Në një diskutim në "Studio Live", Saimir Korreshi dhe Romeo Kara diskutuan mbi mundësinë e krijimit të një qeverie teknike në Shqipëri.
Korreshi sugjeroi që një qeveri teknike mund të vendoset përmes presionit politik dhe mund të ngjajë me modelin e Maqedonisë së Veriut, ku zgjedhjet kontestohen dhe ky proces është i parashikuar në Kushtetutë. Ai propoziroi që ky model të aplikohet çdo katër vjet, duke përfshirë edhe PD dhe PS.
'Kjo nuk është dëshirë e Saimirit apo opozitës. Qeveri teknike e vendos dhe ai në pushtet. Po të kemi presion siç po ndodh mendoj se do ketë qeveri teknike. Do doja versionin e Maqedonisë së Veriut, duke qenë se atje zgjedhjet kontestohen dhe ta fusim në Kushtetutë. Të jetë çdo 4 vjet, ta ketë dhe PD dhe PS. Gjithë kohës kemi artikuluar për vjedhje votash.'
Nga ana e tij, Kara e theksoi se të dy palët politike, PD dhe PS, kanë tendencën të kontrollojnë administratën zgjedhore për të realizuar interesat e tyre. Ai kërkoi një reformë të thellë që do të largonte administratën nga ndikimi politik dhe krijimin e një komisioni zgjedhor të pavarur.
Kara propozoi që Shqipëria të kalojë nga një sistem politik në një tjetër, duke theksuar se nuk mund të kalojmë nga Edi Rama te Sali Berisha. Ai insistoi se qeverisja teknike do të ishte një hap i domosdoshëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke e quajtur këtë nevojë për një periudhë të paktën dyvjeçare.
'Të dy palët nuk ndryshojnë në kapjen e administratës për zgjedhjet si duan vetë. I njoh të dyja, bashkohen dhe janë sikur i kanë bërë një nënë. Nuk bëjnë një ligj për administratën të ndryshoj Shqipëria. Sa presin të transferohën oligarkët, ca presin një vend pune. Që të bëjmë hapin e parë të ndërtimit të shtetit, duhet ti detyrojmë forcat politike të mos merren me administratën.
Kanë kapur peng shtetin dhe njerëzit në administratë mund të frikësohen, mund të kenë një anim nga pushteti. Kemi nevojë për qeverisje teknike minimumi dy vjet. Mendoj se kjo qeverisje duhet të përgatisi për një komision zgjedhor të pavarur. Votat e mia i numëron ai xhaxhi atje, me xhaxhi tjetër në qeveri. Votat janë marrë me premtime. Unë jam për të kaluar nga një sistem tek tjetri, jo nga Edi tek Saliu. Nuk ka për të kaluar kështu. Se në këtë lloj loje është më perfekt se Saliu.'
Korreshi e mbështeti idenë e një qeverie teknike, duke theksuar se kjo do të garantonte mospërfshirjen e administratës në zgjedhje dhe eliminimin e patronazhistëve që po e dëmtojnë sistemin zgjedhor.
'Garantimi i qeverisë teknike do garantonte mospërfshirjen e administratës në zgjedhje. Njësitë administrative janë kthyer në patronazhistë.'
Lajmi kryesor: