Qëlloi që ne shqiptarët të kemi 1000 defekte, por një gjë vështirë se e gëlltisim më, pas 500 vitesh nën Turqi e 50 vite diktature: populizmin. Nëse është parë qartë e mirë që përkëdhelësit e sedrave dhe e veseve të sëmura nuk shkojnë, kjo është verifikuar këtu mes nesh, në Shqipëri. As kreshnikëra, as benëra, as adëra, as fatosëra, bertëra, as sazanëra, as gjergjëra e të tjerë emra të pas diktaturës nuk kanë mundur të dalin në krye të asgjëje duke u thënë shqiptarëve se e kanë mirë të veprojnë kështu, ndërsa edhe vetë vepruesit e dinin se ishin në të shtrembërt.
Eshtë puna më e lehtë, më e kollajtë të gjesh njerëz që kërkojnë të marrin me të mirë. Sot është e vështirë të gjesh njerëz që të jenë aq inteligjentë dhe aq të vërtetë, sa edhe kur të ta thonë realitetin në sy, sado i hidhur, të të vijë mirë. Këta, e kemi kuptuar, janë njerëzit që ndihmojnë në zhvillim e përmirësim.
Herë pas herë vetëshpallen në skenën shqiptare “heronj” e “shpëtimtarë” që deklarojnë nga tribuna mediatike, politike, apo të shoqërisë civile, se janë Ata liderët e vërtetë për të cilët populli shqiptar ka nevojë dhe se duhet t’i zgjedhë, t’i admirojë, për t’u ndriçuar e për të shpëtuar.
Por, pse zgjasin kaq pak këta qirinj që vetëndizen në mes të errësirës sonë? Meqë asnjë prej tyre nuk ja ka bërë ndonjëherë pyetjen vetes dhe meqë, edhe pas çdo dështimi, injorimi nga ana e njerëzisë, sërish vazhdojnë, ripropozohen, rishfaqen me formate e modele të reja kostumesh e flokësh, ndoshta diçka iu duhet thënë: Jeni falsë. Të pavërtetë në veprimet tuaja prej borgjezësh të kamur dhe me maskën në fytyrë se ju vjen keq për njerëzinë. Në asnjë vend tjetër më shumë se në Shqipërinë e vogël njerëzit njihen kaq mirë, dihet çdo gjë për jetën e tyre, për familjen e pasurinë. Atëherë, përse ngulin këmbë e ripropozohen këta modele populizmi demode?
I vetmi problem mendoj, është me pasqyrën që mbajnë në shtëpi: Si nëpër ato fotot që shfaqen në rrjete sociale, ata janë macka, që në pasqyrë e shohin veten luanë. Ata kanë nevojë vërtetë për ndihmë, se po rindizen përsëri.