procedura e re forcon bashkëpunimin mes institucioneve përgjegjëse dhe garanton informimin e publikut për vlerat historike, arkeologjike, kulturore dhe shkencore të objekteve të zbuluara, pa cenuar ruajtjen e tyre.
Vendimi parashikon gjithashtu bashkëpunim me shtete dhe organizma ndërkombëtarë në rastet kur pasuritë kulturore kanë karakter ndërkufitar ose rëndësi ndërkombëtare, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore.
“Në mbledhjen e qeverisë, u miratua sot vendimi “Për procedurën e shpalljes publike të pasurive kulturore që zbulohen në det”, një hap i rëndësishëm në forcimin e mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore nënujore të Shqipërisë.
Pozicioni i Shqipërisë përgjatë Adriatikut dhe Jonit dhe historia e saj e gjatë e veprimtarive detare e tregtare kanë lënë në hapësirën tonë detare dëshmi me vlera të veçanta historike, arkeologjike, kulturore dhe shkencore. Anije të mbytura dhe strukturat e tyre, gjurmë të strukturave portuale antike apo objekte arkeologjike të lidhura me rrjetet e dikurshme tregtare janë pjesë e një trashëgimie që dëshmon lidhjet e Shqipërisë me qytetërimet dhe rajonet e Mesdheut.
Me vendimin e miratuar sot, përcaktohet një procedurë e unifikuar për shpalljen publike të pasurive kulturore që zbulohen në det e liqene, pas përfundimit të proceseve të dokumentimit, verifikimit, vlerësimit, deklarimit dhe regjistrimit të tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore.
Procedura forcon koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse dhe garanton që publiku të informohet mbi ekzistencën, rëndësinë historike, kulturore, arkeologjike apo shkencore të pasurive të zbuluara, duke respektuar në çdo rast parimin e mosrrezikimit të tyre.
Vendimi parashikon gjithashtu bashkëpunimin ndërinstitucional dhe, në rastet e pasurive me karakter ndërkufitar apo rëndësi ndërkombëtare, koordinimin me shtetet dhe organizmat ndërkombëtarë, në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore.
Një tjetër hap për të njohur më mirë historinë tonë, për të mbrojtur gjurmët e saj dhe për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm”, shkruan Gonxhja.
Komente










Me vjen per te vjelle kur shikoj kete gjene..qe vegjeton dhe vjedh...
Përgjigju