Ilir Alimehmeti nuk e përjashton mundësinë për të qenë kandidat për drejtimin e Tiranës. Edhe pse refuzoi të japë një përgjigje të prerë nëse do të jetë kandidat i PD për kryeqytetin, ai tha në “Studio Live” në Report Tv se do të ndjekë procedurën e përcaktuar.

“Spektri opozitar do të marrë vendimet e veta, do të zgjedhë metodën. Nga këtu do të dalin emrat e veçantë. Unë kur të marr vesh se kush procedura, në atë procedurë do të futem. Më pas i takon spektrit opozitar dhe do të ecim përpara”, tha Alimehmeti.

I pyetur si e sheh socialistin Erion Braçe si zgjedhje të mundshme të kampit rozë, anëtari i Kryesisë së PD tha se nuk i jep mend një force tjetër politike.

“Ne kemi procedurat tona për të zgjedhur kandidatët, do të sqarohen ditët në vijim. Nuk jam marrë kurrë si e ka zgjedhur kundërshtari kandidatin. Kam thjeshtësinë që të mos i jap mendime një force tjetër politike”, u shpreh ai.

Prioritet në detyrën e kryebashkiakut duhet të jetë qyteti dhe jo partia, thotë Alimehmeti. Shërbimet duhet të jenë të papolitizuara pasi ato u përkasin të gjithëve.

“Unë mendoj që në radhë të parë do të vësh gjithmonë qytetin të parin se ndryshe bëhet gabim. Pushteti vendor ka shërbime, jo politika. Nuk të pyet njeri ke ujë a s’ke ujë, ktët janë shërbimet. Shërbimet nuk kanë politikë, janë për të gjithë. Këta e kanë bërë për të politizuar gjithçka. Çfarë politizimi ka trafiku? Trafiku është diçka që askush nuk e do. Do të bësh zgjidhjen maksimale. Fakti që e fusin në hulinë e politiziimit, është se nuk duan ta zgjidhin”, tha Alimehmeti.

Sa për ndryshimin e kastës së vjetër politike, kërkesë kjo e përsëritur vazhdimisht edhe nga protestuesit para kryeministrisë, Alimehmeti tha se ndryshimi duhet të vijë me zgjedhje të drejta dhe konkretizimin në forcë elektorale.

“Ajo që ne kërkojmë është të jetë një fushë loje e drejtë, me rregulla, e barabartë, me arbitër ose në të kundërt zgjedhjet bëhen kot dhe ata që nuk do të dëgjohen janë këta të rinj e të reja. Megjithatë, mbetet edhe ai elementi i dytë, si do të konkretizohet forca e tyre në forcë elektorale”, u shpreh ai.