Qeveria planifikon të privatizojë
pjesën më të madhe të Albpetrolit

Në programin qeverisës 2017-2021 shkruhet se qeveria ka në plan të zbatojë reformë të thellë në ndërmarrjen shtetërore të nxjerrjes së naftës Albpetrol. Në dokumentin e shkruar të programit qeveritar thuhet se “do të ristrukturohet kompania publike Albpetrol sh.a., duke ruajtur një njësi teknike dhe duke privatizuar asetet e tjera”. Në fakt, sipas burimeve të Ministrisë së Energjetikës, ky është opsioni kryesor që po diskutohet nga grupi i punës. Rezultat i këtij procesi, sipas secilit variant, do të jetë zhbërja e Albpetrol brenda këtij viti dhe copëtimi i tij, ku shtetit i mbeten të drejtat mbi menaxhimin e marrëveshjeve dhe pjesët e tjera të ndërmarrjes do të ofrohen për shitje.

Ekspertët në Ministrinë e Energjetikës, të cilët janë pjesë e negociatave, pohojnë se ky plan është në shqyrtim. Zbatimi i këtij plani pritet të rrisë fitimet e qeverisë e cila, nëpërmjet një njësie të vogël, do të menaxhojë të ardhurat nga marrëveshjet hidrokarbure, të cilat do të rrisnin të ardhurat cash në arkën e shtetit që sot përdoren për të paguar të 2.500 punonjësit e kompanisë. Por privatizimi i pjesëve të shëndetshme duket se do të shpëtojë një pjesë të mirë të punonjësve nga papunësia. Aktualisht, Albpetrol ka rreth 10 njësi të veçanta, ku më kryesorët janë qendrat e prodhimit në Ballsh dhe Kuçovë, njësia e shitjes, ajo e sigurisë, shërbimet gjeofizike, njësia e transportit, magazina e materialeve, operatori i energjisë, qendra e transportit dhe uzina mekanike e Kuçovës.

Pas ristrukturimit të Albpetrol, shteti do të mbajë të drejtat mbi marrëveshjet hidrokarbure, aktualisht 7 të tilla. Kompanitë koncesionare që shfrytëzojnë zonat naftëmbajtëse të vendit tonë dorëzojnë aktualisht në Albpetrol 70% të prodhimit paraekzistues. Kjo kuotë jepet mbi sasinë e prodhimit që është nxjerrë në vitin e fundit, para se fusha të jetë dhënë në koncesion. Gjithashtu, Albpetrol merr bonusin prej 1% të naftës që nxirret për çdo pus që shfrytëzojnë kompanitë koncesionare. Duke filluar nga viti 2004, në territorin e Republikës së Shqipërisë operojnë aktualisht 6 shoqëri, të cilat kanë nënshkruar Marrëveshje Hidrokarbure me Albpetrol sh.a. për vendburimet përkatëse, ku kryesorja është Bankers Petroleum Albania Ltd, Sherëood International Petroleum Ltd, Transoilgroup sh.a., Phoenix Petroleum sh.a, Fin-Pek Petroleum sh.a. dhe Delvina Gas Company Ltd.

Në Shqipëri janë shpuar gjithsej rreth 5.630 puse. Vendburimet e naftës dhe gazit kanë një shtrirje në rrethet Sarandë, Vlorë, Mallakastër, Fier, Lushnjë dhe Kuçovë. Shumica e këtyre puseve kanë kaluar për shfrytëzim tek kompanitë koncesionare, teksa pjesa tjetër janë kthyer në puse të ndaluara (puset janë ndaluar për arsye të ndryshme si dëmtime, pamundësi përpunuese, rentabilitet i ulët, luhatjet e çmimit të naftës në bursë etj.) të cilat kanë rritur së tepërmi kostot e Albpetrol.

Në 85 vjet, nga nëntoka shqiptare llogaritet se janë nxjerrë 56.249.677 tonë naftë bruto.

d.b/shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Elbasan/ Dy të rinjtë u larguan nga Komisariati më 31 dhjetor, AMP pezullon nga puna 3 efektivët! Nuk parandaluan arratisjen e tyre

Elbasan/ Dy të rinjtë u larguan nga Komisariati më 31 dhjetor, AMP pezullon nga puna 3 efektivët! Nuk parandaluan arratisjen e tyre