Ministrja kosovare për Dialogun, Edita Tahiri, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna dhe Ambasadorin norvegjez në Kosovë, Ian Braathu, ju drejtuan mediave në një Konferencë për shtyp që u mbajt sot pasdite, ku njoftuan lidhur me rikthimin në vendet e punës të ish- punonjësve nga pjesa veriore në Doganën e Kosovës.
Ministrja Tahiri theksoi se Qeveria e Kosovës vlerëson procesin e rikthimit në vendet e punës të punonjësve serbë të pjesës veriore të vendit në Doganën e Kosovës, proces ky që u realizua me sukses sot kur këta punonjës nënshkruan kontratat e punës me Doganën e Kosovës.
"Qeveria e Republikës së Kosovës sërish dëshmoi përkushtimin për politika integruese për komunitetet dhe në veçanti të serbëve të asaj pjese, që për arsye të njohura nuk ishin të gatshëm për këtë proces", tha ministrja Tahiri.
Ajo falënderoi Doganën e Kosovës dhe Drejtorin Lulzim Rafuna për një qasje vizionare që bëri të mundur që oficerët doganorë serbë nga pjesa veriore të rikthehen në vendet e punës, duke shtuar se kërkesa e këtyre punonjësve që të kthehen në punë ndonëse kishin dhënë dorëheqje në vitin 2008 për arsye të njohura, hasi në mirëkuptimin dhe mbështetjen e plotë të Doganës së Kosovës.
Ministrja Tahiri falënderoi ambasadën norvegjeze dhe ambasadorin Ian Braathu për mbështetjen që dhanë në realizimin e projektit për dialogun mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve në veri të vendit, i cili krijoi një rritje të besimit të ndërsjellë dhe rezultoi në këtë sukses të përbashkët. Me këtë rast, ajo falënderoi edhe Qendrën për Trajnime dhe Studime Gjinore që ishte pjesë e këtij projekti si dhe Zyrën e BE-së në Kosovë për mbështetje të procesit të rikthimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se Dogana e Kosovës ka mirëpritur kërkesën e këtyre oficerëve doganorë që të rikthehen dhe procesi i rikthimit është bërë në bazë të ligjeve të Kosovës. Sot janë nënshkruar 20 kontrata dhe 4 kontrata të tjera priten të nënshkruhen në ditët në vijim.
Ambasadori Ian Braathu theksoi se rikthimi i punonjësve të Doganës tregon gatishmërinë dhe vullnetin e institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin edhe të serbëve të veriut, dhe u shpreh i lumtur që Ambasada e Norvegjisë i dha mbështetje projektit të dialogut mes institucioneve dhe qytetarëve të pjesës veriore të Kosovës.
"Ne do të vazhdojmë të mbështesim këtë dialog dhe shpresojmë në ri-integrim edhe në sektorë tjerë. Dua të shpreh vlerësimet e larta për ministren Tahiri e cila mori pjesë në këtë dialog gjatë gjithë vitit 2014 dhe ky sukses sot është një konfirmim i rëndësisë së vazhdimit të dialogut mes Qeverisë dhe qytetarëve", theksoi ambasadori Braathu.
Ai gjithashtu falënderoi drejtorin e Doganës Rafuna si dhe Qendrën për Trajnime dhe Studime Gjinore për këtë sukses./atsh/