Qeveria ngre Agjencinë Kombëtare
të Bregdetit, ja si do funksionojë

Qeveria ngre Agjencinë Kombëtare<br />të Bregdetit, ja si do funksionojë
TIRANE- Krijohet Agjencia Kombëtare e Bregdetit e cila ka si synim mbrojtjen dhe zhvillimin e integruar të bregdetit.

Ministrja e Zhvillimit Urban Eglantina Gjermeni njoftoi vendimin e marrë sot nga Këshilli i Ministrave duke shtuar se kjo agjenci do të shtrijë veprimtarinë e saj në të gjithë bregdetin shpallur nga Këshilli Kombëtar i Teritorit si zonë me rëndësi kombëtare.

Ministrja gjithashtu informoi se qeveria ka shfuqizuar projektin koncensionar të parashikuar të zbatohej në zonat bregdetare plazh Dhërmi, plazh Perivol në përmbushje të prioriteteve për kthimin e Shqipërisë në një destinacion atraktiv turistik. Nuk jepen detaje se cili është ky projekti koncensionar i cili është shfuqizuar.

Përkthimin e Shqipërisë në destinacion atraktiv turistik dhe reabilitimin mjedisor në zona të rëndësisë kombëtare do të ndërmerren ndërhyrjet e nevojshme legjislative të vlerësuara si emergjente për reabilitimin e këtyre zonave nga ndërtimet e paligjshme në dëm të qytetarëve, bën të ditur burime nga Ministria e Turizmit dhe Zhvillimit Urban.

AGJENCIA KOMBETARE E MJEDISIT
 Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të ketë 4 drejtori rajonale. Do të ketë 30 punonjës dhe shpenzimet do të mbulohen nga buxheti i kësaj ministrie.

“Objekt i kësaj agjencie do të jetë mbrotja dhe zhvillimi i qëndrushëm i zonës bregdetare.  Zbatimi i politikave për menaxhimin e intergruar të zonës bregdetare, bashkërendimi i programeve dhe nxitja e investimeve. Agjencia do të garantojë zbatimin e politikave dhe strategjive kombëtare dhe do të punojë ngushtësisht me njësitë e qeverisjes vendore, të cilat kanë përgjegjësinë e tyre për koordinimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë si për zhvillimin e territorit ashtu edhe për zhvillimin e turizmit”, tha Gjermeni.

Gjermeni tha se po ndërmerren ndërhyrjet e nevojshme legjislative, të cilat vlerësohen emergjente për çlirimin e këtyre zonave nga ndërtimet e paligjshme në dëm të interesave të qytetarëve. Qeveria, tha ajo, do të vazhdojë më tej me marrjen e masave të karakterit legjislativ duke synuar kthimin e plazhit dhe brezit bregdetar për përdorim në interes të publikut.

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 6, të ligjit nr.90/2012, datë 27.9.2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave

MËNYRA E ORGANIZIMIT DHE E FUNKSIONIMIT TË AKB
 
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 
1. Krijimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, në vijim AKB, si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, me seli në Tiranë.
 
2. AKB-ja ka për qëllim mbrojtjen e zonës bregdetare, promovimin dhe monitorimin e projekteve, ndjekjen e zhvillimit të zonës bregdetare e të planeve të miratuara nga autoritetet e planifikimit.
 
3. AKB-ja ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare, të cilat miratohen nga titullari. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencia Kombëtare e Bregdetit”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”.
 
4. Vula zyrtare e AKB-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar.
Vula e AKB-së prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
 
KREU II
ORGANIZIMI I AKB-SË

 
1. AKB-ja ka statusin e drejtorisë së përgjithshme, në nivel qendror, dhe në nivel vendor organizohet në 4 (katër) degë rajonale.
 
2. AKB-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për turizmin.
 
3. Drejtori i Përgjithshëm i AKB-së emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministri, me propozimin e ministrit përgjegjës për turizmin, në përputhje me aktet ligjore në fuqi.
 
4. Degët rajonale drejtohen nga drejtuesit përkatës të këtyre degëve, të cilët emërohen, lirohen dhe shkarkohen nga drejtori i Përgjithshëm i AKB-së.
 
5. AKB-ja është institucion buxhetor, që financohet nga buxheti i shtetit, donacione të huaja dhe burime të tjera të ligjshme. Buxheti i AKB-së përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për turizmin.
 
6. Funksionimi i brendshëm i AKB-së bëhet sipas rregullores përkatëse, të miratuar nga ministria përgjegjëse, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të kësaj agjencie.
 
7. Struktura dhe organika e AKB-së miratohen me urdhër të Kryeministrit.
 
KREU III
PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E AKB-SË

 
 1. AKB-ja e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e zonës bregdetare të Republikës së Shqipërisë, të përcaktuar sipas lidhjes 1 bashkëlidhur këtij vendimi.
 
2. AKB-ja ka objekt të veprimtarisë së saj dhe kryen këto funksione:
 
a)    Mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës bregdetare;
b)    Zbatimin e politikave e të strategjive për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
c)    Bashkërendimin e programeve të lidhura me zonën bregdetare;
ç)  Nxitjen e investimeve në zonën bregdetare;
d)    Dhënien e kontributit në informimin, konsultimin dhe aksesin e publikut gjatë hartimit dhe zbatimit të politikave e të strategjive të lidhura me menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
dh)    Marrjen pjesë në hartimin e politikave e të strategjive kombëtare për menaxhimin e integruar të bregdetit dhe bashkërendimin e punës për zbatimin e tyre;
e)    Propozimin e ndryshimeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor e nënligjor për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
ë) Bashkëpunimin me organet përkatëse për projektet dhe aktivitetet për mbrojtjen dhe zhvillimin e bregdetit dhe monitorimin e zbatimi të tyre;
f)    Nxitjen dhe bashkëpunimin me organizma, institucione, investitorë dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë apo vendas dhe ftimin e tyre për pjesëmarrje dhe përfshirje në projektet dhe zhvillimet me rëndësi për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare;
g)    Monitorimin e zbatimit me përpikëri të instrumenteve të planifikimit të territorit, të miratuara nga autoritetet qendrore dhe vendore në zonën bregdetare;
gj) Monitorimin e respektimit të rregullave për përdorimin e pasurisë së patjetërsueshme publike në zonën bregdetare;
h)    Hartimin e rregullores së posaçme, ku përcaktohen standardet kombëtare, sipas të cilave administrohen hapësirat publike të zonës bregdetare, që përdoren si plazhe publike apo të administruara nga subjekte private. Kjo rregullore miratohet nga ministri përgjegjës për turizmin;
i)    Monitorimin e respektimit të kritereve ligjore për dhënien në përdorim dhe administrimin e plazheve, duke verifikuar administrimin e tyre nga subjektet shtetërore dhe private, si edhe lënien në dispozicion të publikut të plazheve publike pa pagesë për përdoruesit;
j)    Hartimin e rregullores për disiplinimin e zhvillimit të veprimtarive turistike, të cilat zhvillohen në zonën bregdetare. Kjo rregullore miratohet nga ministri përgjegjës për turizmin;
k)    Monitorimin e respektimit të kritereve ligjore për kryerjen e veprimtarive turistike detare, të cilat zhvillohen në zonën bregdetare;
l)    Lajmërimin e organeve shtetërore kompetente në rastet kur vërehen shkelje administrative, veprime apo mosveprime në kundërshtim me ligjin, duke u propozuar  organeve përkatëse marrjen e masave disiplinore ndaj personave përgjegjës, si dhe përgatitjen e kallëzimit penal për veprat penale të vëna re gjatë ushtrimit të kontrollit dhe paraqitjen e tyre pranë organeve përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi;
ll)    Administrimin e pasurive të paluajtshme shtetërore dhe publike, të cilat i kalohen në përgjegjësi administrimi, në përputhje me rregullat e përcaktuara nga legjislacioni shqiptar në fuqi.
 
KREU IV
PROCEDURAT E REKRUTIMIT

 
1. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të AKB-së rregullohen sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr.152/2013, datë 30.5.2013, “Për nëpunësin civil”. Drejtori i Përgjithshëm i AKB-së është eprori direkt, në përputhje me këto dispozita.
 
2. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë të AKB-së rregullohen sipas Kodit të Punës.
 
3. Personeli i AKB-së duhet të plotësojë kërkesat e përgjithshme, të përcaktuara në nenin 21, të ligjit nr.152/2013, datë 30.5.2013, “Për nëpunësin civil”, dhe kërkesat e veçanta, të përcaktuara nga drejtori i Përgjithshëm i AKB-së.
 
KREU V
DISPOZITA KALIMTARE E TË FUNDIT

 
1. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i shtetit, nëpërmjet Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
 
2. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
KRYEMINISTRI
EDI  RAMA



Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore