PROJEKTLIGJ: Për një ndryshim në ligjin nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar. Projektligji ka për qëllim shtyrjen për një periudhë 2 vjeçare të afatit ligjor për verifikimin e titujve të pronësisë, që nga data 31 dhjetor 2013, që është aktualisht, propozohet të përfundojë më 31 dhjetor 2015.
Shpjegimi: Ka pasur shumë probleme në lidhje me verifikimin e titujve të pronësisë, pasi nuk është arritur që të evidentohen shkeljet e kryera që nga nisja e zbatimit të ligjit 7501 për tokën bujqësore. Kjo ka sjellë dhe mbivendosje, ka sjellë dhe tjetërsim të tokave bujqësore në bregdet, në zonat turistike, të cilat janë cilësuar toka bujqësore nga komisionet e fshatrave dhe janë bërë abuzime marramendëse. Ndaj shtyrja për 2 vite dhe verifikimi një për një i titujve të pronësisë, është dhe një objektiv që sjell shuarjen e gjithë konflikteve për pronën.
Vendim: Për lirimin nga detyra të anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik, të emëruar në kundërshtim me ligjin.
Shpjegimi: Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e qeverisë disa javëve më parë emëroi Denar Bibën ish-nënkryetarin e KQZ në postin e kreut të Komisionit të Prokurimeve. I cili ka qënë gjithnjë në qendër të goditjes dhe i akuzuar për abuzime. Tashmë ndryshimi i anëtarëve, e kompleton ristrukturimin.
Vendimi: Për lirimin e emërimin në detyrë të disa anëtarëve të bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile. Vendimi synon ndryshimin nominal të përbërjes së bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, për arsye se anëtarët aktualë nuk janë më pjesë e institucioneve qendrore edhe për shkak të ndryshimit të institucioneve të përzgjedhura për t’u përfaqësuar në këtë bord.
Shpjegimi: Ka pasur shumë akuza për shpërndarjen e fondeve në favor të OJQ-ve që kanë qënë afër qeverisë, ndërkohë që nuk është ngritur zëri duke bërë që ndryshimi i këtij bordi del emergjencë.
Por ndryshimi vjen dhe për shkak të ndryshimit të emërtesave.
Vendimi: Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.205, datë 13.4.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor”, të ndryshuar. Ndryshimet me këtë vendim synojnë përmirësimin e disa prej elementëve që lidhen me organizimin dhe kategorizimin e personelit të administratës doganore, përshkrimin e punës për pozicione të veçanta, kriteret e përzgjedhjes për to, si dhe procedimin disiplinor të tyre.
Shpjegimi: Në të gjitha qeverisjes nuk kanë munguar akuzat për emërimet nepotike dhge militanteske në administratën doganore. Me sa duket ndryshimi në këtë vendim sjell dhe përmirësimin e punës.
Vendimi: Për një ndryshim në vendimin nr.874, datë 12.8.2009, të Këshillit të Ministrave “Për organizimin e funksionimin e Bordit të Mbikëqyrjes Publike të Ekspertëve Kontabël, të Regjistruar”. Me këtë vendim propozohet riformulimi i njërit prej kritereve që duhet të plotësojë anëtari i Bordit të Mbikëqyrjes Publike, që vjen nga radhët e ekspertëve kontabël të regjistruar, me qëllim shmangien e konfliktit të interesit në ushtrimin detyrës.
Shpjegimi: në kuadrin e ristrukturimit të të gjitha bordeve pas ndryshimit të emërtesave të institucioneve por dhe emërimeve të reja, është menduar dhe riformulimi i kritereve të funksionimit.
Vendimi: Për një ndryshim në vendimin nr.36, datë 16.1.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e anëtarëve të Bordit Drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”.
Vendimi propozon ndryshimin e përbërjes nominale të bordit drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pasi anëtarët aktualë nuk janë më pjesë e institucioneve që përfaqësohen në këtë bord dhe për shkak të ndryshimit të kritereve të caktimit të anëtarëve të bordit.
Shpjegimi: Në këtë sektor të hipotekimit ka pasur shumë akuza për tjetërsim prone. Përpos këtyre akuzave, ndryshimet në drejtimin e institucioneve ka sjellë dhe nevojën që disa anëtarë, që tashmë nuk janë pjesë e administratës, të zëvendësohen me të rinj.
Vendimi: Për lejimin e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Administrimit të Ujërave për vazhdimin e procedurave të prokurimit për disa objekte të kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja. Vendimi ka për qëllim lejimin e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Administrimit të Ujërave, për vazhdimin e kryerjes së procedurave të prokurimit, për disa objekte të kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja.
Shpjegimi: Duke qënë se situata është në prag të dimrit, dhe nuk përjashtohet mundësia e krijimit të problemeve me përmbytjet nga reshjet e kësaj periudhe, qeveria lejon Ministrinë e Bujqësisë, që për efekt shpejtësie në shërbim të bëjë prokurimet.
Vendimi: Për funksionimin e Këshillit Kombëtar të Punës dhe për caktimin e përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave në këtë këshill. Vendimi propozon caktimin e shtatë ministrave si anëtarë të Këshillit Kombëtar të Punësimit, që do të përfaqësojnë Këshillin e Ministrave, në këshill, në përputhje me prioritetet e programit të qeverisë dhe në konsultim me partnerët socialë.
Shpjegimi: Duke qënë se tashmë qeveria ka ndryshuar është e domosdoshme që të ndryshojnë dhe emrat e këshillit Kombëtar të Punës, pasi do të vendosen emrat e shtatë mintrave të rinj.
Vendimi: Për disa ndryshime në vendimin nr.1269, datë 17. 9.2008, të Këshillit të Ministrave “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Vendimi ka si qëllim riorganizimin e Sekretariatit teknik të Komisionit Qeveritar të Tokës, duke e përfshirë atë si njësi në përbërje të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe anëtarët e këtij komisioni do jenë me statusin e nëpunësit civil.
Shpjegimi: Nuk kanë qënë të pakta akuzat në drejtim të abuzimeve me pronën bujqësore, turistike e në bregdet, nga ana e drejtuesve që kishin për detyrë verifikimin e titujve të pronësisë. Ndaj dhe qeveria ka vendosur të riorganizojë gjithë sekretariatin teknik, duke e përfshirë në dikasterin e Bujqësisë.
Vendimi: Për rishpërndarje fondesh në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Rishpërndarja e fondeve brenda buxhetit të ministrisë ka si qëllim vënien në dispozicion të Bordeve të Kullimit një fond prej 85.5 milion lekë për likuidimet e energjisë elektrike të hidrovoreve, të papaguara për vitet e kaluara dhe për vitin 2013.
Shpjegimi: Deri më tani ka pasur probleme mes CEZ dhe Ministrisë për hidrovoret, pasi sa herë ka pasur përmbytje ata nuk kanë qënë në punë për efekt debiti ndaj energjisë. Tashmë me sa duke merr fund një shqetësim i tillë.
Ish-pronarët në Shqiptarja.com
Vorpsi: Titujt e Pronësisë verifikimi duhet të shtyhet
Ish-pronarët përmes anëtarit të kryesisë së shoqatës ‘Pronësi me Drejtësi’, Myrshit Vorpsi kërkuan në një intervistë në gazetën “Shqiptarja.com” shtyrjen e punës së komisioneve për verifikimin e titujve të pronësisë pasi është abuzuar nga komisionet. “Nga të dhënat e bëra publike së fundmi nga ana e sekretariatit qëndror teknik të komisionit qeveritar të tokës, janë të dhëna skandaloze për produktin që kanë prodhuar që të bën të dyshosh, nëse është kryer kjo punë apo jo. Dhe kjo gjë ndodh jo më shumë se një muaj nga dita kur përfundon afati ligjor për këto komisione pasi Më 31 dhjetor 2013 komisionet e verifikimit të titujve të pronësisë në nivel qarku pushojnë së ekzistuari.
Shifrat që ka prodhuar ky komision janë skandaloze. Për 5 vite ky komision ka kthyer në pronësi të shtetit vetëm 15 hektarë tokë bujqësore”, tha Vorpsi. Duke hedhur akuza se është abuzuar në mënyrë skandaloze. “Është e nevojshme që qeveria shqiptare të zgjasë dhe më tej afatin e funksionimit të komisioneve të verifikimit të titujve të pronësisë e ti vërë në pozita pune për të verifikuar çfarë ëhstë bërë me ndarjen e tokës në shkallë vendi. Brenda janarit janë 17 pronarë që dalin brenda një vendimi të gjykatës së Strasburgut”, nënvizoi ai, duke kërkuar riverifikimin e titujve të pronësisë.
Shkrimi u publikua sot (05.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)