Ministria e Drejtësisë e cilëson raportin e Komisionit Europian për shtetin ligjor në Shqipëri si një vlerësim të progresit të Shqipërisë dhe reformës në drejtësi.

Sipas ministrisë, raporti konfirmon se “progresi i arritur në reformën në drejtësi po konsolidohet dhe se Shqipëria vijon të ecë përpara në përmbushjen e standardeve evropiane, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”

Në deklaratë, nuk shmangen as sfidat, për të cilat shprehet gatishmëria për të vijuar punën.

“Komisioni Evropian identifikon njëkohësisht edhe fusha ku nevojiten përpjekje të mëtejshme për forcimin e sundimit të ligjit. Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në adresimin e këtyre rekomandimeve, në bashkëpunim me institucionet e pavarura dhe partnerët ndërkombëtarë”, thotë deklarata.

Si pika të veçuara nga raporti, përmenden përfundimi i procesit të vettingut, lufta ndaj korrupsionit duke veçuar punën e SPAK në hetime të nivelit të lartë, përmirësimi në formimin e magjistratëve dhe ulja e stokut të dosjeve.

Deklarata:

Komisioni Evropian publikoi sot Raportin për Sundimin e Ligjit 2026, në të cilin evidenton progresin e Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e reformës në drejtësi, si pjesë e procesit të integrimit evropian.

Raporti vlerëson përfundimin e plotë të procesit të rivlerësimit kalimtar (vettingut), duke theksuar se ai ka forcuar pavarësinë, integritetin dhe llogaridhënien e sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, raporti konstaton vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe përparimin në integrimin e standardeve të krijuara nga vettingu në funksionimin e zakonshëm të institucioneve të drejtësisë.

Një vlerësim pozitiv i kushtohet edhe luftës kundër korrupsionit, ku Komisioni Evropian evidenton rezultatet e institucioneve të specializuara, veçanërisht në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional në këtë fushë.

Raporti vëren gjithashtu përmirësime të mëtejshme në efikasitetin e sistemit gjyqësor, duke evidentuar uljen e ndjeshme të backlog-ut në Gjykatën e Lartë, përmirësimin e cilësisë së formimit të magjistratëve dhe vijimin e hapave drejt modernizimit dhe digjitalizimit të sistemit të drejtësisë.

Një tjetër tregues pozitiv i evidentuar është rritja e perceptimit për pavarësinë e gjyqësorit, si nga qytetarët ashtu edhe nga komuniteti i biznesit, duke reflektuar besim në rritje ndaj institucioneve të drejtësisë.

Komisioni Evropian identifikon njëkohësisht edhe fusha ku nevojiten përpjekje të mëtejshme për forcimin e sundimit të ligjit. Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar në adresimin e këtyre rekomandimeve, në bashkëpunim me institucionet e pavarura dhe partnerët ndërkombëtarë.

Raporti i këtij viti konfirmon se progresi i arritur në reformën në drejtësi po konsolidohet dhe se Shqipëria vijon të ecë përpara në përmbushjen e standardeve evropiane, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:39
Gazment Bardhi për raportin e KE: Dëshmon pandëshkueshmërinë ndaj Ballukut! SPAK me dy standarde, t’i drejtohet Kuvendit dhe ta arrestojë

Gazment Bardhi ka reaguar pas publikimit të raportit të Komisionit Europian për shtetin e së drejtës në Shqipëri duke thënë se ‘ka vulosur’ çështjen ‘Balluku’ si pandëshkueshmëri dhe cenim të barazisë para ligjit.

Bardhi nënvizon se raporti konfirmon që opozita përkrahu ligjin, teksa thotë se SPAK po zbaton dy standarde për ish- zv.kryeministren duke mos rënduar masën e sigurimit në proporcion me akuzat ndaj saj. Kryetari i grupit parlamentar të PD bën thirrje që SPAK të ribëjë kërkesën në Kuvend për heqjen e imunitetit të deputetes dhe ta arrestojë.

“BE rrëzon Ramën për Ballukun: Jo gjueti shtrigash, por pandëshkueshmëri!

Brukseli vulos çështjen “Balluku” si simbol të kapjes së shtetit, pabarazisë para ligjit dhe pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes.

Raporti 2026 i Komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës, i publikuar sot, konfirmon zyrtarisht se Edi Rama e ktheu Kuvendin e Shqipërisë në mburojë personale për bashkëpunëtoren e tij, të akuzuar për 1.1 miliardë euro abuzime me tenderat. Raporti i Komisionit Evropian konfirmon njëkohësisht se opozita qëndroi aty ku duhej: në krah të ligjit dhe kundër korrupsionit.

Atë që Edi Rama e quajti “gjueti shtrigash” kundër Belinda Ballukut, Komisioni Evropian sot i vë emrin e vërtetë: cenim i barazisë përpara ligjit dhe presion i pushtetit mbi drejtësinë.

Për herë të parë, Brukseli e shkruan të zezën mbi të bardhë fjalën që përshkruan qeverisjen e Edi Ramës: pandëshkueshmëri. Ai shprehet qartë se refuzimi i Kuvendit për të hequr imunitetin e Belinda Ballukut, pas kërkesës së SPAK-ut, cenon parimet e kontrollit dhe balancës, si edhe barazinë përpara ligjit. Raporti dokumenton gjithashtu se, paralelisht me refuzimin e kërkesës së SPAK-ut, mazhoranca, me firmën edhe të Edi Ramës, propozoi ndryshime në Kodin e Procedurës Penale për të zgjeruar rrethin e zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra. Njësoj si opozita, edhe Komisioni Evropian arrin në përfundimin se këto ndryshime pengojnë hetimet për korrupsionin e nivelit të lartë dhe ushqejnë pandëshkueshmërinë.

Por ky raport nuk është vetëm një aktakuzë ndaj mazhorancës. Ai duhet lexuar edhe si një thirrje për Prokurorinë e Posaçme, e cila prej disa javësh po zbaton dy standarde për Belinda Ballukun. Edhe pse vetë SPAK ka bërë publike se pozita e saj penale është rënduar me dyshimet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, nuk po zbaton standardin që vetë deklaroi gjashtë muaj më parë, sipas të cilit, kur rëndohet pozita penale, rëndohet edhe masa e sigurimit. SPAK ka vetëm një rrugë për të mos u bërë pjesë e pandëshkueshmërisë që denoncon sot Brukseli në çështjen Balluku: t’i drejtohet pa vonesë Kuvendit me kërkesën për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut”, shkruan Bardhi.