Çdo sasi karburanti (naftë e benzinë) që do të hyjë në territorin shqiptar nuk do të dalë në treg pa u bërë shenjimi, që garanton gjurmimin përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit.

Në vendimin e miratuar në qeveri, thuhet se nafta dhe benzina, përpara se të hidhen në qarkullim të lirë, t’i nënshtrohen detyrimisht një procesi shenjimi me një substancë të posaçme, e cila do të mundësojë identifikimin dhe gjurmimin e tyre përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit.

Detyrimi për të zbatuar këtë vendim është për të gjitha subjektet që tregtojnë, importojnë, shpërndajnë, transportojnë, magazinojnë, prodhojnë, apo rafinojnë këto produkte.

Përmes këtij procesi ALBTrace CO, synohet të bëhet gjurmimi dhe monitorimi i nënprodukteve të naftës, me synim forcimin e kontrollit mbi tregun e karburanteve, luftën kundër evazionit fiskal, kontrabandës dhe garantimin e pagesës së akcizës.

Shoqëria shtetërore do të jetë përgjegjëse për injektimin e substancës se shënjuesit, administrimin e sistemit të monitorimit dhe lëshimin e certifikatës së shënjimit për çdo ngarkesë karburanti.

Për këtë shërbim subjektet që operojnë në këtë sektor do të paguajnë një tarifë kombëtare prej 6.5 euro, pa TVSH, për çdo 1 mijë litra karburant të shënjuar. Kjo tarifë do t’i paguhet shoqërisë shtetërore ALBTrace CO, ndërsa operatorët do të kenë gjithashtu detyrimin të deklarojnë inventarin e produkteve të naftës, brenda 30 ditëve nga fillimi i zbatimit të regjimit të ri.

Praktikisht nga kjo tarifë kompania ALBTrace CO do të përfitojnë rreth 4.8 milionë euro në vit, nëse marrim si referencë 740 mijë tonë karburant të importuar vjet.

Në vendim theksohet se ndalohet tregtimi, importimi, transportimi apo magazinimi i karburanteve që nuk përmbajnë shënjuesin zyrtar.

Administrata Doganore do të ketë rolin e mbikëqyrjes dhe kontrollit, duke përdorur laboratorë të lëvizshëm, analiza në terren dhe sisteme monitorimi për të verifikuar përputhshmërinë e karburanteve me kërkesat ligjore.


Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë...