Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ilir Alimehmeti thotë se një qeveri në vendet e BE-së nuk mund të bjerë me protesta, por me votë.

Në një intervistë për 'Frontline Interview" për Report Tv, Alimehmeti u shpreh se vota duhet garantuar përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

“Në radhë të parë duhet të diskutojmë për protestën. Kemi qeveri jo legjitime. Ne kemi një zëvendëskryeministre që nuk duhet të ishte zëvendëskryeministre që përpara. Kemi një person të zgjedhur, i cili mbrohet me çdo kusht imuniteti dhe nuk shkon para drejtësisë. Nëse nuk kuptojmë realitetin që na qeveris duke menduar një format sulltanati, por demokraci jo. Kjo është qeveri që duhet të bjerë një orë e më parë. Nuk ka një javë që nuk ka skandale madhore. Duhet të flasim shumë shpejt për të ardhmen e këtij vendi. Ju keni parë dy modele, dhe i ka treguar Europa. Një model në Bullgari dhe një model në Serbi. Kush është diferenca njëra me tjetrën? Demonstrata masive, pakënaqësi masive popullore në të dy shtetet. Bullgaria është vend anëtar i NATO-s, vendi BE-së. Ku e kemi Serbinë dhe Vuçiçin? E kemi në aksin lindor, e kemi me Putinin.

Ku është Shqipëria në këtë mes? Me shkresa, me letra, me dëshirë të njerëzve, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe tenton të shkojë drejt BE. Ke një udhëheqje që lidhjet i mban me Vuçiçin, sytë i ka nga Lindja. Një grusht njerëzish në krye, Edi Rama i ka sytë nga Lindja. I ka krijuar demokracia zgjidhjet, i ka kushtetuta zgjidhjet. Shteti është garant i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Garanto zgjedhje të lira dhe të ndershme, të fitojë partia që meriton të fitojë. Shteti ecën përpara, zhvillohet, demokracia funksionon. Nëse ke zgjedhje të lira dhe të ndershme, çdo qytetar fiton, do ketë balancë pushtetesh. Nuk është alibi, është realiteti që po na ndodh ne. Nuk ka në vendet e BE, që çohet protesta dhe bie qeveria, ndodh përmes votës. Vota duhet garantuar përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne themi do vendosim demokraci.", theksoi ai.

Sipas Alimehmetit, qeveria ka pësuar një tronditje të madhe me kërkesën e SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres, Belinda Balluku. Alimehmeti shtoi se parlamenti duhet t'ia hqeë imunitetin Ballukut sa më parë.

"Kolpon e ka marrë shumë më përpara ai. Ju e dini që ai ka qenë i këshilluar të mos ta vinte zëvendëskryeministre, por e vuri. Ky është diskutim që ka mbaruar. Ne kemi në fuqi një person që na ka bërë dëme. E mbante Edi Rama. Mandati i takon parlamentit, ka ardhur një masë, nevojitej të mos prishësh provat, do duhet të hiqej një orë e më parë. Parlamenti do duhet ta diskutojë sa më shpejt dhe ta heqë. Nuk e dha dorëheqjen vet, po parlamenti a ka integritet? Ju e shihni që as nuk mblidhet, edhe Gjykata Kushtetuese e shtyu pafund. Ne jemi shtet shumë i vogël, por jemi me orientim drejt BE dhe jemi anëtarë të NATO-s. Ky është kapitull i mbyllur, ne diskutojmë kot. Njerëzit kanë nevojë të informohen, por ky është kapitull i mbyllur.", deklaroi ai.

Për protestat e PD, Alimehmeti tha se kanë qenë gjthnjë e më të mëdha në numra, dhe kanë ardhur duke u përshkallëzuar.

"Protestat kanë qenë me mbështetje gjithmonë e më të madhe. Ka një diferencë në përshkallëzim, unë mendoj se protestat do jenë të qëndrueshme, të përshkallëzuara. Ju e gjykoni fotokopje, është e drejta juaj, është në përshkallëzim. Është e qartë, në sytë e të gjithëve. Do ketë vazhdimësi, na nevojitet vazhdimësi, përshkallëzim. Nuk është kjo çelës drite, ndiz e fik, por është një proces. Tronditja e tij është e madhe. Mos prisni ju që ka deklarata për këtë gjë, që ka deklarata publike për këtë gjë. Nga erdhi kjo e papritur? Njëjtë si ishte e papritur Belinda Balluku, Erion Veliaj. Ka një proces, ditën kur del në sytë e të gjithëve, për shumë njerëz do jetë e papritur. Unë vazhdoj iu them, është një proces dhe ka etapa të caktuara. Nuk jam për djegie të etapave, nuk digjen etapat. Ka procese të caktuara, proceset nuk mund t’i bllokosh me urdhra si Edi Rama.", tha Alimehmeti.

Alimehmeti shtoi se kishte dhunë ndaj qytetarëve në protestën e 10 shkurtit, por pranoi se kishte edhe efektivë të lënduar. Ndër të tjera, ai tha se vendi duhet të ketë qeveri dhe parlament funksional.

"Nuk justifikoj dot dhunën ndaj qytetarëve të thjeshtë. Keni pasur deputetë të goditur. Ai duket se është deputet, por ka më shumë njerëz. Ka pasur edhe policë të lënduar, është përballje. Gjatë fundit të protestës, ka pasur deklarata dhe është hedhur ujë. Ne kuptojmë që u kanë lëshuar nervat ata. Unë e respektoj profesionin e policit. Dikë lart, që jep urdhrat, e kanë lëshuar nervat. Një nga personat që e akuzonte për gjakderdhje, e bëri kryetar bashkie. Unë shoh drejtimet politike, shoh veprimet dhe fjalimet. Ne kemi nevojë si popull të kemi qeveri funksionale dhe parlament funksional. Duhet të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe njerëzit të mos kenë pushtet kur përballen me drejtësinë.", përfundoi Alimehmeti.