Qofte me patate në furrë shoqëruar me kos aromatik

Përbërësit:

  • 1 kg patate
  • 700 gr mish i grirë
  • 40 gr bukë të thekur të grirë
  • 1 qepë e thatë e grirë hollë
  • 1 kokërr vezë
  • 1 lugë gjelle lëng limoni
  • 1 lugë gjelle uthull
  • 1 lugë gjelle rigon
  • 2 lugë gjelle majdanoz
  • 30 ml vaj ulliri
  • Kripë, piper i zi i freskët

Për kosin aromatik:

  • 300 gr kos të trashë
  • 3 lgj nenexhik i grirë hollë
  • 30 ml qumësht
  • 1 teke raki
  • 30 ml vaj ulliri
  • Lëkura e një limoni
  • Kripë dhe piper

Përgatitja:

Përziejmë të gjithë përbërësit për qoftet në një enë të madhe duke e punuar mirë me dorë. E lëmë në frigorifer për rreth 30 minuta. Ndërkohë qërojmë patatet, i presim në fetëza gjysmëhëne dhe i vendosim të ziejnë për 4 minuta në ujë me kripë. Më pas i kullojmë dhe i thajmë mirë me pecetë. I vendosim në një tepsi të shtruar me letër pjekjeje, i spërkatim me vaj ulliri, kripë dhe erëza duke i përzier mirë. Vendosim qoftet sipër patateve dhe i pjekim në furrë të parangrohur në 200°C për 35–40 minuta. Në 10-15 minutat e fundit i përziejmë patatet që të mos digjen. Ndërkohë përgatisim kosin aromatik. Në një tas bashkojmë kosin me pak qumësht, pak raki, vaj ulliri, lëng limoni, kripë, piper dhe nenexhk. E trazojmë mirë derisa masa të marrë formën e një kremi dhe e shërbejmë si garniturë me qoftet me patate.

Këshilla nga Albana: Kur e vendos tavën në furrë, shto sipër një copë të vogël gjalpi ose një kub akulli, pasi do të mbajnë qoftet të buta e të lëngshme.