Kush ndërton me pa leje, duke tejkaluar masën 50% të sipërfaqes totale, ndërtesa do të konfiskohet dhe do t’i kalojë shtetit, ndërsa ndërtuesi do të ndiqet penalisht. Kush ndërton pa leje, duke tejkaluar me 2 % sipërfaqen ndërtimore pe leje, do t’i prishet objekti, do paguajë gjobë të barabartë me vlerën e ndërtimit pa leje si dhe do të ndiqet penalisht.

Kështu parashikon paketa më e fundit ligjore e qeverisë, për goditjen e abuzimeve me ndërtimet, shkeljet me lejet e ndërtimi dhe çdo formë cenimi të pronës publike.

Ndryshimet ligjore janë prezantuar sot nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Do të bëhen ndryshime në ligjet për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit si dhe në Kodin Penal.

Ministrja Gjonaj tha se ndryshimet ligjore vijnë edhe pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

"Nisur dhe nga fatkeqesia natyrore e 26 nëntorit 2019 si pasojë e shembjes së një sërë pallatesh e një sërë ndërtesash u vu re një boshllëk ligjor që nuk ndante përgjegjësitë dhe rolet e gjithë subjekteve që merrnin pjesë në zinxhirin e projekteve zhvillimore dhe ndërtimore, përfshirë këtu ndërtuesit, projektuesit, kolauduesit  apo edhe inxhinierët dhe të gjithë subjektet e këtij procesi", tha Gjonaj.

Përveç përcaktimit të përgjegjësive për çdo shkelje, do të ketë edhe një listë të zezë me ndërtuesit e abuzues.

"Një risi në tërësinë e kësaj pakete është përfshirja në një listë të zezë të gjithë atyre projekteve zhvillimore të cilët ndërtojnë apo zhvillojnë veprimtari ndërtimore në kundërshtim me ligjin dhe lejet", tha Gjonaj.

Ministri Lleshaj tha se policia tashmë do të fokusohet edhe tek zyrtarët e lartë të implikuar në ndërtime pa leje.

"Policia nuk do të merret thjeshtë dhe vetëm me atë që bëjnë mëkate në fushën e ndërtimit por dhe me zyrtarët që mbyllin një sy apo bashkëpunojnë në mënyrë korruptive me ata që shkelin ligjin në fushën e ndërtimit", tha Lleshaj.

Ministrja Balluku u ndal tek detajet e paketës ligjore.

"Projektuesi është përcaktuar për të mbajtur përgjegjësi profesionale nëpërmjet lidhjes së një kontrate sigurimi për çdo dëm që mund të shkaktohet si pasojë e veprimtarisë së tij. Një pjesë e mirë e ndërtesave nuk përmbushin kushtet për mbrojtjen nga zjarri apo kushte antisizmike", tha Balluku.

Ndryshimet ligjore do të paraqiten së shpejti në formë projektligjesh në Kuvend, për t’u shqyrtuar dhe miratuar.