Qeveria: Policët u rrëmbyen
në territorin tonë, të lirohen

Qeveria: Policët u rrëmbyen<br />në territorin tonë, të lirohen
PRISHTINE- Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër arrestimin e dy policëve të Kosovës nga ana e organeve ta Serbisë, që ndodhi sot në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre dhe pa kushte.

Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se ky është një akt qyqar i Qeverisë së Serbisë, është në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë, kundër bashkëpunimit rajonal dhe cenon rëndë marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky akt cenon rëndë raportet në mes të dy shteteve të pavarura, Kosovës dhe Serbisë, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Ajo u bën ftesë të gjitha institucioneve ndërkombëtare, para së gjithash Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të ndërmarrin hapat e domosdoshëm, për të ndikuar te Beogradi zyrtar, për ti ndalur këto veprime arbitrare dhe të kundërligjshme.Qeveria  kërkon nga qeveria e Serbisë që menjëherë dhe pa kushte, të bëjë lirimin e policëve kosovarë.

MINISTRIA E BRENDSHME: U RREMBYEN NE TERRITORIN E KOSOVES
Ministri i brendshëm Bajram Rexhepi i konfirmoi RTK-së arrestimin e dy policëve të Kosovës nga policia e Serbisë.
Rexhepi tha se janë duke marrë shpjegime se si ka ndodhur rasti. Deri tani janë duke i vërtetuar informacionet nëse policët kosovarë, të arrestuar, e kanë tejkaluar brezin e gjelbër të kufirit. Rexhepi nuk dha më shumë detaje për rastin dhe tha se janë duke u marrë intensivisht për ta sqaruar rastin. Autoritetet policore janë të rezervuara për të dhënë informacione shtesë për rastin.

Sipas ministri të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, policët e Kosovës kanë bartur dy pushkë automatikë, dy pistoleta dhe pajisje speciale për matjen e largësisë, raportojnë mediat serbe. Të arrestuar janë Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, u ka thënë Daçiq gazetarëve në Serbi. Daçiq ka thënë se armët që kanë poseduar dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës paraqesin shkelje drastike të marrëveshjes ushtarako-teknike, të nënshkruar në Kumanovë, më 1999.

Më herët, ministria e Punëve të Brendshme dënoi ashpër rrëmbimin e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës nga ana e Xhandarmërisë Serbe. Ata shpjegojnë se pjesëtaret e Policisë së Kosovës në momentin e rrëmbimit kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjesisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre.

"Ky veprim tinzar dhe i organizuar i Xhandarmarisë serbe dëshmon edhe njëherë orientimin dhe mentalitetin agresor të shtetit Serb ndaj Republikës së Kosovës. Përpjekjet e shtetit serb për agresion ndaj Republikës së Kosovës përmes veprimeve të tilla të nxitura nga Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, i cili me plot fanatizëm po dëshmohet si trashigimtarë i politikës agresore të Millosheviçit, kanë dështuar historikisht dhe do të dështojnë edhe tani" thuhet në komunikatën e lëshuar nga MPB.


Ministria e Punëve të Brendshme kërkon nga EULEX-i dhe mekanizmat tjerë relevant të Bashkimit Evropian, të kërkojnë nga Qeveria e Serbisë lirimin e menjëhershëm të pjesëtarve të Policisë së Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, fton institucionet e Bashkimit Evropian të gjykojnë veprimet e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim të plotë me rendin dhe ligjin dhe janë veprime anti-europiane dhe në dëm të perspektivës evropiane të rajonit.
Arrestimi i policeve Shukri Bunjaku dhe Sami Beqiri nga policia serbe u be  sot në orën 10.30, në rajonin e Merdarit. Siç raportojne gazetat serbe, “ policet kanë hyrë ilegalisht në Serbi. Policët e arrestuar kanë qenë të armatosur me dy pushkë automatike, dy revole dhe aparaturë speciale për matjen e largësisë”, ka deklaruar ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic.

/aq/rg/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Iu sekuestruan 50 mln euro pasuri, Kristjan Boçi reagon sërish: Një shqiptar i vërtetë nuk abuzon me Kombin e vet

Iu sekuestruan 50 mln euro pasuri, Kristjan Boçi reagon sërish: Një shqiptar i vërtetë nuk abuzon me Kombin e vet