Qeveria miraton projektligjin për 'Arbitrazhin', ministri: Ndihmon klimën e biznesit, thithim më shumë investime

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e ditës së sotme projektligjin për Arbitrazhin. Lajmin e dha në deklaratën për gazetarët ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i cili tha se projektligji për Arbitrazhin vjen pas një pune disavjeçare të ekspertëve por dhe me mbështetjen e ekspertëve të huaj.

Manja tha se miratimi i këtij ligji do t’i japë një tjetër konsolidim shtetit të së drejtës dhe do të krijoj mjedis pozitiv për investime, krijon mundësin qeverisë të thith investime të brendshme dhe të huaja.

 “Ky projektligj ndihmon në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Do krijojë një mjedis pozitiv për zhvillimin e biznesit dhe të investimit në Shqipëri. I krijon mundësi qeverisë të thithë investime qoftë të brendshme qoftë të huaja duke krijuar një impakt pozitiv për biznesin, por dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit. Me këtë projektligj tashmë ne japim mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve qoftë mes shtetit dhe privatit, apo mes privatëve me njëri tjetrin duke u bazuar tërësisht në autonominë e vullnetit të palëve. Është një zgjidhje e shpejtë, eliminon formalitetet, por njëkohësisht përmbush dhe detyrimin që burojnë nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare”, tha Manja.

Arbitrazhi është një nga mënyrat alternative dhe efikase të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Karakteristikë themelore e arbitrazhit është zgjedhja private dhe jashtë juridiksionit gjyqësor të mosmarrëveshjeve. Bizneset dhe jo vetëm, janë të interesuara në zgjedhjen e shpejtë dhe jo-burokratike të mosmarrëveshjeve.

Procedura e arbitrazhit është transparente dhe ofron mjete të kontrollit të procedurës nga palët. Si përparësitë kryesore të arbitrazhit ndaj gjykatave, konsiderohen: (i) fleksibiliteti; (ii) efikasiteti në kohë dhe shpenzime; (iii) plotëfuqishmëria e vendimit të arbitrazhit dhe (iv) konfidencialiteti i procedurës dhe vendimeve.

Arbitrazhi ka qenë pjesë edhe sistemit ligjor shqiptar nëpërmjet rregullimeve të miratuara në përmbajtjen e Kodit të Procedurës Civile. Megjithatë këto parashikime janë shfuqizuar dhe Shqipëria ka një vakum ligjor pasi nuk është miratuar asnjë një rregullim tjetër specifik për të. Për rrjedhojë, ekzistenca e një vakumi ligjor që nga viti 2013 ka pasur një efekt negativ në drejtim të zhvillimit të proceseve të arbitrazhit nga gjykatat e arbitrazhit vendase.

Duke u nisur nga sa më sipër, në mungesë një ligji të posaçëm, është e rëndësishme që Shqipëria të përgatitë kornizën ligjore për rregullimin e arbitrazhit. Ndaj, përcaktimi i rregullave kombëtare për zhvillimin e arbitrazhit është vlerësuar si një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Drejtësisë, në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës, garantimit të të drejtave të njeriut, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve midis shtetit dhe palëve private, apo palëve private me njëra-tjetrën dhe kundrejt detyrimeve të marra përsipër ndërkombtarisht.

Qëllimi kryesor i këtij projektligji është harmonizimi i legjislacionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, lidhur me fushën e arbitrazhit; përmirësimi i procedurave të gjykimit dhe rritja e efikasitetit në trajtimin e konflikteve duke ofruar zgjidhje më të shpejtë të probleme të krijuara, më efektive dhe më pak të kushtueshme, për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore, në përputhje me aktet e Bashkimit Evropian.

Efektet që synon iniciativa propozuese janë të tilla që rregullojnë në tërësi kuadrin ligjor duke gjetur një zgjidhje fleksibël, afatgjatë dhe të gjithëpranuar. Qeveria synon përmirësimi i kuadrit ligjor shqiptar për arbitrazhin, procedurat e zbatimit dhe implementimin e tij në Shqipëri, njohja dhe zbatimi i të drejtës së arbitrazhit në Shqipëri. Hartimi dhe miratimi i projektligjit për arbitrazhin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar synon ndër të tjera dhe promovimin e tij si një nga metodat alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis palëve.

Projektligji për arbitrazhin i cili parashikonte ngritjen në Shqipëri të një sistemi arbitrazhi, si alternativë për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme jashtë gjykatave, me kosto shumë më të ulët se proceset gjyqësore, pa burokraci dhe në një kohë shumë të shpejtë në raport me proceset në gjykata. Nisma ligjore Projektligji për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndryshme, konfliktet midis shtetit dhe palëve private apo palëve private me njëra-tjetrën, parashikon fillimisht ngritjen e institucionit të arbitrazhit, i cili duhet të regjistrohet pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Institucioni i arbitrazhit organizohet sipas ligjit dhe publikon në faqen e internetit, emrin dhe adresën, vendin e ushtrimit të veprimtarisë, tarifat e arbitrazhit dhe numrin e llogarisë bankare të institucionit të arbitrazhit për kryerjen e pagesave nga palët, rregullat proceduriale të institucionit, listën e arbitrave dhe të dhëna të tjera të nevojshme. Por, për të shmangur gjykatat dhe për të shkuar në arbitrazh ka një kusht, sipas të cilit palët në konflikt duhet të nënshkruajnë një marrëveshje me tyre, me të cilën ato pranojnë t’ia nënshtrojnë arbitrazhit mosmarrëveshjen. Pra, arbitrazhi e merr një çështje për ta zgjidhur vetëm nëse të dy palët bien dakord. Marrëveshja e arbitrazhit bëhet me shkrim nga palët, ndryshe është e pavlefshme.

Arbitër mund të emërohet kushdo që plotëson disa kritere ligjore. Por, arbitri që do të zgjidhë një mosmarrëveshje, caktohet me konsensus nga palët. Nëse palët nuk bien dakord, arbitri për zgjidhjen e konfliktit caktohet nga kryetari i gjykatës së rrethit. Ndërkaq, procedurat e arbitrazhit janë konfidenciale, me përjashtim kur palët kanë rënë dakord ndryshe. Seancat e gjykatës së arbitrazhit janë të mbyllura dhe gjykata e arbitrazhit nuk mund t’u bëjë me dije palëve të treta ose të publikojë të dhëna lidhur me procedurat e arbitrazhit.

Ligji parashikonte që vendimi i arbitrazhit është i formës së prerë në lidhje me marrëveshjen e shqyrtuar, që nga momenti që shpallet. Vendimi ka fuqinë si një vendim gjykate. Sipas ligjit, vendimi ankimohet në arbitrazhin e apelit, por paraqitja e ankimit ndaj vendimit të arbitrazhit nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit të arbitrazhit. Por, një çështje e zgjidhur nga arbitrazhi nuk mund të gjykohet më nga gjykatat e zakonshme.

K.T./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin me sopatë, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin me sopatë, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja